Mancester, sot ndaj Alborg. Vendasit mendojnë surprizën
Mancester Junajtid do të kërkojë sot në mbrëmje fitoren e parë në Champions League, kur të ndeshet me danezët e Alborg. Kampionët në fuqi të kontinentit, vijnë pas një barazimi zhgënjyes në ndeshjen e parë dhe trajneri Ferguson ka premtuar se do të hedhë në fushë formacionin e tij më të mirë.
DANIMARKE- Mançester Junajtid ka zhvilluar stërvitjen e fundit në Danimarkë, në kuadër të takimit që do të luhet sot në mbrëmje ndaj Alborgut. Trajneri i ekipit vendas Brus Riosh deklaroi se përballja me yjet e Mançesterit, është ndeshja më e madhe në historinë e klubit. “Barazimi që ne morëm ndaj Sëlltikut do ta bëjë Mançesterin të mendohet dy herë për forcën tonë, ndoshta ata do të jenë më të kujdesshëm kur të zbresin në fushë”, deklaroi trajneri i Alborgut. Në krahun tjetër, tekniku i Mançester Junajtid Aleks Ferguson ka kërkuar nga skuadra e tij që ta marrin shumë seriozisht takimin e sotëm në Ligën e Kampioneve.
Tekniku skocez ka kujtuar humbjen 2 viteve më parë në Danimarkë, ndaj FC Kopenhagen. “Alborgu është një klub i vogël, me një stadium pak më shumë se 10 mijë vendësh, por ne nuk duhet të biem në një kurth të tillë dhe duhet të bëjmë lojën tonë më të mirë. Dy vjet më parë bëra gabim që hodha në fushë formacionin e dytë dhe më pas bëmë një figurë të shëmtuar. Kështu që do të hedh në fushë formacionin më të mirë”, tha Ferguson. Mançesteri e nisi me një barazim zhgënjyes ndaj Vilarealit edicionin e sivjetshëm të Ligës së Kampioneve.
(a.r/balkanweb)