Akuza e PS-së: Berisha pret dy herë shiritin e përurimit të shkollës në Vorë
Partia Socialiste denoncoi dje përurimin nga ana e kryeministrit të shkollës 9-vjeçare të Vorës. Sipas PS-së, shkolla e Vorës është përuruar edhe një herë tjetër nga kreu i qeverisë. Nënkryetarja e Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, Elona Hasko, e akuzoi kryeministrin se po përdor nxënësit si dekor mitingu. “Disa metra më tutje shkolla e Gërdecit ka mbetur njësoj si pas shpërthimit, e rrënuar dhe dëshmitare e ngjarjes”,- tha Hasko. Ajo u shpreh se Berisha po i përdor nxënësit nga frika e braktisjes së shqiptarëve. Sipas nënkryetares së Komisionit të Edukimit në Asamblenë Kombëtare të PS-së, mësimi është pezulluar dhe nxënësit janë urdhëruar të shkojnë në mitingun që bëhet në shkollën 9-vjeçare, shkollë e cila përurohet për të dytën herë brenda 2 muajve. Ajo deklaroi se dhjetëra shkolla të tjera kanë nevojë urgjente për t’u rikonstruktuar, ndërkohë që qeveria vë vetëm disa dritare apo dyer. “Kjo është faqe e zezë e arsimit shqiptar, faqe që do të griset dhe nuk do të jetë më”, - tha Elona Hasku.
12 Maj 2009