Mimi Kodheli
15/03/2005 Prefektja e Qarkut të Tiranës, Mimi Kodheli, e cila pritet të jetë kandidate e Partisë Socialiste për kryeqytetin, është shprehur dje e gatshme të kandidojë në çdo zonë që do t'i ngarkohet nga drejtuesit e partisë. Por, thekson ajo, "preferenca ime është Tirana. Unë jam një vajzë e lindur dhe e rritur në Tiranë dhe kam punuar shumë për këtë qytet, prandaj do të më pëlqente që të vazhdoj të punoj për kryeqytetin". Këtë deklaratë ish- nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës e ka bërë gjatë festimeve të Ditës së Verës, ku së bashku me kandidatët e tjerë të kësaj partie për deputetë, kanë shoqëruar kryetarin e PS-së, Fatos Nano. Ende nuk është përcaktuar se në cilën zonë do të jetë kandidate për deputete prefektja e Tiranës por, siç thekson dhe vetë Kodheli, "do kandidoj në kryeqytet, por nuk më është përcaktuar akoma zona". Gjithsesi, burime në PS-së shprehen se zonat, në të cilat mendohet të kandidojë Kodheli mund të jetë njësia numër 8, ose në zonën e Kombinatit.