E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ambasadori britanik: Rregullat e tregut, të paqarta

Nga Fitim Zekthi

Tregu shqiptar i pasurive të paluajtshme është i pasigurt dhe regjistrimi i pronave ka njohur mjaft raste korrupsioni, çka ka bërë që investitorët e huaj të mos kenë besim të investojnë këtu. Ambasadori i Britanisë së madhe, Wilson, tha dje në një seminar për regjistrimin e pronave, se një përgjigje për faktin se pse investitorët britanikë nuk vijnë të investojnë në vend, është se ata nuk duan të rrezikojnë paratë e tyre në një vend ku rregullat dhe tregu nuk janë të qarta. Ambasadori britanik tha se në Shqipëri zbatimi i ligjit është një problem i madh, pavarësisht faktit se janë miratuar ligje të mira. Ambasadori tha se euforia për miratimin e marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit u shoqërua me besimin sikur ajo implementua. Në fakt, tha ambasadori, nënshkrimi dhe implementimi janë dy gjëra të ndryshme. Ambasadori çmoi punën e bërë nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive, duke e cilësuar atë si premtuese, duke thënë se rastet e korrupsionit në këtë fushë kishin qenë të shumta. Qytetarët janë të paqartë në lidhje me afatet e regjistrimit, procesin vetë dhe dokumentet që duhet të paraqiten.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›