Rama apel qytetarëve për të protestuar për Gërdecin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i shoqëruar nga vullnetarët e bashkimit të ri për ndryshim, ka vijuar dje në bllokun e Alliasit në fushatën e tij sensibilizuese për pjesëmarrjen në protestën e 15 marsit, në kujtim të tragjedisë së Gërdecit. Ndryshe nga protestat e tjera, duke qenë dhe në prag të fushatës elektorale, kreu socialist ka zgjedhur të takojë vetë dhe t’u japë ftesa për pjesëmarrje në protestën e lajmëruar prej kohësh nga socialistët në sheshin “Skënderbej”. Por në këtë rrugëtim dhe kontakte me qytetarët në zonën e Alliasit, Rama ka dëgjuar dhe ankesat e qytetarëve lidhur me pensionet, mungesën e punësimit si dhe pamundësinë për të përballuar jetesën dhe koston e saj të lartë. “Thika na ka shkuar në palcë. Të dalim si popull, duke marrë parasysh sloganin tuaj ‘përtej së majtës dhe së djathtës’. Të dalim si popull. Tragjedia e Gërdecit është e veçantë, që nuk e ka parë kurrë populli shqiptar. Tragjedia e Gërdecit nuk është aksidentale, por e përgatitur nga ata të babëziturit që nuk ngopen kurrë”, u shpreh një pensionist i Alliasit, ndërkohë që Rama i kërkonte pjesëmarrjen e tyre në protestën e së dielës. E drejta për të jetuar me punë të ndershme, u shpreh Rama gjatë këtyre takimeve spontane, është tjetër e drejtë për të cilën do të manifestojmë më 15 mars. “Ikin emigrantë, sepse duan të jetojnë me punë të ndershme. Vendosja e të drejtës për të jetuar me punë të ndershme është kryesorja. Të jemi të gjithë bashkë, t’i lëmë politikanët në sherret në punët e tyre dhe të shohim për të rregulluar punët tona të përbashkëta”, tha Rama në takimet e djeshme.