Trafikantët akuzojnë prokurorinë
TIRANE - Gjergji Alias Arben Çollaku, një nga 9 të arrestuarit e operacionit "Eagle", gushtin e vitit të kaluar, ka akuzuar dje prokurorinë se po i privon pa të drejtë lirinë. "Organi i akuzës personalisht më ka grabitur lirinë. Kanë abuzuar në mënyrë brutale", deklaroi Çollaku në seancën e djeshme në Gjykatën për Krimet e Rënda. Sipas tij, organi i akuzës i kishte shkelur të drejtat që i takojnë ligjërisht. "Më 4 prill të vitit 2007, ata e kanë futur numrin tim në përgjim pa procesverbal dhe rastësisht, ashtu siç e kanë pohuar edhe ata vetë", u shpreh ai. Gjithashtu Çollaku akuzoi prokurorinë për manipulime dhe lirim të personave të arrestuar nga operacioni policor. Sipas tij "edhe pse ka një mal me përgjime dhe prova, shumë persona janë shmangur duke u cilësuar 'të paidentifikuar' prej prokurorisë". Ndërsa i pandehuri Artur Fecjani deklaroi dje se nuk njihte asnjë prej të pandehurve të tjerë. "Unë fajësinë e kam pranuar dhe e pranoj prapë. Nuk e kuptoj pse jam në grup me këta. Unë jam arrestuar për hashash, këta janë për tjetër gjë" tha ai. Më pas gjykata u njoh me përgjimet telefonike të kryera nga prokuroria. Të arrestuarit e operacionit "Eagle" akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin trafikonin drogë drejt Greqisë. ar.ba