Fazlliç, sekuestrohen në KESH kontratat e energjisë
Trazhgim Sokolaj
Hetimet e Prokurorisë për biznesmenin boshnjak Damir Fazlliç morën dje një dimension tjetër, duke përfshirë kontratat e kompanive të 33-vjeçarit me KESH-in, për shitjen e energjisë elektrike. Prokurorët e Njësisë Task-Force Antikorrupsion "zbar-kuan" në zyrat e Korporatës Elektroenergjetike ku sekuestruan të gjitha kontratat e nënshkruara me kompaninë "Rudnap" në pronësi të biznesmenit boshnjak Damir Fazlliç. Një grup oficerësh bashkë me njërin nga dy prokurorët, që po hetojnë biznesmenin boshnjak për "pastrim parash", u paraqitën në zyrat e KESH-it dhe kërkuan gjithë dokumentacionin, që zotëron ky institucion për procedurat e ndjekura me blerjen e energjisë dhe importimin e saj përmes kompanisë "Rudnap", e cila sipas verifikimeve ka si përfaqësues të saj 33-vjeçarin Fazlliç. Rreth mesditës mësohet se dokumentet e kërkuara janë sekuestruar nga Prokuroria, e cila menjëherë ka filluar verifikimin e tyre. Lajmi konfirmohet nga burime zyrtare të akuzës, të cilat thanë se janë duke hetuar për abuzime të mundshme në kontratat, që KESH ka lidhur me kompaninë e Fazlliç për blerje energjie. Sipas Prokurorisë, në dokumentet e bllokuara po shikohet me imtësi çdo klauzolë e kontratave për të parë nëse ka shkelje të ligjeve shqiptare. "Për secilën nga kontratat do të shikohet koha e nënshkrimit të tyre dhe më pas çmimi i energjisë për atë kohë do të krahasohet me vlerat e tregut, për të parë nëse ka pasur humbje në dëm të shtetit shqiptar apo favorizim të kompanisë së biznesmenit Fazlliç", thanë burimet zyrtare nga Prokuroria. Sipas tyre, marrëdhëniet e kompanisë së Fazlliçit me Korporatën Elektroenergjetike Shqiptare u kthyen në objekt hetimi pas shkeljeve të konstatuara në veprimtarinë e biznesmenit boshnjak gjatë hetimeve për aktivitetin e kompanive të tjera të tij në Shqipëri. Hetimet filluan pasi u mësua se Fazlliç kishte shitur për 1.7 milionë euro një kompani të zotëruar prej tij në Tiranë që prej vitit 2005, e cila kishte për kapital fillestar vetëm 1 mijë euro dhe deri në momentin e shitjes nuk kishte deklaruar aktivitet dhe as fitim në institucionet përkatëse. Një pjesë e mirë e pagesës për shitjen është bërë në rrugë kesh, duke shmangur bankat dhe për këtë shkak Prokuroria po heton mundësinë e kryerjes së krimit së veprës penale "pastrim parash".