Inspektorati Shtetëror i Punës: “Nuk kishim informacion për firmën çmontuese në Gërdec”
ISHP: “Nuk kemi të regjistruar ndonjë subjekt privat me veprimtari çmontim municionesh”
Jonida Tashi
Inspektorati Shtetëror i Punës, që është institucioni përgjegjës për të kontrolluar kushtet e sigurisë në punë, ka deklaruar dje se nuk ka asnjë informacion zyrtar për subjektin privat që ushtronte aktivitetin e tij në kontraktim me Ministrinë e Mbrojtjes ose institucione të tjera. Gjithashtu, ky institucion ka bërë të ditur se nuk ka të regjistruar ndonjë subjekt privat, me veprimtari çmontim municionesh. Në një njoftim zyrtar për mediat, ISHP-ja ka sqaruar se bazuar në ligjin për Inspektoratin Shtetëror të Punës, ligji bazë mbi të cilin bazon punën ky Inspektorat, si dhe duke pasur parasysh që aktivitetin e çmontimit firma e kishte ngritur veprimtarinë e saj brenda një reparti ushtarak, Inspektorati i Punës nuk mund të hynte për kontroll.
Deklarata
Tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit nisin dhe reagojnë institucionet shtetërore për kompetencat e tyre. Në një njoftim për shtyp, inspektorati i punës dje ka hequr “barrën” e përgjegjësisë nga vetja duke shpjeguar se nuk kishin informacion mbi kompaninë e huaj. Por jo vetëm kaq, specialistët e këtij Inspektorati kanë shpjeguar se ligji nuk ua lejon që ata të inspektojnë një kompani që merret me çmontimin e armëve.
Sipas njoftimit për shtyp të Inspektoratit të Punës, përjashtohen nga fusha e veprimit të këtij ligji “institucionet apo veprimtaritë, ku hyrja e inspektorit të punës vë në rrezik interesin e sigurisë kombëtare” si dhe “të gjitha vendet e punës ku inspektimi për marrëdhëniet e punës, sigurinë e shëndetin në punë janë të rregulluara me ligje të veçanta. Mossiguria e kushteve të punës ka shkaktuar jo pak aksidente pune në vendin tonë. Një nga këto aksidente, që është shndërruar edhe në tragjedi, ka qenë edhe shpërthimi i një reparti me municione në Gërdec të Vorës vetëm dy ditë më parë.
Dëshmitë
Banorët e zonës që punonin në këtë repart për çmontimin e armëve kanë pohuar se punonin në kushte të vështira dhe se kjo punë ishte shumë e vështirë. Madje, vetëm pas këtij shpërthimi tragjik ata kanë ngritur zërin duke bërë të ditur se ishin të patrajnuar për punën që kryenin. Sipas të dhënave të deritanishme, shpërthimi në repartin e Gërdecit ka ndodhur pikërisht nga mungesa e kushteve të punës dhe trajnimit të punonjësve. Por ndërsa Inspektorati Shtetëror i Punës ka hequr dorë nga përgjegjësia, nuk dihet ende se kush do të jetë institucioni që do të bëjë vlerësimin kushteve të punës që kryhej në këtë repart dhe se sa ndikim kanë pasur këto kushte në këtë shpërthim tragjik që deri dje i ka marrë jetën 16 personave, ndërkohë që të tjerë rezultojnë ende të humbur.
18 Mars 2008