Akuza e re, sërish “Arrest me burg”për Delijorgjin, Pinarin dhe Minxhollin
Tre të akuzuarit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli, do të vazhdojnë të qëndrojnë në qeli deri në përfundimin e hetimeve të organit të akuzës. Kjo, pas vendimit të djeshëm të Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për tre të pandehurit, këtë radhë për veprën e “Vrasjes në rrethana cilësuese në dëm të më shumë se dy personave”. Nëse prokuroria nuk do të kishte shtuar këtë akuzë, atëherë Delijorgji me të pandehurit e tjerë do të lirohej nga ambientet e paraburgimit, pasi afati i paraburgimit për akuzën e mosrespektimit të rregullave teknike të lëndëve plasëse përfundoi dy javë më parë. Caktimi i masës së sigurisë për akuzën e vrasjes u krye nga gjykata e kryeqytetit, pasi një javë më parë, Gjykata e Lartë vendosi të mos e merrte në shqyrtim kërkesën e organit të akuzës, duke shpallur moskompetencë.
Masa
Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka pranuar dje kërkesën e Prokurorisë së Përgjithshme për shtyrjen e afatit të paraburgimit për tre të akuzuarit kryesorë të tragjedisë së Gërdecit, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe Dritan Minxholli. Kështu, kjo gjykatë ka caktuar sërish masën e sigurisë “Arrest me burg” për tre të pandehurit, por këtë radhë jo për akuzën e “Mosrespektimit të rregullave teknike të lëndëve plasëse”, por për veprën penale të “Vrasjes në rrethana cilësuese të më shumë se dy personave”, akuzë e cila u shtua vetëm pak kohë më parë nga organi i akuzës. Nëse prokuroria nuk do të kishte shtuar këtë akuzë ndaj Delijorgjit dhe të pandehurve të tjerë, këta të fundit tashmë do të kishin lënë qelinë, pasi iu ka përfunduar afati i paraburgimit për veprën për të cilën akuzoheshin deri më tani, atë të mosrespektimit të rregullave teknike të lëndëve plasëse. Tashmë, vendimi i djeshëm i gjykatës së kryeqytetit i jep më shumë kohë organit të akuzës të mbledhë të gjitha provat e mundshme në ngarkim të të akuzuarve kryesorë për shpërthimin e 15 marsit në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona, si dhe u plagosën më shumë se 300 të tjerë. Sakaq, vetëm një javë më parë, pas kërkesës së Prokurorisë së Përgjithshme ndaj Gjykatës së Lartë, për caktimin e masës së sigurisë ndaj tre të pandehurve, kjo e fundit kishte shpallur moskompetencë, duke vendosur që duhet të jetë Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ajo që duhej të caktonte masën e sigurisë ndaj Delijorgjit, Pinarit dhe Minxhollit. Vetë pronari i shoqërisë “AlbaDemil”, e cila kontrollonte punishten e demontimit të municioneve në Gërdec, Mihal Delijorgji, nuk ka qenë prezent në caktimin e masës së re të sigurisë, ashtu siç mungonte edhe ish-kreu i shoqërisë shtetërore të tregtimit të municioneve “MEICO”, Ylli Pinari, si dhe shefi i sigurisë së punishtes, Artan Minxholli. Tre të akuzuarit për shpërthimin e Gërdecit, nëse do të shpallen fajtorë për akuzat që rëndojnë ndaj tyre, rrezikojnë burgim të përjetshëm. Dy drejtuesit e firmës “AlbaDemil”, që administronin fabrikën e demontimit të municioneve luftarake në Gërdec, Mihal Delijorgji dhe Dritan Minxholli, së bashku me Ylli Pinarin, ish-drejtorin e kompanisë shtetërore “MEICO”, u arrestuan pak ditë pas shpërthimit të fuqishëm më 15 mars në këtë fabrikë, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën shumë të tjerë.
Si u lirua Delijorgji nga akuzat në 2005
Mihal Delijorgji, ortaku i vetëm i kompanisë së skrapit “Përparimi”, u arrestua në prill të vitit 2004, nën akuzën e evazionit fiskal, ndërsa më 5 maj të atij viti ai u lirua kundrejt garancisë pasurore prej një milionë USD. Në seancën e gjykimit të 15 korrikut 2005, gjykata e Durrësit rrëzon kërkesën e avokatit mbrojtës të Delijorgjit, për zëvendësimin e masës së sigurisë, nga “garanci pasurore” në “detyrim paraqitjeje”. Por, atë që nuk e lejoi Gjykata e Shkallës së Parë, e bëri Apeli. Kjo gjykatë, me vendim të datës 2 shtator 2005, ndryshoi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë dhe pranoi kërkesën e mbrojtjes së Delijorgjit, për zëvendësimin e masës së sigurisë. Më pas, Gjykata e Shkallës së Parë Durrës, pasi e gjeti fajtor Delijorgjin për kryerjen e dy veprave penale, e dënoi me 100 milionë lekë të vjetra gjobë, ndërsa pranoi padinë civile të Drejtorisë së Doganës së Durrësit, për dëmshpërblimin nga Delijorgji të një shume prej 122.668.851 lekësh të reja. Kjo, si pasojë e dëmit që kishte shkaktuar nëpërmjet kontrabandës dhe falsifikimit të formularëve doganorë gjatë kalimit të skrapit. Pas kësaj, Delijorgji dhe mbrojtësit e tij e ankimuan këtë vendim në Apel, duke pretenduar pafajësinë. Kur çështja mbërriti në Gjykatën e Apelit të Durrësit, të gjithë gjyqtarët e këtij institucioni hoqën dorë nga gjykimi, duke pretenduar se kishin gjykuar më parë vendime të shkallës së parë. E ndodhur në këtë situatë, KLD u detyrua të delegonte nga Tirana tre gjyqtarë të Apelit Ushtarak, Shaqir Gradica, Ylli Minko dhe Naum Pejo. Këta, pasi shqyrtuan çështjen në ngarkim të Delijorgjit, vendosën të pushonin gjykimin, me argumentet se nuk ekzistonte vepra penale, ndërsa për pasojë rrëzuan edhe padinë civile të Doganave në ngarkim të Delijorgjit, duke e nxjerrë të pafajshëm atë.