Denoncimi i rrallë: Burgosni prindërit, më kanë braktisur
BERAT - Një adoleshent depoziton një denoncim të rrallë në Policinë e Beratit. L. Manolaj është 16 vjeç ndërsa kërkon ndihmë pasi prindërit e tij e kanë braktisur. Ai kërkon ndjekje penale ndaj tyre me argumentin se nuk kanë plotësuar ndaj tij detyrimet ligjore. Pas divorcit të prindërve të tij, Manolaj është ndeshur me një jetë të vështirë. Babai i tij, i cili ka detyrime të sanksionuara edhe me vendim gjykate, është larguar në shtetin helen. Gjykata ka vendosur që babai, Kosta Manolaj, të ketë detyrime financiare karshi të birit gjimnazist. Por detyrimi prej 19 mijë lekë të vjetra nuk është përmbushur, duke e lënë atë pa asnjë të ardhur. Deri këtu, situata do të kishte qenë disi më e lehtë, nëse 16-vjeçari do të kishte gjetur mbështetjen e nënës së tij. Por edhe kjo e fundit vendosi ta braktisë të birin pasi u rimartua dy muaj. Ajo e mori bashkëshortin e saj të ri në shtëpinë e saj, në lagjen Uznovë. Mësohet se një pjesë e shtëpisë është e ish-bashkëshortit të saj, Kosta Manolaj. Ky i fundit i vuri drynin shtëpisë së tij dhe u largua si emigrant ekonomik në shtetin fqinj. Tashmë djali ka mbetur pa asnjë mbështetje. Njerku i tij nuk pranon ta mbajë, e madje nuk i premton as strehën në shtëpinë ku ai bëri 16 vjet. Në këto kushte, djali la edhe shkollën. Sipas burimeve të policisë, djali ka kërkuar ndihmë pasi ai prej dy muajsh nuk ka një strehë dhe as mundësi financiare për të jetuar. Duke u ndodhur në këto kushte, pa bukë, pa veshje e strehë, pasi është endur prej ditësh qytetit, Manolaj vendosi të denonconte të dy prindërit e tij për braktisjen. Policia e Beratit bëri të ditur se ka nisur procedimin penal për babain e 16-vjeçarit, Kosta Manolaj, i cili jo vetëm që nuk paguante detyrimet ndaj tij, por e ka lënë dhe pa shtëpi, rrugëve. Ai akuzohet për "mosdhënie të mjeteve të jetesës". Tashmë blutë po shohin mundësinë e gjetjes së ndonjë shoqate të paktën për strehimin provizor të 16-vjeçarit. d.xh