Juventus kundër Bate Borisov. Ranieri: E respektojmë Baten
Juventusi do të përballet me bjellorusët e Bate Borisov në ndeshjen e dytë të Ligës së Kampioneve në grupin H. Bardhezinjtë do të jenë në Minsk pa portierin Xhixhi Bufon, që ka qëndruar në shtëpi për arsye dëmtimi. Trajneri Klaudio Ranieri është shprehur se skuadra e tij do të arrijë të marrë 3 pikët në takimin e sotëm.
ITALI- Juventusi ka fituar vetëm 2 nga 9 ndeshjet e fundit në transfertë në Ligën e Kampioneve dhe sot në mbrëmje ndaj Bate Borisov mendohet se nuk do ta ketë shumë të vështirë për të marrë tre pikët. Bardhezinjtë u rikthyen në Ligën e Kampioneve me një fitore 1-0 ndaj Zenitit, duke iu falur magjisë së Alesandro Del Pieros. Në krahun tjetër, ekipi bjellorus humbi 2-0 ndaj Realit të Madridit në Bernabeu. “Ne e respektojmë Baten, sepse ata janë një skuadër e re dhe që kanë fituar të gjitha ndeshjet paraleleminatore. Për ta është ndeshja e parë në shtëpi dhe do të përpiqen të japin gjithçka”, tha trajneri Klaudio Ranieri. Në të vetmet përballje ndaj ekipeve italiane, Bate Borisov njeh dy humbje. Bëhet fjalë për dy ndeshjet me Milanin në Kupën UEFA, në sezonin 2001-2002, kur bjellorusët u mundën 2-0 në shtëpi dhe 4-0 në transfertë. Mungesa më e rëndësishme për Juventusin në ndeshjen e sotme do të jetë ajo e portierit Xhixhi Bufon të dëmtuar, por edhe mesfushorit Kristian Poulsen që është lënë pushim. Megjithatë, në mbrojtje do të rikthehet Nikola Legrotalje. Juventusi nuk ka shënuar shumë gola në ndeshjet e fundit, por si Ranieri, ashtu edhe kapiteni Del Piero sigurojnë se kjo nuk përbën aspak problem, pasi skuadra ka krijuar shumë raste.
(a.r/balkanweb)