Zbardhet dosja e bandës, kapoja drejtoi trafikun nga Shqipëria
ITALI - Autoritetet italiane kanë zbardhur dje mënyrën e organizimit të trafikut të 20 shqiptarëve të arrestuar dy ditë më parë nga operacioni "Ramazan". Sipas prokurorëve të vendit fqinj, duke nisur në qershorin e vitit 2007 hetimet janë karakterizuar nga survejime tepër komplekse ndaj personave të dyshuar. Kjo, sipas tyre, për shkak të dendësisë së madhe të organizatave shqiptare, të strukturuara në formën e piramidës, që i përcakton detyra të mirëfillta çdo anëtari të veçantë. Në 15 muaj hetime agjentët e provincës së Lukës, janë shtrirë edhe në Pistoia, Pisa, Massa dhe në Lombardi. Ashtu, siç u publikua që në ditën e kryerjes së operacionit, kreu i grupit ishte Artur Lamkja, 40 vjeç, i cili për momentin mendohet të jetë në Shqipëri, pasi është dëbuar nga shteti italian në vitin 2007. Bëhet e ditur se ditën e djeshme përveç Lamkjes, i cili ndodhet jashtë Italisë, të gjithë të arrestuarve të tjerë u është komunikuar masa e arrestit. "Ndonëse ai ndodhej në vendin e tij të origjinës, keqbërësi ka vazhduar të organizojë dhe të drejtojë trafikun e drogës që kishte ngritur në këmbë", bënin të ditur dje mediat e vendit fqinj. Sipas hetimeve, ka rezultuar se ai kishte kontakte me bashkëkombës të tij që jetojnë në vendet e Evropës Veriore dhe përmes 'kanaleve' tyre sillnin sasi të mëdha kokaine dhe heroinë në Itali, e destinuar veçanërisht për provincat e Lukës, Pistoias dhe Massas. Lamkja ishte kreu, ndërsa Ramazan Çela, prej nga është edhe zanafilla e kodimit të operacionit "Ramazan", ishte pritësi për drogën që vinte nga Vendet e Ulëta në provincën e Lukës. Bashkë me të edhe 6 persona të tjerë, Oklid Çela, vëllai i Ramazanit, Leonard Xeka, Andrea Kuqja, 43 vjeç, Alban Sulkja, 31 vjeç, Edison Gashi, 27 vjeç dhe Elvis Korçari kishin për detyrë të hidhnin drogën në tregun lukez përmes shpërndarësve të drogës. Ndërsa korrieri i drogës ishte kosovari Judmir Mezini, 32-vjeç, rezident në Belgjikë, i cili i sillte sasitë e mëdha të drogës nga Holanda në Itali, duke i fshehur në bordin e një kamioni që drejtonte. Operacioni i koduar "Ramazan" vuri në pranga më 3 dhjetor 20 shqiptarë. Në përfundim të tij policia sekuestroi 32 kilogramë kokainë dhe heroinë, 5 autovetura dhe 62 mijë euro kesh. ar.ba