Akuza e Prokurorisë për hetimet, reagon policia
TIRANE - Drejtoria e Policisë së kryeqytetit reagoi dje lidhur me pretendimet e ngritura në analizën e Prokurorisë së Tiranës, sipas të cilave shërbimet e policisë nuk kanë arritur të gjejnë prova për rreth 920 dosje penale të mbyllura gjatë vitit 2008. Pas akuzave për mungesë provash nga Kryeprokurori i Tiranës, Genti Xholi, policia tha se "analiza e Prokurorisë së Tiranës, ishte një analizë normale pune, ku janë analizuar rezultatet e Prokurorisë dhe Policisë Gjyqësore, në luftë kundër kriminalitetit për vitin 2008 dhe në mënyrë të veçantë, janë përcaktuar rrugët dhe detyrat për vitin në vazhdim". Sipas policisë, "gjatë kësaj analize, nga drejtuesit e Prokurorisë së Tiranës, janë bërë vlerësime pozitive për punën e Policisë dhe në mënyrë të veçantë, për rritjen e profesionalizmit të shërbime të Policisë Gjyqësore të Policisë së Tiranës, në kryerjen e hetimeve. "Në këtë analizë, janë përcaktuar rrugët dhe drejtimet e përmirësimit të punës midis Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë. Është evidentuar fakti se, koha kur Policia dhe Prokuroria bënin përgjegjëse njëra-tjetrën mbi rezultatet e kriminalitetit, tashmë është tejkaluar", tha policia e Tiranës. t.s