E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Hullit, Arsenal pret Porton. Venger: Jo dënime për humbjen

Nga Altin Latifi
Humbja ndaj Hullit ditën e shtunë, e ka bërë disi të pasigurtë skuadrën e Arsenalit, që sot në mbrëmje do të presë në shtëpi Porton. Londinezët konsiderohen favoritë dhe trajneri Arsen Venger premtoi se nuk do të dënojë asnjë futbollist për humbjen e së shtunës. 

ANGLI- Trajneri i Arsenalit Arsen Venger premtoi se nuk do të ketë asnjë dënim për lojtarët që ishin në fushë në humbjen 2-1 ndaj Hullit ditën e shtunë, në atë që u quajt një nga surprizat më të mëdha në historinë e kampionatit anglez. Venger tha se “humbja e bëri me dhimbje koke”, por sot në mbrëmje ndaj Portos do të hedhë në fushë formacionin e parë. “Nëse një lojtar nuk luan me Porton, s’do të thotë se është dënuar, por thjeshtë po bëj rotacion. Nuk mund të luajmë çdo ndeshje me 11 futbollistë të njëjtë”, deklaroi Venger. Kapiteni Kolo Ture pranoi se skuadra ishte shumë e pasigurtë përpara ndeshjes së të shtunës. “Ishim të trembur për të luajtur në atë takim. Kur luan me skuadra si Hulli është më e vështirë se ndaj Mançesterit, sepse të gjithë presin që ti të fitosh. Madje, që nga minuta e parë, njerëzit duan të na shohin tek shënojmë gol. Por, nuk ndodh gjithnjë kështu”, tha kapiteni i Arsenalit. Në ndeshjen e parë në grupin G, Arsenali barazoi 1-1 në Kiev, ndërsa Porto fitoi 3-1 në shtëpi ndaj Fenerbahçes.

(a.r/balkanweb)



Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›