Shiu e dherat bllokojnë rrugët nacionale në vend
KUKES / FIER / DIBËR
Rrugët nacionale në veri e jug të vendit janë bllokuar ditën e djeshme si pasojë e reshjeve. Uji ka mbuluar asfaltin në superstradën e re Fier-Lushnjë, dherat bllokuan rrugën Kukës-Tiranë, ndërsa mbrë-më dhjetëra makina mbetën në rrugë në aksin që lidh Dibrën me kryeqytetin.
Një situatë kaotike është regjistruar dje në mbarë vendin. Reshjet e shiut që nuk pushuan prej mbrëmjes së të martës shkaktuan probleme të mëdha, jo vetëm në rrugët brenda qyteteve apo ato dytësore, por dhe në rrugët nacionale. Për herë të parë, rruga e sapondërtuar, që lidh Fierin me qendrën e vendit është mbuluar nga uji. Automjetet nuk kanë mundur të kalojnë për shkak të nivelit të lartë të ujit, i grumbulluar mbi asfalt, i cili nuk arrinte të kullonte buzë superstradës. Aksi Fier-Lushnjë është bllokuar totalisht gjatë ditës së djeshme, duke i detyruar drejtuesit e automjeteve të ndërrojnë drejtim e të kalojnë nga rruga e vjetër, e cila prej pak kohësh nuk përdorej më. Në vend kanë shkuar përfaqësues të firmës "Maltouro", zbatuese kjo e projektit të këtij aksi rrugor. Megjithëse është punuar me intensitet për të zhbllokuar rrugën, terreni i vështirë dhe kushtet atmosferike i kanë detyruar përfaqësuesit e firmës të vendosin shiritat e bllokimit, duke shmangur në këtë mënyrë edhe aksidentet, pasi zona sipas tyre është me rrezikshmëri të lartë. Ndërsa në këtë segment, shoferët kanë pasur një tjetër mundësi kalimi, në rrugën Kukës-Tiranë, ata janë bllokuar gjatë natës deri në mëngjes. Në afërsi të urës së Kloshit, 3 km në dalje të Kukësit, sasi të mëdha dheu paralizuan çdo lëvizje mjeti. Bllokimi i rrugës, sipas udhëtarëve ka nisur nga ora 02:00 e natës, ndërkohë që policia tha se ajo u bllokua vetëm për dy orë në mëngjes. Vargu i makinave në dy anët e rrugës, e cila njëkohësisht shërben edhe për udhëtimet në Kosovë ka arritur në 70 automjete. Dherat sipas policisë janë grumbulluar nga firmat ndërtuese të gjurmës së re të rrugës Durrës-Kukës, e cila kalon 100 metër sipër rrugës së vjetër, po në një pjerrësi të madhe nga njëra-tjetra. Kjo pjerrësi ka shkaktuar dhe rrëshqitje të dherave, të provokuara nga reshjet e mëdha të shiut. E njëjta situatë e rëndë ka vazhduar dhe në mbrëmje në aksin nacional të lindjes, që lidh Bulqizën me Peshkopinë. Dhjetëra mjete, kryesisht furgonë udhë-tarësh, që lidhin Dibrën me Tiranën kanë mbetur të bllokuar, pasi reshjet shkaktuan shembjen e një ure në ndërtim e sipër, pjesë e rrugës së Arbrit. Pritet që makineri të tonazhit të rëndë të mundësojnë krijimin e një tjetër rruge. Gjatë gjithë ditës në këtë qark ka pasur probleme me rrugët nacionale, kryesisht ajo Milot-Peshkopi, për shkak të rrëshqitjes së gurëve.