E Diel, 1 Nëntor 2026

Akuza, ekzaminim psikik "pedofilit" gjirokastrit

04/06/2005  Dëshmia e Duros: "Po të doja i vrisja policët, kisha tetë karikatorë me fishekë"

TIRANË – Është dërguar në burg pa afat dje në mesditë 60-vjeçari, Kujtim Duro, nga Gjirokastra, i cili akuzohet se ka kryer marrëdhënie me një djalë 16-vjeçar, dhe ka mbajtur peng e ka kundërshtuar me armë punonjësit e policisë. Është i divorcuar prej 15 vjetësh. Ka pohuar se ka një vajzë, të cilën nuk e di se ku ndodhet. Ka bërë jetë të çrregullt. Jetonte i vetëm në një banesë private në lagjen "Palorto". Ka pohuar para gjykatës se në Gjirokastër e kanë të gjithë inat, prandaj dhe e akuzojnë. Nuk e beson që djali 16-vjeçar të ketë pohuar se ka kryer marrëdhënie me të. Ka qenë tri herë i dënuar më parë për keqtrajtim të bashkëshortes. Por pas viteve '90 është rehabilituar. Ndërkohë, organi i Prokurorisë, pasi ka parë të gjitha provat në dosje dhe mënyrën e reagimit të shtetasit Kujtim Duro, ka marrë vendim të kryej aktin e ekspertizës mjeko–ligjore, për të përcaktuar nëse është i përgjegjshëm para ligjit. Vendimi për të qëndruar në burg është dhënë nga gjyqtarja Flora Hajredinaj, ndërkohë që akuza u përfaqësua nga prokurori Julin Papa. Vetë i pandehuri nuk ka patur avokat të caktuar nga familja. Ai është mjaftuar të mbrohet nga avokatja Vjollca Pustina, e caktuar kryesisht nga Gjykata e Krimve të Rënda.

Dëshmia

"Nuk e pranoj veprën penale të kryerjes së marrëdhënieve me një djalë 16 vjeç. Unë e kam njohur, por jo se kam bërë gjë me të. Pranoj se e kam njohur në fund të prillit të këtij viti. Isha në varreza te varri i nënës sime. Aty 16-vjeçari nga Përmeti ishte me një shok dhe më kërkoi ta ndihmoja. Unë pranova. Biseduam për pak kohë dhe më pas u ndamë. Që nga fundi i prillit e kam takuar në datën 30 maj, kur më erdhi në shtëpi. Unë e mbajta një natë në shtëpi, por jo se e mora peng. Më kërkoi dhomë me qira, se kam tre të tilla që kur jam ndarë me gruan para 15 vjetësh. Nuk pranova t'i jepja dhoma me qira, se e pashë që ai drogohej. Këtë ma ka deklaruar edhe vetë djali. Kam fjetur me të një natë, por jo se kam bërë ndonjë gjë. Për mua ka shpifur babai i djalit. Ata më kanë inat. Edhe policia e Gjirokastrës më ka inat, sepse unë kam disa gjyqe për prona. Pra, unë jam i pasur. Ky ka qenë edhe qëllimi që unë nuk iu dorëzova policisë së Gjirokastrës, por pranova ta bëja këtë gjë, pasi erdhi policia e Tiranës. Drejt policisë kam qëlluar, por jo me qëllimin për t'i vrarë. Po të doja t'i vrisja, mund ta bëja shumë mirë, sepse unë kam patur tetë karikatorë me fishekë. Kam qëlluar vetëm për t'i trembur. Ndërsa zjarrin shtëpisë nuk e di se kush ia ka vënë. Atë mund ta ketë bërë policia".

Ngjarja sipas prokurorisë

Prokurori Julin Papa tha dje në gjykatë se i pandehuri Kujtim Duro, natën e 30 majit, i ka bërë rezistencë me armë policisë. Për Duron ishte bërë një kallëzim penal nga babai i një djali 16 vjeç, nga Përmeti. Babai i djalit pretendonte se Duro i kishte rrëmbyer djalin dhe e mbante të mbyllur në shtëpi. Policia pas këtij kallëzimi shkon të bëjë ekzekutimin. Por është gjendur përpara kërcënimit me armë. Në këto kushte, sipas prokurorit, është dashur ndërhyrja e policisë të ardhur nga Tirana, për të bërë arrestimin e të pandehurit Kujtim Duro. Ndërkohë në dosje penale, sipas avokates mbrojtëse, ndodhet edhe dëshmia e djalit 16 vjeç, nxënës në shkollën e mesme Gjirokastër, i cili nuk pranon të jetë shfrytëzuar nga i pandehuri, por ka shkuar me të me dëshirë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›