Zv.ambasadori amerikan në Shkodër për zgjedhjet
SHKODER – Zv.ambasadori amerikan premton nga Shkodra mbështetje për procesin zgjedhor në vendin tonë. Sipas diplomatit Stefën Kristina, ndihma do të jetë jo vetëm teknike, por dhe në asistencë njerëzore dhe intelektuale. Afrimi i datës 28 qershor dhe njohja me problemet e politikës shqiptare jashtë Tiranës ishin shkaqet qe e shtynë Kristinën drejt qytetit më të madh në veri të vendit. Fillimisht zv.ambasadori është ndalur në Bashkinë e Shkodrës ku është pritur nga kryetari Lorenc Luka dhe prefekti Maxhid Cungu. Në këtë takim ai u njoh me masat e marra nga njësitë vendore në realizimin e këtij procesi kaq të rëndësishëm për rrugën drejt integrimit të Shqipërisë. Ndër masat që iu bënë të ditur dhe Kristinës janë: organizimi i punës për të kryer pajisjen e qytetarëve me letërnjoftim elektronik dhe pasaporta biometrike, përfundimi i sistemit të ri të adresave, rishikimi dhe heqja nga listat e zgjedhësve të publikimeve, etj. Pas bashkisë, Kristina ka ndaluar në selinë e PS-së së Shkodrës, ku gjatë takimit me drejtuesit lokalë u diskutuan jo vetëm masat për të përballuar fushatën zgjedhore, por dhe problemet apo mangësitë e vërejtura gjer tani në këtë proces. r.d