KQZ-ja kërcënon me kallëzim penal 135 krerë të njësive vendore
Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Arben Ristani, kërcënoi me ndjekje penale kryetarët e komunave dhe të bashkive që nuk kanë depozituar në KQZ listat e zgjedhësve. Gati gjysma e krerëve të njësive vendore nuk i kanë dorëzuar listat përfundimtare të votuesve për zgjedhjet e 28 qershorit. Nga 383 njësi të qeverisjes vendore, 135 nuk i kanë paraqitur akoma listat duke shkelur ligjin dhe udhëzimin e KQZ-së. Ristani deklaroi se do të padisë 135 kryetarë komunash dhe bashkish me akuzën e shpërdorimit të detyrës. "Në zbatim të ligjit, KQZ-ja do të thërrasë një mbledhje tjetër të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të marrë masa administrative dhe për të parë mundësinë e një kallëzimi penal sepse mund të ketë dhe elemente të shpërdorimit të detyrës", - deklaroi kreu i KQZ-së, Arben Ristani. Mosdepozitimi i listës përfundimtare të zgjedhësve, sipas kryetarit të KQZ-së Arben Ristani, rrezikon tërë ecurinë e procesit. Ndërkohë, zgjedhësit, të cilët nuk do të gjejnë emrin e tyre në listat e votuesve, do të kenë mundësi që t’i drejtohen gjykatës për të pasur mundësinë për të votuar në zgjedhjet e ardhshme. Afati për t’iu drejtuar Gjykatës është minimalisht deri 6 orë përpara përfundimit të procesit zgjedhor. Ky afat është vendosur edhe për gjykatat në dhënien e vendimeve në lidhje me shqyrtimin e këtyre rasteve, kur zgjedhësit nuk gjejnë emrat në listat e afishuara. Sipas Nenit 35 të Kodit të ri Zgjedhor, në rast se zgjedhësi vëren se nuk është i regjistruar në listën përfundimtare të zgjedhësve të zonës së qendrës së votimit të vendbanimit të tij, ai ka të drejtë të paraqesë një kërkesë në gjykatën e rrethit gjyqësor përkatës deri 24 orë përpara datës së zgjedhjeve. Edhe përfaqësuesi i Partisë Demokracia Sociale kërkoi nga KQZ-ja informacione lidhur me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti. Sipas tij, përfaqësuesit politikë kanë të drejtë që të njihen me informacionet që KQZ-ja merr nga Ministria e Brendshme në lidhje me pajisjen e qytetarëve me karta identiteti.
12 Maj 2009