E Shtunë, 31 Tetor 2026

Posta Shqiptare ofron 10 mijë euro për viktimat e tragjedisë

Drejtoria e Postës Shqiptare ka ofruar dje një grant prej 10 mijë eurosh për viktimat e tragjedisë së Gërdecit. Posta Shqiptare sh.a, duke u shprehur ngushëllimet e sinqerta familjarëve të viktimave dhe banorëve të Gërdecit, si dhe duke vlerësuar situatën si mjaft tragjike për vendin, ka reaguar menjëherë për t’u ardhur në ndihmë atyre për këtë fatkeqësi të ndodhur ditën e shtunë si pasojë e shpërthimit të depove të municioneve. Punonjësit e sistemit postar kanë vendosur që të krijohet “Fondi i Solidaritetit”, nismë kjo që ata shpresojnë të ndiqet edhe nga institucionet e tjera. Duke filluar që dje, në të gjitha filialet dhe zyrat postare të Postës Shqiptare, të 2150 punonjësit kanë filluar të japin ndihmesën e tyre për familjet e pastreha dhe për nevoja të tjera sociale. Përveç kontributit financiar të punonjësve, Posta Shqiptare ka vendosur të ofrojë edhe një grant prej 10 mijë eurosh për të lënduarit e tragjedisë së Gërdecit. Gjithashtu, Posta Shqiptare do t’u vijë në ndihmë edhe qytetarëve shqiptarë që do të duan të kontribuojnë financiarisht. Për këtë, aty ku nuk ka sistem bankar, ata do të kenë në dispozicion numrat e llogarisë bankare të vendosura nga qeveria shqiptare. Për të lënduarit e tragjedisë së Gërdecit, Posta Shqiptare merr përsipër transferimin e kontributit të qytetarëve nga këto zona ku nuk ka banka, në numrat e llogarisë të Raifaiseen Bank. Më tej, Posta Shqiptare Sh.a u bën thirrje të gjitha institucioneve të tjera, shtetërore ose jo, bizneseve të ndryshme, shoqatave, individëve, që të solidarizohen me këtë nismë për të ndihmuar familjet e tragjedisë së Gërdecit, pasi, në këto çaste ato kanë nevojë për ne më shumë se kurrë.

18 Mars 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›