Gërdeci, Topalli akuza Edi Ramës
bledar hoti
Një vit pas tragjedisë së Gërdecit, maxhoranca dhe opozita rikthyen akuzat e ashpra ndërmjet tyre për ngjarjen e ndodhur. Socialistët akuzuan Kryeministrin Sali Berisha, ndërsa kryeparlamentarja Jozefina Topalli akuzoi Edi Ramën për bashkëpunim me Mihal Delijorgjin, personi që akuzohet për Gërdecin. Debati mes Topallit dhe Leskajt nisi menjëherë pas diskutimit të Kryetares së Grupit Parlamentar të PS-së. Topalli iu është përgjigjur kërkesave të opozitës se “Edi Rama ka dhënë leje ndërtimi për Delijorgjin”. “E para: Pse emri i Delijorgjit nuk përmendet këtu? Pyeteni kryetarin tuaj: Më kë ishte Delijorgji në Kretë, zonjë? E dyta: Pse nuk janë hequr lejet e ndërtimit që Delijorgji ka më mes të Tiranës, të dhëna nga kryetari juaj? Sa pjesë janë aty brenda? Unë e di, por dua një përgjigje publike, jo personale”, deklaroi Topalli. Ndërsa kryetarja e grupit të PS-së iu kundërpërgjigj se “Zonja kryetare, nëse keni informacione dhe nuk i keni çuar në Prokurori, je bashkëpunëtore në krim”. Leskaj gjatë fjalës së saj në Kuvend i bëri thirrje Prokurorisë që të zbardhë deri në fund ngjarjen tragjike të 15 marsit. “Ne nxitëm dhe inkurajuam një hetim të drejtë, të shpejtë e të paanshëm nga prokuroria, e cila sot ka vënë nën akuzë rreth 40 zyrtarë të lartë. Dhe ne përsëri kërkojmë që Prokuroria të bëjë sa më shpejtë zbardhjen e gjithë të vërtetës për një çështje që implikon vet Kryeministrin e vendit”, theksoi drejtuesja e grupit të PS-së. Ajo theksoi se kryeministri pas një viti të tragjedisë, ende nuk ka kërkuar ndjesë publike”. “Ministri përkatës tashmë ngjan i rehabilituar, natyrisht jo në sytë e shqiptarëve, por në sy të eprorit të tij. Mes tyre ka diçka më shumë se një marrëdhënie politike, ata i bashkon fajësia dhe pjesa e errët e kësaj historie. Në fakt viti i Gërdecit mjaftoi për të provuar se kjo Qeveri dhe shefi i saj, nuk ka ndjeshmëri ndaj njerëzve, e kanë humbur ndjeshmërinë ndaj skandaleve korruptive përfshirë edhe këtë që u pagua me jetë. Madje vet Kryeministri ka kohë që ka filluar t’i quaj skandalet qeveritare standarde”, deklaroi Leskaj. Ndërsa socialisti Musa Ulqini theksoi se “në Gërdec mori fund demagogjia antikorrupsion e qeverisë, e cila erdhi në pushtet me flamurin e antikorrupsionit”. “Dekoratat që kërkon të marrë qeveria për 20 milionë euro që ajo shpenzoi nga buxheti i taksapaguesve shqiptarë, për të kompensuar dhe dëmshpërblyer të gjithë ata që e pësuan nga tragjedia që ajo vet e shkaktoi me veprimet dhe mos veprimet e saj, janë dekorata që nuk shndrijnë por nxijnë në gjoksin e qeverisë. Më tej akoma vet post tragjedia ka si element të vet thelbësor mungesën e tmerrshme të transparencës për fondet e shpenzuara nga taksat e qytetarëve shqiptarë, që në të vërtetë ngjan si akti i dytë i tragjedisë korruptive që ndodhi në Gërdec”, deklaroi Ulqini. Ndërsa Arta Dade në diskutim e saj theksoi se “Të hedhësh në erë banorët e tu, do të thotë të mos ofrosh kontribut për sigurinë. Jo vetëm kaq. Sot vendi ynë figuron pothuajse në të gjitha raportet problematike që e vizatojnë si defektoze demokracinë shqiptare dhe qeverisjen në vend”.
debati per gerdecin
Jozefina Topalli: Dy pyetje kanë mbetur pa përgjigje gjatë gjithë kësaj kohe: E para: Pse emri i Delilorgjit nuk përmendet këtu? Pyeteni kryetarin tuaj: Me kë ishte Delilorgji në Kretë, zonjë? E dyta: Pse nuk janë hequr lejet e ndërtimit që Delijorgji ka në mes të Tiranës, të dhëna nga kryetari juaj? Sa pjesë janë aty brenda?
Jozefina Topalli: Nuk ju pyeta ju jo, pyeta kryetarin?
Valentina Leskaj: Shko në Gjykatë ...
Jozefina Topalli: Nuk të pyes ty moj zonjë. Ty do të pyes për gjëra të tjera, ndonjë ditë tjetër
Valentina Leskaj: Më jep fjalën... Socialistët, jepi fjalën të reagojë. Zonja kryetare, nëse keni informacione dhe nuk i keni çuar në Prokurori, je bashkëpunëtore në krim.
Jozefina Topalli: Nuk ishte përgjigje kjo. Unë pres përgjigje publike nga kryetari juaj, është kryetari juaj.
Kompensimi për Gërdecin, shtohen edhe 111 milionë lekë
Afro një vit nga shpërthimi tragjik i Gërdecit, i cili i mori jetën 26 personave, qeveria i jep OK vendimit për miratimin e burimeve dhe të procedurave të financimit të dëmeve pasurore. Kështu, sipas aktit të hartuar nga Ministria e Financave, kosto totale e aksidentit teknologjik, siç quhet në aktet ligjore, të 15 marsit është 2.6 miliardë lekë. “Efekti financiar 2.619,2 milionë lekë përballohet nga: donacionet e ofruara në llogaritë e hapura për këtë qëllim, në masën 481.1 milionë lekë; fondi rezervë i Këshillit të Ministrave i vitit 2008 në masën 1.238,9 milionë lekë; fondi rezervë i Këshillit të Ministrave i vitit 2009 në masën 99.2 milionë lekë”, thuhet në relacionin e vendimit të miratuar dje. Paralelisht me këtë përllogaritje, shtohet fondi prej 111.3 milionë lekë për shkak të rivlerësimit të dëmeve dhe që do të përballohet në masën 99.2 milionë nga fondi rezervë dhe 12.1 milionë nga pjesa e papërdorur e donacioneve. Në të njëjtën kohë ngarkohet Bashkia e Vorës të kryejë procedurat për mbledhjen e 26.1 milionë lekëve nga personat që kanë përfituar më shumë se sa ishte parashikuar në vendimet e mëparshme. Duke folur në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, kreu i qeverisë tha se ky vendim vjen pas rillogaritjeve dhe përllogaritjeve që janë bërë për dëmet në këtë zonë. “Ne qëndrojmë të vendosur, ashtu siç edhe keni konstatuar, për rikthimin në një nivel tjetër të ri të infrastrukturës, të ndërtimit të banesave dhe gjithçkaje tjetër në zonën e traumatizuar”, theksoi Berisha. Më tej, Kryeministri shprehu bindjen se drejtësia do të thotë fjalën e saj për këtë tragjedi. Ndërsa duke iu referuar reagimit të opozitës, Kryeministri u shpreh se opozita ka shpallur manipulimin me fatkeqësinë e të vdekurit, por kjo mbetet zgjedhja e saj. “Nuk mendoj se mund të hapet fushata elektorale me mitingje mortore. Të hapësh fushatë elektorale me mitingje mortore, do të thotë se merr përsipër një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndë, një dhunim të një kodi që është i shenjtë për shqiptarët”, theksoi kreu i Ekzekutivit.
Prifti: Delijorgji i lidhur me ministrat e PD dhe PS
Nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, i kërkoi dje Prokurorisë së Përgjithshme të thellohet në hetimet e saj në lidhje me tragjedinë e Gërdecit. Sipas tij, fenomeni Delijorgji është i lidhur me PS-në dhe PD-në. “Ne i bëjmë thirrje Prokurorisë të thellohet në hetimet e saj, të thellohet te fenomeni ‘Delijorgji’, sepse fenomeni ‘Delijorgji’ është fenomeni i korruptimit të klasës politike shqiptare. Fenomeni Delijorgji nuk është fenomeni që ka korruptuar vetëm Sali Berishën apo ministrat e qeverisë së tij. Fenomeni ‘Delijorgji’ duhet hetuar më thellë, sepse ai ka kohë që korrupton politikën shqiptare. Mjafton të përmendësh që ai në Ministrinë e Mbrojtjes ka bërë korrupsion me tendera edhe përpara se të ishte atje Fatmir Mediu, duke marrë tanket e ushtrisë sonë për skrap dhe duke i shitur te një kompani tjetër që operon në Shqipëri me më shumë se dyfishin e çmimit. Fenomeni ‘Delijorgji’ ka mbushur Tiranën me ndërtime. Pra, fenomeni ‘Delijorgji’ është një fenomen që ka korruptuar jo vetëm PD-në, por dhe PS-në dhe ish-ministrat e saj. Dhe Prokuroria duhet të ketë guxim të thellohet më tej në këtë fenomen, i cili simbolizon korrupsionin dhe korruptimin politik të Shqipërisë sot”, tha Prifti.