E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndahet nga e dashura, vret veten agjenti i Antidrogës

 

Dashamir Biçaku

Agjenti i Antidrogës Lorenc Muça i dha fund jetës dje në mbrëmje rreth orës 20:30. Ai qëlloi veten me armën e shërbimit, tip pistoletë, kur ndodhej në banesën e familjes së tij në lagjen "Ali Demi", në Tiranë. Nëninspektori i policisë, 27 vjeç, duket se e kishte paramenduar ngjarjen pasi, në dhomën ku kreu vetëvrasjen është gjetur edhe një letër ku ai ka sqaruar shkaqet e vetëflijimit. Megjithatë, gjendja e rënduar psikologjike duket se nuk kishte arritur ta shkëpuste oficerin nga puna dhe detyrat e përditshme në polici. Mësohet se vetëm tri ditë më parë ai ka marrë pjesë në një operacion të suksesshëm Antidrogë të zhvilluar në kryeqytet, i cili u finalizua me kapjen e 2.1 kilogramëve heroinë dhe arrestimin e pesë personave. Sipas të dhënave të hedhura në letër nga agjenti i Antidrogës, para se ai të kryente vetëvrasjen, ngjarja ka lidhje me një histori dashurie të 27-vjeçarit, e cila duket se nuk ka ecur mirë. "Dua të mos u mbetet peng kolegëve, por këtë veprim e kam bërë për shkak të dashurisë që kam pasur për Eldën, vajzën që nuk më kuptoi". Këto mësohet se kanë qenë fjalët e radhitura në letrën, që agjenti i policisë kishte vendosur pranë vetes para se të vetëvritej me një plumb të vetëm në kokë. Ai mësohet se ishte njohur dy muaj më parë me vajzën 20-vjeçare, banuese në Tiranë. Sipas hetimeve, rreth dy muaj pasi ishin njohur, agjenti i Antidrogës ka kërkuar të martohej me vajzën 20-vjeçare. Është i paqartë qëndrimi i mbajtur prej vajzës, por sipas të dhënave hetimore, komunikimi mes të dyve ishte ndërprerë përfundimisht dy ditë më parë më 2 dhjetor. Në këtë kohë agjenti i Antidrogës sapo ka përfunduar disa ditë leje, që kishte marrë dhe është kthyer në shtëpi, ku jetonte me babain e tij në katin e parë të një pallati pranë kalçetos së futbollit në lagjen "Ali Demi" në kryeqytet. Një grup hetimor i policisë së Tiranës ndodhej mbrëmë në vendin e ngjarjes për verifikimin e rrethanave, në të cilat ka vdekur nëninspektori që kishte aplikuar së fundi për të marrë titullin oficer. Sipas të dhënave të para, mësohet se ngjarja po hetohet si vetëvrasje pasi provat janë të qarta, ndërsa hetuesit kanë marrë në pyetje disa të afërm të nëninspektorit të policisë, si dhe kanë mbledhur provat e gjetura në vendin e ngjarjes përfshi armën, gëzhojën dhe letrën e lënë nga 27-vjeçari. Ditën e sotme pritet që materiali t'i referohet Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme proceduriale si dhe për klasifikimin e ngjarjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›