E Hënë, 2 Nëntor 2026

Sollaku: Topi e ktheu Kodin për të gjetur një zgjidhje të re në Kuvend

 

Aristir Lumezi

Ish-prokurori i Përgji-thshëm Theodhori Sollaku, shpreh mendimin e tij për mosdekretimin e Kodit Zgjedhor nga ana e Presidentit dhe kthimin e tij sërish në Kuvend. Duke e parë më thellë se anën formale të mosdekretimit të Kodit, Sollaku e konsideron atë si një dëshirë të Presidentit për t'i dhënë edhe njëherë mundësi faktorëve politikë në Kuvend për të gjetur ndonjë zgjidhje të re për të realizuar edhe atë që është quajtur rëndom kohët e fundit, si gjithpërfshirje në procesin elektoral dhe për këtë ai mendon, se Presidenti duhet përgëzuar. Por Sollaku është i mendimit se nëse do të ishte ky qëllimi, ai duhej ta kishte shprehur qartë që të orientonte Kuvendin drejt kësaj zgjidhjeje. Sipas Sollakut, mosdekretimi i Kodit nga ana e Presidentit Topi është i bazuar nga ana formale, pasi nisur nga afati kohor i përcaktuar në Kushtetutë për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme, që është 28 qershori, nuk ka kohë të mjaftueshme prej 9 muajsh, që ai të shpallë datën e zgjedhjeve, siç ka përcaktuar Kodi i ri Zgjedhor. Ish-kryeprokurori e sheh këtë përplasje afatesh kohore mes Kodit dhe Kushtetutës si një lapsus të ekspertëve, ndërsa shprehet se një dalje përtej këtyre afateve për shpalljen e datës së zgjedhjeve, nuk do të cenonte procesin zgjedhor. Ai sjell ndërmend raste kur Presidenti i Republikës nuk ka respektuar afate kohore kushtetuese, siç ka qenë rasti i emërimeve të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, por dhe të Gjykatës Kushtetuese. Sipas tij, vetëm për çështjen e moskapjes së afateve të përcaktuara në Kod, Presidenti nuk duhet ta kishte kthyer Kodin Zgjedhor.  
Presidenti ka vendosur kthimin e Kodit Zgjedhor në Kuvend, a mendoni se ka vepruar në përputhje me Kushtetutën?
Mendoj se kthimi i ligjeve për rishqyrtim në Kuvend është një e drejtë kushtetuese e Presidentit të Republikës, që buron nga neni 85 i Kushtetutës. Kuvendi detyrohet ta rishqyrtojë edhe njëherë ligjin, duke pasur parasysh çfarë pretendohet në motivacionin që shoqëron dekretin e Presidentit. Është e vërtetë që afati 9-mujor, që vendos Kodi për caktimin e datës së zgjedhjeve nga Presidenti praktikisht nuk mund të arrihet, sepse sipas Kushtetutës, zgjedhjet nuk mund të bëhen tej datës 28 qershor 2009, pra janë më pak se 7 muaj në dispozicion deri tani. Pra, nga ana formale Presidenti ka të drejtë, pra është në rregull.
A mendoni se kishte ndonjë zgjidhje tjetër Presidenti?
Unë mendoj se kthimi i ligjit në Kuvend për shkaqe jo kushtetuese, ndërsa është një e drejtë e Presidentit, nuk është detyrim i tij. Pavarësisht nga konstatimi i mësipërm, mendoj se ai duhej interpretuar si një lapsus i ekspertëve. Edhe nëse do ta dekretonte ligjin, qoftë edhe për faktin e moskonstatimit nga stafi i tij të këtij defekti, Presidenti nuk do të kishte përgjegjësi. Po kështu, Kodi në tërësinë e tij, qoftë edhe me atë lapsusin, nuk do të kishte ndonjë impakt negativ në procesin zgjedhor. Tashmë dihet se jo çdo mosrespektim procedure e bën të pavlefshëm veprimin, në rastin konkret caktimin e datës së zgjedhjeve. Afatet e Kodit Zgjedhor në thelb janë afate disiplinues, shkelja e të cilëve nuk sjell nulitet të procesit. Për më tepër, vetë Institucioni i Presidentit, në shumë raste nuk është treguar korrekt me respektimin e afateve kushtetuese; e kam fjalën për emërimet e gjyqtarëve të Lartë apo Kushtetues, duke i emëruar ata deri në një vit me vonesë. Nisur nga sa thashë më lart, mendoj se për këtë shkak Presidenti nuk duhej ta kthente ligjin.
Atëherë përse e ktheu? Për të treguar forcë?
Nuk dua të besoj se kthimi është një gjest force i Presidentit ndaj Kuvendit e sidomos ndaj maxhorancës. Gjykoj se arsyet e vërteta të kthimit të Kodit Zgjedhor duhen parë ndoshta tek një dëshirë e Presidentit, për t'i dhënë edhe njëherë mundësi faktorëve politikë në Kuvend, për të gjetur ndonjë zgjidhje të re, për të realizuar edhe atë që është quajtur rëndom kohët e fundit, si gjithpërfshirje në procesin elektoral. Nëse do të ishte vërtet ky shkaku, ai duhet përgëzuar, sepse në fund të fundit detyra e Presidentit është të pajtojë palët, duke krijuar një klimë politike normale. Por, ama këtë gjë duhej ta thoshte në motivacionin e kthimit, me qëllim që të orientonte Kuvendin gjatë rishqyrtimit. Nga sa kam ndjekur procesin e miratimit të Kodit, kam konstatuar se ai është miratuar me një procedurë të përshpejtuar nga Kuvendi, në shkelje të Kushtetutës. Kam parasysh këtu nenin 83, pika 3, të Kushtetutës, që nuk lejon miratimin e Kodit Zgjedhor me procedurë të përshpejtuar, çka mund të ishte shkak kushtetues për kthimin e Kodit, ku Presidenti nuk mund të mbyllte sytë. Ndërsa, shkaku i prezantuar nga Presidenti nuk mendoj se justifikon kthimin.

Godo: Argumentet janë teknike, mund të zgjidhej edhe pa u kthyer

Bashkëhartuesi i kushtetutës, Sabri Godo tha dje se argumentet e parashtruara nga presidenti Bamir Topi, në kthimin në parlament të ligjit zgjedhor mund të tejkaloheshin pa qenë nevoja që kreu i shtetit të ndërmerrte një veprim të tillë. Në një prononcim për gazetën "Panorama", kryetari i asamblesë së përgjithshme të Partisë Republikane thotë se kodi u miratua me shumicë dërmuese votash dhe kthimi i tij në mënyrë demonstrative komprometon procesin në sytë e publikut. Godo shton se fakti që miratimi i kodit në kuvend mori mbështetje maksimale pas konsensusit mes Partisë Demokratike, asaj socialiste dhe disa prej aleatëve, ai duhet të pranohej ashtu siç ishte. "Unë besoj se po të funksionojnë institucionet, gjëra të tilla mund t'i zgjidhin edhe ndërmjet tyre pa qenë nevoja të tërheqin vëmendjen e publikut. Ky kod është miratuar me një shumicë të madhe votash, duhet të pranohet si i mirëqenë, duhet punuar nga të gjitha palët për zbatimin e tij. Të mos fillojmë të kompromentojmë që tani Kodin dhe zgjedhjet në sytë e votuesve", u shpreh dje Godo. Megjithatë sipas bashkëhartuesit të kushtetutës kthimi i ligjit nga ana e kreut të shtetit në këtë mënyrë, merr vetvetiu konotacion politik, pavarësisht se Godo shton se e gjykon vetëm formalisht këtë akt të Topit. "Ndoshta argumentet e Topit qëndrojnë, unë nuk i kam parë, por them se janë hollësi teknike që mund të rregulloheshin edhe në korrenspondencë edhe mes dy institucioneve, pa qenë nevoja të kthehej ligji në parlament dhe të merrte një karakter politik si akt. Unë nuk mund të hyjë në mendjen e atij që e ka bërë. Unë e gjykoj punën formalisht nga jashtë dhe them që ajo merr vetvetiu njëlloj peshe politike, deri sa bëhet një kthim demonstrativ i ligjit në parlament", u shpreh më tej kreu i asamblesë së republikanëve.

Dekreti i Topit në Komisionin e Ligjeve

Dekreti i Presidentit të Republikës, Bamir Topi do të diskutohet në Komisionin parlamentar të Ligjeve. Do të jenë anëtarët e këtij komisioni, të cilët do të gjykojnë pranimin apo rrëzimin e dekretit të Presidentit për Kodin Zgjedhor dhe rregullimet, që duhet të pësojë ai. Nëse pranohet dekreti i Presidentit, atëherë komisioni i Ligjeve duhet të bëjë propozimin konkret për të rregulluar përplasjen mes nenit të kodit dhe atij të Kushtetutës, që përcaktojnë afatet se kur zhvillohen zgjedhjet e ardhshme. Në të kundërt, nëse dekreti i Presidentit rrëzohet në këtë komision, Kodi i ri do të rivotohet sërish në Kuvend, duke hyrë në fuqi pa qenë e nevojshme të merret dekretimi nga ana e Presidentit.

Moisiu: Presidenti ka të drejtë, u shkel Kushtetuta

Aristir Lumezi

Ish-presidenti Alfred Moisiu, vlerëson se Presidenti Topi ka përmbushur vetëm dispozitat e tij kushtetuese. "Mosdekretimi i Kodit Zgjedhor nga ana e Presidentit Topi vjen në zbatim të përmbushjes së dispozitave të tij kushtetuese kur ka një kontradiksion të tillë", tha Moisiu. I pyetur nga gazeta "Panorama" ish-presidenti i Republikës, bën përgjegjës deputetët e Parlamentit, të cilët e kanë hartuar dhe miratuar dispozitat e Kodit Zgjedhor. "Unë nuk e kuptoj si i ka shpëtuar ligjvënësve afati 9-mujor i dekretimit të zgjedhjeve të reja nga ana e Presidentit, kur nga momenti miratimit të Kodit të ri nuk kishte më shumë se shtatë muaj kohë deri në qershorin e ardhshëm.
Unë nuk e di pse e kanë bërë këtë", tha Moisiu. Ish-presidenti i Republikës, vlerëson se nuk kemi të bëjmë me një çështje teknike. "Disa e konsiderojnë teknike çështjen e përplasjes së afateve për dekretimin e zgjedhjeve. Për mua kjo nuk është teknike. Kjo është një mospërputhje flagrante me Kushtetutën, e cila përcakton qartë se kur shpallen zgjedhjet, që janë atribut i Presidentit të Republikës. Kushtetuta nuk është top futbolli, ajo përcakton qartë se kur duhet të zhvillohen zgjedhjet. Është një problem që ka të bëjë me mospërputhje me Kushtetutën dhe unë nuk e gjykoj si pakujdesi. Kjo është një përgjegjësi, që ngarkon ligjvënësit e Kuvendit që e përcaktuan dhe e miratuan kështu këtë dispozitë të Kodit. Absolutisht nuk është një çështje teknike. Këtë e shpjegoi shumë drejt dhe zoti Topi", tha Moisiu. I pyetur nëse sheh ndonjë mundësi për amendime, që kanë të bëjnë me gjithpërfshirjen e partive parlamentare në administrimin e votës, ish-presidenti shprehet se kjo është çështje vullneti politik. "Kjo do të varet nga vullneti i dy partive kryesore, që e kanë hartuar këtë Kod. Unë mendoj se hapësira është hapur, mundësia u krijua dhe varet se si do të shfrytëzohet kjo mundësi, gjithnjë nëse është reflektuar nga miratimi i parë i Kodit. Për mua është një mangësi që i bëhet partive parlamentare, të cilat duhet të përfaqësohen në komisionet e administrimit të zgjedhjeve. Ato gjithmonë kanë qenë të përfaqësuara dhe s'ka pasur asnjë të keqe. Përderisa KQZ u bë politik dhe nuk është teknik apolitik, atëherë nuk vjen e keqja nga komisionet e vogla dhe ato të numërimit të votave", u shpreh ish-presidenti Moisiu.

Rustem Gjata: Nuk ka arsye politike, është çështje teknike

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, juristi i njohur Rustem Gjata e konsideron mospërputhjen mes nenit të Kodit Zgjedhor dhe afatit kushtetues për mbajtjen e zgjedhjeve një çështje teknike. Edhe pse nuk ishte shumë i informuar me debatin e djeshëm politik rreth kësaj çështje, për shkak të qëndrimit për disa ditë jashtë shtetit, Gjata tha për gazetën "Panorama", se këto janë çështje teknike, pasi sipas tij, afatet se kur zhvillohen zgjedhjet në Shqipëri përcaktohen mirë në Kushtetutë". "Nuk gjykoj se mund të ketë arsye politike, kjo është më shumë një çështje teknike" tha Gjata. Dje çështja e mosdekretimit të Kodit zgjedhor nga ana e Presidentit të Republikës u kthye në debatin politik të ditës. Edhe komuniteti i juristëve dhe konstitucionalistëve ishte i ndarë në dy grupime rreth këtij fakti. Edhe pse një pjesë e mirë e tyre iu shmangej përgjigjes së drejtpërdrejtë, me justifikimin e mosnjohjes mirë të draftit të Kodit të ri Zgjedhor, një pjesë e tyre ndanin mendimin se mosdekretimi kishte të bënte me çështje më shumë teknike sesa politike. Por kishte dhe prej tyre që e konsideronin këtë edhe të nxitur nga faktorë politikë. Këtë qëndrim e kanë dhënë faktorët politikë, të cilëve "u shpëtoi" gjatë diskutimit dhe miratimit në Kuvend edhe ky element teknik, i cili nuk mund të neglizhohej dhe të anashkalohej nga Presidenti i Republikës.

Zogaj: Topi krijoi mundësinë, LSI të  përfshihet në proces

Deputeti i PD-së, Preç Zogaj, i bën thirrje dy partive të mëdha që të shohin mundësinë që LSI-ja të jetë pjesë e administrimit të procesit zgjedhor. Pas rrëzimit të Kodit Zgjedhor, deputeti i PD-së rihodhi idenë e përfaqësimit të LSI-së me anëtar në Grupet e Numërimit të Votave. "Vendimi i Presidentit Topi lidhet me çështje teknike, pasi ka mospërputhje nenesh që ne kemi miratuar në Parlament. Nuk ka rënë në sy kjo kur u votua, ka një klauzolë që i jep nëntë muaj kohë Presidentit për të shpallur zgjedhjet, ndërkohë që praktikisht këto nëntë muaj nuk dalin.
Duhet bërë një ndryshim, duhet të përputhen nenet e Kodit që të mos ketë kontradikta për sa i përket afatit të zhvillimit të zgjedhjeve", deklaroi Zogaj. Për deputetin e maxhorancës, argumentimi i Presidentit për kthimin e ligjit ka dy mënyra dhe kjo varet se si do ta kuptojë PD-ja dhe PS-ja një gjë të tillë. "Ka një mënyrë leximi rresht për rresht si të thuash dhe misteret për të korrigjuar atë lloj kontradikte që lidhet mes dy neneve, siç e thashë më përpara. Dikush kërkon të lexojë midis rreshtave, jo vetëm në rreshta. Nuk e di se si do të bëhet, të shohim. Unë kam përshtypjen se Parlamenti, maxhoranca do të shohë rreshtat", deklaroi Zogaj. Për deputetin e PD-së, LSI-ja është parti me peshë dhe duhet të jetë e përfaqësuar në këtë proces zgjedhor. "LSI është partia e tretë në Shqipëri, e kam thënë edhe në Parlament. Këtu PD-ja nuk mund të rrezikojë konsensusin e PS-së, për shkak se e majta ka problemin elektoral. Me këtë sens meqenëse Kodi është kthyer për arsye teknike, edhe po të ketë vullnet, nuk ka arsye që të mos ketë vullnet që LSI të ketë numërues, por komisionet të mos preken", theksoi Zogaj. Sipas tij nuk ka ndonjë gjë të keqe, pasi e vetmja ndërhyrje që mund të rregullohet është te numëruesit e votave. "Këtë ia kam thënë edhe dy bashkëkryetarëve. Por meqenëse atë natë kishte një veti për ta mbyllur debatin e votimin brenda seancës, ekziston tani. Është hapur një mundësi që të rregullohet te neni që flet për grupet e numërimit. Pra, u krijohet mundësia edhe disa partive parlamentare me peshë, mbi bazën e kritereve që ka Kodi, për të pasur numërues në Grupet e Numërimit të Votave. Me këtë sens, meqenëse Kodi është kthyer për arsye teknike, edhe po të ketë vullnet, nuk ka arsye që të mos ketë vullnet që LSI të ketë numërues, por komisionet të mos preken", deklaroi demokrati. Sipas tij, Kodi i ri është një arritje dhe se si i tillë duhet vlerësuar, pasi nëse do të shkohej në zgjedhje me Kodin e vjetër, zgjedhjet e ardhshme parlamentare do të ishin në rrezik. Për Zogajn, procedura e zgjedhjeve të ardhshme është e monitorueshme nga të gjitha partitë politike, ku një pjesë e tyre gëzon edhe statusin e vëzhguesit.                          b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›