Hungaria, Kuman thërret 2 sulmues me Shqipërinë
Trajneri i Hungarisë Ervin Kuman ka bërë të ditur dje listën me 24 futbollistë që do të luajnë në sfidat me Shqipërinë dhe Maltën, më 11 dhe 15 tetor. Tekniku holandez ka grumbulluar vetëm dy sulmues për këtë ndeshje, saktësisht Gergeli Rudolf të Debrecenit dhe Sandor Torgelle të Augsburgut, në Gjermani. Në fakt, Hungaria është një skuadër që luan shumë e mbledhur mbrapa dhe një gjë e tillë u pa shumë mirë në ndeshjen e parë të këtij edicioni, atë ndaj Danimarkës. Ndeshja që u luajt në Budapest përfundoi në barazim pa gola dhe miqtë patën vetëm një rast me anë të Bendtner. Në skuadrën e thirrur nga Kuman bien në sy edhe katër portierë, ndërsa reparti kryesor është ai i mesfushës. Aty luajnë futbollistë tepër të talentuar si Tamas Hajnal i Dortmundit, Zoltan Gera i Fulhamit, Pal Dardai i Hertës së Berlinit dhe Szabolcs Huszti i Hanovërit. Përsa i përket mbrojtjes, Hungaria ka emra që luajnë me Salcburgun, Andcerlehtin, Rodën apo Strasburgun. Thënë ndryshe, nuk është një skuadër e lehtë për t'u mundur, sado që futbolli hungarez duket në një periudhë tranzicioni prej vitesh tashmë. Ndeshja e 11 tetorit do të vendosë përballë dy trajnerë holandez, Ari Han dhe Ervin Kuman.
(d.b/BalkanWeb)