E Diel, 1 Nëntor 2026

Mediu: Në dhamë shembullin se si kthehet besimi te dominimi i ligjit

Nga Armand Maho

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu, ka udhëtuar dje drejt Shkodrës për të zhvilluar një takim me anëtarët e Asamblesë të këtij qarku për partinë e tij. Megjithëse i akuzuari kryesor për ngjarjen ku u vranë 26 persona dhe i etiketuar nga opinioni si shkelësi i parë i ligjit në trafikun e armëve dhe demontimin e municioneve në Gërdec, gjatë kohës kur ishte ministër i Mbrojtjes, Mediu ka gjetur kohën për të folur rreth besimit në dominimin e ligjit të qeverisë, ku ai ishte ministër për tre vjet rresht. Madje, Mediu u shpreh se republikanët kanë pasur meritën dhe pjesën e këtij suksesi “Ne, republikanët, kemi shumë për të thënë, sepse kemi qenë dhe jemi pjesë e këtij suksesi, meritë të cilën nuk e kërkojmë si stoli politike apo koniunkturë, por si një vlerë tonën”, - tha Mediu. Më tej Mediu ka folur në lidhje me organizimin e degëve në funksion të zgjedhjeve të vitit 2009, ku ka porositur anëtarët e qarkut Shkodër të propozojnë kandidatura që kanë reputacion nga të gjitha grupet e interesit.

Fatmir Mediu vazhdon të jetë kryetar i Partisë Republikane, megjithëse mbi të rëndojnë akuzat e ngritura nga prokuroria për korrupsion aktiv gjatë kohës kur ishte ministër i Mbrojtjes. Dalja e tij në takime të këtij lloji është e para që pas ngjarjes së Gërdecit, dhe duket se pas mbrojtjes që po i bën politika në përgjithësi Mediut për këtë çështje, po vihet re dhe një lloj apatie nga ana e prokurorisë për të vërtetuar akuzat e ngritura në ditët e para të ngjarjes, si dhe për t’i dhënë vendin që i takon gjithsecilit në këtë histori. Gjithsesi, të dy këta faktorë, pra mbrojtja e politikës, por dhe ngadalësia në veprime nga e prokurorisë, duket se kanë kthyer disi qetësinë te kreu republikan, i cili dje ka gjetur kohën të shesë leksione për zbatimin e ligjin në qytetin e Shkodrës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›