Shpërthimi në Gërdec, pezullohet mësimi në Gërdec, Vorë, Marikaj, Marqinet
Mësimi në zonën e Vorës do të rifillojë vetëm pasi të jetë bërë normalizimi i gjendjes. Nga inspektimi i shkollave pranë zonës së shpërthimit ka rezultuar se në disa shkolla ka pasur dëmtime kryesisht të dyerve dhe dritareve. Për këtë ministri i Arsimit, Genc Pollo, ka udhëzuar të gjithë drejtorët e shkollave dhe personelin e tyre që të angazhohen për pastrimin dhe inventarizimin e shkollave. Ministri i Arsimit, Genc Pollo dhe zëvendësministri i Arsimit, Halit Shamata, kanë shkuar një ditë pas tragjedisë në Vorë për të takuar drejtues të Pushtetit Vendor dhe zyrtarë Arsimorë të rrethit Tiranë, të cilët kishin bërë inspektimin e shkollave në zonën e shpërthimit. Sipas zyrtarëve, në disa shkolla ka pasur dëmtime, kryesisht të dyerve dhe dritareve. Ministri Pollo tha se në shkollat bazë të Gërdecit, Vorës, Marikajt dhe Marqinetit, të dëmtuara nga shpërthimi, mësimi do të pezullohet duke filluar që dje, deri në normalizimin e gjendjes. Ndërsa gjatë kësaj jave MASH-i dhe Pushteti Vendor do të fillojnë punën për riparimet e domosdoshme në shkollat e dëmtuara.
18 Mars 2008