Të arrestuarit për trafik kapen me telefona në burg
Armand Bajrami
Një kontroll i befasishëm në qelitë e burgut 313 në Tiranë zbuloi dje dy telefona celularë që mbaheshin nga të arrestuarit në kundërshtim me ligjin. Kontrollit fizik policor i janë nënshtruar të gjitha qelitë e burgut 313, përfshi ato të paraburgimit. Lajmi konfirmohet nga vetë drejtuesi i këtij burgu, Shkëlqim Kalemi. Sipas kreut të këtij institucioni, nga kontrolli i kryer dje në burgun 313 janë gjetur dy aparate telefonike, të cilat ishin futur ilegalisht aty. Ndërsa nuk u bë e ditur se si kishin mundur aparatet telefonike të penetronin prapa hekurave të qelive. Zyrtari i burgut 313 tha megjithatë se policia është duke hetuar në këtë drejtim.
KONTROLLI
Forca të shumta policore të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve kanë mbërritur në orët e paradites së djeshme në ambientet e burgut 313. Menjëherë policia ka bërë "bastisjen" e çdo qelie duke kontrolluar imtësisht ç'do skutë dhe vend ku mund të fshiheshin sende të palejuara. Kontrolli ka ardhur pas një urdhri të Shkëlqim Kalemit, drejtuesit të këtij burgu, i emëruar në këtë detyrë pak kohë më parë. Sipas tij kontrolli i djeshëm ka qenë një kontroll i përgjithshëm për të evidentuar gjendjen aktuale të institucionit. "Ishte një kontroll gjeneral i urdhëruar nga unë. Ngaqë kam pak ditë që kam marrë detyrën, doja të dija gjendjen në të cilën ndodhet burgu", ka pohuar Kalemi për "Panorama"-n. Drejtuesi i burgut nuk sqaroi nëse përveç telefonave celularë ishin gjetur të tjera sende të paligjshme në qelitë e të dënuarve. Sipas tij, ai ende nuk kishte informacion të hollësishëm, pasi ende në zyrën e tij nuk kishte mbërritur një raport i detajuar i kontrollit. Nga burime jozyrtare bëhet e ditur se njëri prej aparateve telefonikë është gjetur në një qeli të disa personave të dënuar për veprën e "dhënies ndihmë të paligjshme të kufirit". Ndërsa aparati tjetër celular është gjetur në një qeli paraburgimi, ku qëndronin dy persona të arrestuar javët e fundit për akuzën e "trafikut të lëndëve narkotike".
"VIPAT"
"Krëhëri" policor ka përshkuar dje në çdo qeli të 313-së, përfshirë edhe ato të personazheve "VIP". Në dhomat e paraburgimit të këtij burgu qëndrojnë që prej arrestimit të tyre të akuzuarit si anëtarë të "bandës së Durrësit" apo edhe ata të "bandës së Lushnjës". Bëhet e ditur se nga kontrolli në dhomën e të paraburgosurve nuk ka rezultuar që ata të kishin sende të jashtëligjshme në qelitë e tyre.