Akuza "harron" Hamdi Haklajn
• Prokuroria "harron" Hamdi Haklajn dhe braktis procesin gjyqësor në ngarkim të tij. Interpol Tirana e ka renditur 70-vjeçarin në listën e dhjetë personave më të kërkuar nga drejtësia shqiptare, mirëpo Prokuroria ka kohë që nuk merr pjesë në gjyq duke mos kryer kështu funksionin kushtetues të përfaqësimit të akuzës në gjykatë. Prej datës 2 dhjetor 2005 deri ditën e djeshme, seancat gjyqësore në ngarkim të Hamdi Haklajt janë shtyrë njëra pas tjetrës. Në fakt në dhjetor të vitit 2005 Gjykata e Tiranës pezulloi procesin për mosparaqitje të dëshmitarëve të akuzës. Gjyqi ishte i pezulluar deri më 12 janar 2006 kur gjykata vendosi të kalonte përsëri në shqyrtimin gjyqësor të çështjes. Mirëpo në këtë kohë ndodhi edhe dorëheqja e prokurorit që kishte mbrojtur akuzën më parë. Prokuroria caktoi një tjetër prokuror për të mbrojtur akuzat e vrasjes në rrethana të tjera cilësuese dhe armëmbajtjes pa leje ndaj Hamdi Haklajt. Mirëpo siç rezulton edhe nga grafiku zyrtar i Gjykatës së Tiranës, pjesa dërrmuese e seancave janë shtyrë për mosparaqitje të prokurorit. Nga maji i vitit 2007 deri ditën e djeshme kur u shty seanca e radhës, pjesa më e madhe e gjyqeve janë shtyrë për mungesë të prokurorit, ndërsa në disa raste kanë munguar edhe avokatët apo dëshmitarët çka ka detyruar gjykatën të vendosë që seancat të mos zhvillohen. Zvarritja e proceseve gjyqësore është një nga fenomenet e cilësuara kritike nga raportet ndërkombëtare lidhur me drejtësinë penale në Shqipëri. Zvarritja gati 3-vjeçare e procesit penal ndaj Hamdi Haklajt ka ndodhur në Gjykatën e Tiranës, edhe pse në katin e parë të saj është vendosur prej kohësh tabela me mbishkrimin "drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar". Sipas burimeve nga Prokuroria, një pjesë e seancave të shtyra të këtij procesi, në fakt kanë ndodhur atëherë kur prokurori i mëparshëm i dosjes dha dorëheqjen dhe institucioni i hetimit ishte duke studiuar për caktimin e prokurorit të ri që do të mbronte akuzën në gjykatë. Ndërkaq sipas grafikut të procesit në Gjykatën e Tiranës edhe pas emërimit të prokurorit të ri fenomeni i zvarritjes së procesit gjyqësor ka vazhduar në shumicën e rasteve për mosparaqitje në gjyq të përfaqësuesit të akuzës. Sipas burimeve zyrtare nga Prokuroria, Milan Laskaj është prokurori të cilit i është ngarkuar mbrojtja e akuzës në gjykatë për procedimin penal me të pandehur Hamdi Haklajn. Sipas burimeve zyrtare të policisë, djali i madh i Muharrem Haklajt, akuzohet për një vrasje të dyfishtë të ndodhur më 10 qershor 2004 në Qafën e Rumikut në Tropojë. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë Ramë Hoxha dhe Fatmira Hoxha, ndërkohë shpëtuan të afërmit e tyre Rexhep Hoxha, Valmira Hoxha, Servete Hoxha, Zenel Hoxha, Nafie Hoxha dhe Adem Sadiku. f.mHaklaj, azil politik dhe liri në SuediTIRANE - Hamdi Haklaj i arrestuar më 13 mars 2007 në Suedi është lënë i lirë pak ditë më parë nga autoritetet gjyqësore të këtij vendi. Argumenti për lirimin e Hamdi Haklajt ka qenë se procesi gjyqësor ndaj tij në Tiranë ishte politik. Sipas vendimit, të arrestuarit nuk i garantohej një proces i rregullt gjyqësor në vendlindjen e tij nës rast se ai do të ekstradohej. Për këtë shkak autoritetet suedeze, pasi kanë vendosur lirimin e Hamdi Haklajt nga paraburgimi i kanë dhënë atij statusin e azilantit politik. Një kërkesë e tillë ishte bërë nga avokatët e të arrestuarit, të cilët kundërshtuan kërkesën e Shqipërisë për ekstradimin e 70-vjeçarit në vendlindje. Hamdi Haklaj u arrestua në Suedi vitin e kaluar pas një ndjekje më tepër se 2-mujore nga agjentët e Interpolit të dy vendeve. 51 seancagjyqësore në ngarkim të Hamdi Haklajt janë shtyrë kryesisht për mosparaqitje të prokurorit, avokatit dhe dëshmitarëve, kryesisht të akuzës