Akuza: Dëmi nga ngjarja e Gërdecit, 14 milionë euro
Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama tha dje se hetimet për tragjedinë e Gërdecit janë në momentet e tyre të fundit, ndërsa dosja penale me 28 të pandehur do të dorëzohet në Gjykatën e Lartë brenda pak ditëve. Sipas kryeprokurores, kanë mbetur edhe një numër i vogël dhe formal veprimesh procedurale që duhen kryer para se fashikulli të dërgohet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Drejtuesja e organit të akuzës, komentoi hetimet për tragjedinë, pasi mori pjesë në një tryezë të organizuar nga misionet ndërkombëtare për reformën në drejtësi. Sipas Ina Ramës, dosja penale për tragjedinë e Gërdecit është gati për mbylljen e hetimeve ndërsa afati i fundit procedural është 17 marsi 2009. Ndërkaq, Prokuroria e Përgjithshme, i është drejtuar Avokaturës së Shtetit për të ngritur padi civile në procesin e pritshëm “Gërdeci”, për të komensuar 14 milionë eurot, me të cilat u dëmshpërblyen banorët e Gërdecit pas tragjedisë. Burime pranë institucionit të Avokatisë së Shtetit pohojnë se shkresa e organit të akuzës është depozituar pasditen e së mërkurës në këtë istitucion, ndërkohë ende nuk ka një vendim për të depozituar apo jo padinë civile në procesin e pritshëm penal. Së bashku me kërkesën për të ndërfutur padi civile në procesin penal, Prokuroria ka dërguar në institucionin e avokatisë së shtetit një kopje të DVD-së me të gjithë materialet e kësaj çështjeje, në mënyrë që juristët mbrojtës të qeverisë shqiptare të njihen me këtë dosje në mënyrë që të paraqesin kërkesën më pas në qeveri. Gjatë këtyre ditëve pritet që Këshilli i Ministrave të dalë me një vendim, nëse duhet ndërhyrë apo jo civilisht në procesin penal. Sipas dokumenteve që ndodhen në dosjen penale, Prokuroria, për arsye hetimore, ka llogaritur se fatura shtetërore e katastrofës së 15 marsit të vitit të kaluar në Gërdec llogaritet në rreth 14 milionë euro. Po kështu pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria ka nxjerrë se përgjegjësia për shpërthimin e 15 marsit 2008 duhet të kërkohet te katër të arrestuarit, Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli, Ylli Pinari dhe Sokol Gjeci dhe 24 të pandehurit e tjerë, që u hetuan në gjendje të lirë. Për pasojë, sipas organit të akuzës, këta persona duhet të dëmshpërblejnë dëmin e shkaktuar banorëve, të cilëve në ditët e para të tragjedisë ua kompensuan institucionet shtetërore. Tashmë sipas ligjit, qeverisë i lind e drejta për ta kërkuar kompensimin te të pandehurit, ndërkohë nga ana tjetër edhe banorët e Grdecit të dëmtuar nga tragjedia kanë lajmëruar ndërhyrjen me padi civile në procesin penal, për t’u kompensuar për dëmin e shkaktuar. Kreu i avokatisë së shtetit, Eduard Halimi, i kontaktuar dje e pohoi faktin e kërkesës së Prokurorisë në institucionin e tij por nuk dha detaje nëse qeveria do të ndërhynte apo jo me padi civile kundër Delijorgjit dhe Pinarit, për të dëmshpërblyer banorët e Gërdecit. Ligjërisht padia civile në procesin penal mund të dorëzohet në sekretarinë e gjykatës nga momenti i dorëzimit të dosjes penale, deri para fillimit të seancës së parë. Në këtë rast kompetencën për shqyrtimin e kësaj dosjeje e ka Gjykata e Lartë, në sekretarinë e së cilës pritet të dorëzohen krahas dosjes penale edhe paditë civile të të dëmtuarve. fa.ma.
Të pandehurit
1. Rezar Tërshana
2. Besnik Dauti
3. Agim Babameto
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit, për fishekët
4. Gëzim Oshafi
5. Denis Hajdari
6. Jorgo Mino
7. Fatbardh Kuçi
Anëtarë të Komisionit të Vlerësimit të Municionit, për Predhat
8. Zenun Fero
9. Hysni Çoçka
10. Hilmi Laçaj
Komisioni i Kategorizimit të Municioneve
11. Fiqiret Mato
Drejtor i Uzinës Mekanike të Gramshit
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”
12. Fari Toska, Anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Municionit
13. Landi Shatro
Drejtor i Kombinatit Mekanik të Poliçanit
I akuzuar për “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh”
Të pandehurit e parë
14. Luan Hoxha ish-Shefi i Shtabit
15. Agim Lala ish-zv/Shef i Shtabit
16. Fatmir Mediu, ish-ministër i Mbrojtjes
17. Ardian Mullai, ish-sekretar i Përgjithshëm
18. Shkëlzen Madani, ish-drejtor Ekonomik i Burimeve dhe Menaxhimit
19. Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcave të Bashkuar
20. Zija Baja, ish-komandat i Forcës Mbështetëse
21. Dashnor Çaushi, ish-drejtor i Logjistikës së Shtabit
22. Adriatik Mema, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministri
23. Armand Tartari, ish-drejtor i Drejtorisë së Menaxhimit të Buxhetit
24. Ndue Marku, ish-drejtor i Drejtorisë Juridike në Shtab