Celibashi: Sot i përgjigjem ushtarit dhe gjeneralit
15/03/2005 Kryetari i Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, ka komentuar për "Metropol" se deklaratave të lëshuara nga përfaqësuesit e opozitës dhe njërit prej anëtarëve të institucionit që ai drejton, do t'u japë përgjigje përfundimtare sot në mbledhjen e KQZ-së. Akuzave për dhënie të një kopjeje elektronike të Regjistrit Kombëtar të zgjedhësve, të datës 12.10.2003 dhe kërkesës për dorëheqje të tij nga posti si drejtues i KQZ-së, Celibashi i përgjigjet se "në mbledhjen e KQZ-së do t'u jap përgjigje ushtarit Gjata dhe gjeneralit Berisha". Disa ditë më parë, ka qenë kreu i PD-së, Sali Berisha, i cili tha se kreu i KQZ-së ka shpërndarë kopje të regjistrit të zgjedhësve nëpër njësitë bashkiake dhe komuna, në kundërshtim me rregullat e KQZ-së dhe Kodit Zgjedhor. Sot pritet një mbledhje urgjente e komisionit më të lartë zgjedhor në vend, ku do të tentohet të sqarohet e të zbardhet e vërteta. Ndërkohë, pritet të saktësohet dhe një moment ligjor sipas kodit zgjedhor për veprimin e kreut të KQZ-së, i cili i ka dhënë ministrit të Pushtetit Vendor kopjen elektronike të Regjistrit Kombëtar të zgjedhësve për vitin 2003. Sipas Celibashit, kopja që i është dhënë ministrisë është vetëm lista e zgjedhësve, e cila është në zyrën e të gjitha partive në vend. Në këtë veprim është marrë dhe konsulenca e OSBE-së, një muaj më parë. M.B