E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kermabo: Do të shqyrtoj propozimet e Beogradit

 

Shefi i misionit evropian në Kosovë, EULEX, Iv De Kermabo, ka deklaruar se për suksesin e misionit që drejton ai, është i domosdoshëm edhe bashkëpunimi me qeverinë e Serbisë. Kermabo do të vizitojë Beogradin për të diskutuar mbi pranimin e misionit të tij edhe nga Serbia. Kermabo citohet të ketë thënë për agjencinë serbe të lajmeve, B92, se në kërkim të zgjidhjeve pragmatike është i gatshëm të shqyrtojë të gjitha propozimet, përfshirë edhe atë që ka dëgjuar në Beograd, që në veri të Kosovës të zbatohen ligjet që zbatohen në Serbi. Kermabo zhvilloi këto ditë vizitën e parë në Beograd, si shef i EULEKS-it. Ndërkohë partia kosovare, ORA ka kërkuar që të parandalohet shitja e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore kosovare në Serbi. “Qeveria e Kosovës duhet të marrë masa urgjente për të parandaluar shitjen e aseteve të ndërmarrjeve shoqërore të Kosovës në Serbi, dukuri kjo që po ndodh me shumë ndërmarrje”, tha dje kryetarja e Partisë ORA, Teuta Sahatcia.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›