E Diel, 1 Nëntor 2026

Haradinaj në Hagë, Qeveria në një këmbë!

15/03/2005  Kosova e këtyre ditëve

Derisa Ramush Haradinaj po përballet me aktakuzat e prokurorisë së Tribunalit të Hagës, Qeveria e Kosovës po punon “me gjysmë elani, me gjysmë fryme” apo siç thonë në Kosovë “po ec me një këmbë”.

Megjithë paralajmërimet për tensionime, situata në Kosovë vazhdon të jetë e qetë dhe pa ndonjë incident të theskuar. Në rrugët e Kosovës nuk vërehet ndonjë lëvizje shqetësuese, ndërsa dhe protestat e paralajmëruara nga shoqatat e UÇK-së për ditën e hënë, janë anuluar. Kjo duket se ka edhe një “urdhër të heshtur” që vjen nga vetë Haradinaj. Edhe pse ish-kryeministri i Kosovës fizikisht është në Hagë, ndikimi i tij në Kosovë vazhdon të jetë i madh. Në rastin konkret, ky ndikim i tij vazhdon të jetë edhe më tutje pozitiv. Pra, duket se është vetë Haradinaj dhe stafi i tij i avokatëve që kanë preferuar qetësinë në Kosovë e mbase edhe ndërprerjen e protestave. Dhe arsyeja kryesore e preferimit të kësaj “qetësie relative” është se kështu i ndihmohet vetë Ramush Haradinajt për t’u mbrojtur në liri. Por ndërsa Ramush Haradinaj po përballet me aktakuzat e prokurorisë së Tribunalit të Hagës, Qeveria e Kosovës po punon “me gjysmë elani, me gjysmë fryme” apo siç thonë në Kosovë “…me një këmbë". Në fakt, partnerët e koalicionit LDK e AAK vazhdojnë të deklarojnë se nuk ka vakuum institucional dhe se do të vazhdohet edhe më tutje koalicioni qerverisës. Por diçka konkrete në këtë drejtim ende nuk ka. Vetë AAK-ja zyrtaristh nuk e ka propozuar zyrtarisht kandidatin e vet për kryeministër Bajram Kosumin. Në fakt, ky propozim është bërë vetëm gojarisht nga vetë Ramush Haradinaj në momentin e dorëheqjes së tij. Në anën tjetër, as Presidenti Rugova nuk ka bërë ndonjë hap më tutje në këtë drejtim. Ndërsa Parlamenti i Kosovës madje ka shtyrë për një kohë të pacaktuar seancat e rregullta parlamentare. Gjithsesi, menjëherë pas dorëheqjes së Haradinajt, nga Brukseli zyrtar janë shtuar zërat se duhet të krijohet një qeveri e spektrit më të gjerë në Kosovë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›