E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza e Gjykatës së Hagës është pa themel

15/03/2005  Avokatët e Haradinajt shprehen se ish-kryeministri do të hetohet në gjendje të lirë

Fakti se asnjë nuk është indentifikuar për kryerjen e krimeve e bën akuzën pa themel

Avokatët e Kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, i kanë studiur tashmë akuzat e ngritura kundër tij dhe besojnë se ai do të lirohet nga akuzat. Michael O’Reilly, bashkërenduesi i ekipit të avokatëve të çështjes "Haradinaj", tha për Zërin e Amerikës se shpreson në marrjen e shpejtë të vendimit. Ndër avokatët e Haradinajt janë Ben Emmerson, i firmës britanike Matrix Chambers, në Londër, ku bën pjesë edhe bashkëshortja e Kryeministrit Tony Blaire, si dhe Conor Gearty, profesor i ligjit të të drejtave të njeriut në Shkollën Ekonomike të Londrës.

Zoti O’Reilly, ju keni deklaruar për shtypin se ekipi i avokatëve i ka studiuar akuzat në hollësi dhe se ka besim se Ramush Haradinaj do të lirohet nga akuzat. Përse mendoni kështu?

Përmbajtja e aktakuzës së ngritur kundër zotit Haradinaj se ai është përgjegjës për krime, që mendohet se janë kryer nga të tjerët dhe fakti që asnjë individ tjetër nuk është indentifikuar për kryerjen e këtyre krimeve, e bën aktakuzën pa themel. Krimet që përshkruhen në aktakuzë janë në shumicën e rasteve evazive, të paqarta, të pasigurta dhe të bazuara në akuza të dyfishta, së pari, se është kryer një krim dhe së dyti, se Ramush Haradinaj ka qenë indirekt përgjegjës për kryerjen e këtij krimi, janë akuza që prokuroria do ta ketë të vështirë t’i argumentojë dhe mbështesë. Prandaj, ne mendojmë se zoti Haradinaj do të lirohet nga akuzat.

Fakti që zoti Haradinaj iu dorëzua vullnetarisht Gjykatës së Hagës a e ndihmon atë vetë dhe ekipin e avokatëve të tij, apo nuk ka asnjë peshë në praktikën ligjore?

Ky fakt nuk ka asnjë peshë në aspektin ligjor të çështjes, pra, nëse zoti Haradinaj është fajtor apo i pafajshëm në raport me akuzat e ngritura kundër tij. Por dorëzimi i tij vullnetarisht duhet të konsiderohet për lirimin e tij me kusht, të cilën avokatët mbrojtës do ta kërkojnë në fazën e parë të procesit. Qëndrimi i tij dinjitoz dhe bashkëpunimi i tij i plotë me Gjykatën e Hagës janë të pashembullt dhe duhet të ndikojnë për sigurimin e lirimit të tij me kusht.

Zoti O’Reilly, Gjykata e Hagës është një institucion me prestigj ndërkombëtar, procedurat e të cilës ndiqen me vëmendje nga komuniteti ndërkombëtar. A mund të ketë ky prestigj ndonjë efekt negativ në opinionin publik për ta paragjykuar zotin Haradinaj?

Mendoj se ky nuk është ndonjë faktor me rëndësi. Natyrisht që kjo është një gjykatë ndërkombëtare e krijuar në bazë të ligjit ndërkombëtar, dhe zoti Haradinaj po bashkëpunon plotësisht me të. Po ashtu, edhe ekipi i avokatëve do ta zhvillojë mbrojtjen, duke e respektuar dhe njohur plotësisht autoritetin e këtij institucioni. Po ashtu edhe Gjykata e Hagës njeh të drejtën e ekipit mbrojtës dhe detyrimet e tij ligjore. Prestigji i Gjykatës nuk ka ndikim në asnjë formë në vetë çështjen, kjo është një gjykatë ndërkobmëtare që si gjithë të tjerat me më shumë apo me më pak prestigj, veprojnë në përputhje me ligjin.

Në qoftë se do të zhvilloheshin protesta me dhunë në Kosovë gjatë këtij gjyqi, a do ta dëmtonin ato në ndonjë formë çështjen apo strategjinë e ekipit mbrojtës?

Ato do të dëmtonin Kosovën, por jo punën e ekipit mbrojtës të zotit Haradinaj. Tani çështja ka marrë rrugë ligjore dhe do të gjykohet në përputhje me ligjet. Natyrisht që reagimet me dhunë ndaj kësaj çështjeje nuk do ta ndihmonin aspak çështjen e Kosovës. Kam besim të plotë në këtë fazë se në Kosovë nuk do të ketë ragime me dhunë. Vetë zoti Haradinaj u bëri një thirrje të fuqishme bashkatdhetarëve të tij që të ruajnë qetësinë lidhur me këtë çështje. Dhe të gjitha shenjat tregojnë se populli i Kosovës e ka pranuar në mënyrë paqësore aktakuzën e ngritur kundër tij dhe po vepron pikërisht ashtu siç i ka kërkuar zoti Haradinaj.

Zoti O’Reilly, a është zoti Haradinaj i pafajshëm deri sa t’i pranohet fajësia?

Po. Kjo parashikohet me ligj. Kjo parashikohet në ligjin ndërkombëtar dhe kjo parashikohet në statutin e kësaj gjykate.

Marrë nga Zëri i Amerikës

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›