Kriza te Partizani, Lika nuk lejohet të largohet
Hasan Lika do të vazhdojë të jetë trajner i Partizanit edhe pse dy ditë më parë i pati kërkuar dorëheqjen presidentit të klubit. Takimi i djeshëm mes Xhanit dhe teknikut të të kuqve, ka përfunduar me një shtrëngim duarsh mes të dyve, por edhe me hedhjen e piketave për të ardhmen. Në fakt, Lika dhe presidenti Xhani janë takuar që dje paradite mes tyre dhe kanë biseduar gjatë në lidhje me problemet që po kalon skuadra. Duke nisur që nga disiplina në ekip, nga rrogat e papaguara e deri tek rezultatet e munguara deri në këtë fazë të kampionatit. Trajneri në fakt ka marrë mbështetjen pa rezerva të kreut të klubit dhe është kjo arsyeja që e ka bindur të qëndrojë. "Lika do të vazhdojë të jetë me ne deri në fund të kontratës së tij, në vitin 2010", tha në dalje presidenti i klubit Albert Xhani. "Kemi diskutuar gjatë me të dhe përveç çështjes së pankinës, kemi vendosur edhe piketat për të ardhmen", tha më tej ai. Ndërkohë, përsa i përket rrogave të prapambetura, nga takimi i djeshëm është mësuar se ato do të paguhen brenda muajit tetor.
Dyshimet
Duket e çuditshme, por arsyeja përse trajneri Hasan Lika pati kërkuar dorëheqjen ose mbështetje nga presidenti i klubit, kanë qenë dyshimet e tij në lidhje me ndonjë puç të mundshëm të lojtarëve. Në fakt, ai pati një përplasje me futbollistin kryesor të skuadrës, Elis Bakajn, i cili pasi doli nga fusha i tha në sy të të gjithëve: "Unë po të dua të heq ty si trajner!". Menjëherë pas këtij debati, fantazisti u pezullua dhe u la në tribunë në ndeshjen me Apoloninë. Por, humbja e turpshme që pësoi Partizani në sfidën e të dielës, ka krijuar dyshime se mos ajo vinte për shkak të asaj që kishte thënë Bakaj. Natyrisht që futbollisti mund t'i gjente disa shokë, qoftë edhe me ndihmën e presidentit të klubit. Trajneri Lika ka dyshuar dhe takimi i djeshëm ka shërbyer jo pak për të vërtetuar nëse kishte arsye që të ekzistonin këto dyshime apo jo. Ai është konfirmuar në krye të pankinës, kjo edhe për shkak të dyshimeve që do krijoheshin në ambientin e jashtëm.
Akuzat
Pas përfundimit të takimit me trajnerin Hasan Lika, presidenti i Partizanit Albert Xhani lëshoi sërish akuza në lidhje me rregullsinë e kampionatit. "Sado mirë që të jemi ne, sado mirë të luajmë, sërish kampionatin do ta fitojnë të tjerët", tha ai, pa përmendur emra. "Cilët janë këta të tjerë? Janë ato skuadra që kanë gjithnjë përballë kundërshtarë me nga 7-8 lojtarë, pasi të tjerët u ndëshkohen me kartona", tha Xhani. Prej kohësh presidenti i Partizanit hedh dyshime në lidhje me ekzistencën e një sistemi kundër skuadrës së tij. Në krye të këtij sistemi ai vendos Tiranën, ndonëse shpesh nuk e thotë shprehimisht me emër për të evituar reagimet e forta të kampit bardheblu.
(d.b/GazetaShqiptare/BalkanWeb)