Maqedoni, sot nis gara presidenciale
Masat e sigurisë janë rritur ndjeshëm në Maqedoni në të gjithë vendin, për të evituar përballjet mes etnive, si ato të zgjedhjeve lokale, për presidencialet e këtij viti. Votimi nis sot në orën 7:00 të mëngjesit. Kandidati presidencial nga partia e kryeministrit Nikola Gruevski, George Ivanov, ka udhëhequr në sondazhet e fundit, por nuk pritet të fitojë vota mjaftueshëm për të parandaluar fazën e dytë të zgjedhjeve, parashikuar për më 5 prill. Kandidati i opozitës socialiste, Ljubomir Frckoski, pritet të dalë me vota të barabarta në betejën për raundin e dytë me kandidatin shqiptar Imer Selmani. Sipas AFP, Selmani është pagëzuar si “Obama maqedonas” dhe përfaqëson 25 për qind të popullsisë, që janë shqiptarët e Maqedonisë, me synimin për ta çuar ish-republikën jugosllave drejt anëtarësimit në BE.