SHBA mbyll misionin, njeh Kosovën
• SHBA, kryen edhe aktin final të misionit të tyre. Dje, Bush, pranoi kërkesën e Prishtinës për njohjen e pavarësisë, duke e renditur SHBA-në, të parën në listën e vendeve që e njohën dje shtetin më të ri.Deklarata u dha nga Sekretarja amerikane e Shtetit, Kondoliza Rajs, pas marrjes së miratimit nga Presidenti Bush për kërkesën e autoriteteve kosovare për krijimin e marrëdhënieve diplomatike me këtë vend. Fill pas nënshkrimit të pavarësisë, Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi u dërguan telegrame zyrtare për njohje 192 shteteve të Kombeve të Bashkuara, përfshirë edhe Serbinë. SHBA dhe vendet e mëdha të BE-së ishin të parat që u zotuan për njohjen zyrtare të saj, por SHBA dërgoi e para mesazhin shkruar për liderët. “Shtetet e Bashkuara kanë njohur sot zyrtarisht Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur”, deklaroi Rajs. Ndërsa Presidenti amerikan, Xhorxh W. Bush e ritheksoi mbështetjen e tij për pavarësinë e Kosovës nga Tanzania, ku ai ndodhej në atë moment. “Kosovarët janë tani të pavarur”, tha Bush. Në deklaratë, Rajs theksoi se Presidenti Bush iu përgjigj pozitivisht kërkesës së Kosovës për të vendosur marrëdhënie diplomatike mes dy vendeve. Por SHBA e ka vlerësuar qartë në deklaratën e saj se njohja e Kosovës nuk ka asnjë të ngjarë me rajonet e tjera separatiste në botë. Sipas amerikanëve, vendosja e marrëdhënieve me Kosovën do të konsolidojë lidhjet e veçanta të miqësisë mes popujve të SHBA-ve dhe Kosovës. Që pas ndërhyrjes së NATO-s nëntë vjet më parë iu dha fund sulmeve brutale ndaj popullatës shqiptare të Kosovës. Ndërhyrja në kohën e duhur i dha fund dhunës dhe i pezulloi Beogradit të drejtën për të qeverisur Kosovën. Që atëherë Kosova ngriti institucionet e saj demokratike janë kontrollit të Serbisë. Vitin e kaluar i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari, hartoi një plan për ndërtimin e një Kosove demokratike dhe shumetnike dhe rekomandoi që Kosova të jetë e pavarur, një pavarësi e mbikëqyrur për një farë periudhe nga komuniteti ndërkombëtar. “Kombinimi i pazakontë i faktorëve në realitetin e Kosovës, përfshirë edhe shpërbërjen e ish-Jugosllavisë, historinë e spastrimeve etnike dhe krimeve kundër civilëve në Kosovë, si dhe periudha e zgjatur e administrimit të OKB-së, nuk gjenden tjetërkund dhe prandaj e bëjnë Kosovën një rast unik. Kosova nuk mund të shihet si një rast pararendës për asnjë situatë tjetër në botë sot. Ndërkohë që Kosova fillon sot jetën e saj si një shtet i pavarur, Shtetet e Bashkuara zotohen të vazhdojnë të jenë miku dhe partneri i saj i ngushtë”.Deklarata e njohjes nga SHBASHBA sot ka njohur zyrtarisht Kosovën si një shtet sovran dhe i pavarur. Ne përgëzojmë popullin e Kosovës për këtë moment historik. Presidenti Bush i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së Kosovës për të vendosur marrëdhënie diplomatike midis dy vendeve tona. Vendosja e këtyre marrëdhënieve do të riafirmojë lidhjet speciale të miqësisë që kanë bashkuar popullin amerikan dhe atë të Kosovës. Nëntë vite më parë, komuniteti ndërkombëtar i drejtuar nga NATO, vendosi t’u japë fund sulmeve brutale kundër popullit shqiptar të Kosovës. Kjo ndërhyrje ndërkombëtare në kohë, i dha fund dhunës, e drejtuar nga vendimi i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të ndërprerë qeverisjen e Beogradit dhe për ta vendosur Kosovën nën administrimin e brendshëm të OKB-së. Që në atë kohë, Kosova ka ndërtuar institucionet e veta demokratike e ndarë nga kontrolli i Beogradit. Vitin e kaluar, i dërguari special i Kombeve të Bashkuara, Marti Ahtisari formoi një plan për të ndërtuar një Kosovë demokratike dhe shumetnike dhe rekomandoi pavarësinë e Kosovës, subjekt i një periudhe të mbikëqyrjes ndërkombëtare. Duke parë konfliktet e viteve ‘90, pavarësia është opsioni i vetëm i mundshëm për të siguruar paqe dhe stabilitet në rajon. SHBA mbështet Planin Ahtisari dhe do të vazhdojë të punojë me partnerët ndërkombëtarë për të ndihmuar në zbatimin e tij.Ne mirëpresim premtimin e Kosovës bërë në deklaratën e pavarësisë për zbatimin e Planit të Ahtisarit, për të përqafuar shumetnicitetin si princip bazë i një qeverisjeje të mirë dhe për të mirëpritur një periudhë nën mbikëqyrjen ndërkombëtare.Kombinimi i pazakontë i faktorëve të gjetur në situatën e Kosovës, përfshirë kontekstin e shpërbërjes së Jugosllavisë, historinë e pastrimit etnik dhe krimeve kundër civilëve në Kosovë, dhe periudhën e zgjatur të administrimit të OKB-së, nuk gjenden në asnjë vend tjetër dhe kjo e bën Kosovën një rast special. Kosova nuk mund të shihet si precedent për situata të tjera në botë sot.SHBA shfrytëzon mundësinë për të riafirmuar miqësinë me Kosovën, një aleat gjatë dy luftërave botërore. Ne ftojmë liderët serbë të punojnë së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë për të përmbushur qëllimet e përbashkëta, si mbrojtje e të drejtave, sigurisë, kulturës dhe bashkëjetesën e komunitetit serb në Kosovë. Ndërsa Kosova sot nis jetën e saj si një shtet i pavarur, SHBA i kërkon të vazhdojë të jetë mikja dhe partnerja e saj e ngushtë.Hilari Klinton e ObamaNë mes të fushatës presidenciale në Shtetet e Bashkuara, kandidatja demokrate Hilari Klinton deklaroi për pavarësinë e Kosovës se, shpallja e pavarësisë është “historike”. “I inkurajoj miqtë dhe aleatët tanë në gjithë botën që së bashku me Shtetet e Bashkuara dhe vendet e Bashkimit Evropian të njohin pavarësinë e Kosovës menjëherë”, shprehet Klinton. Ajo shton në deklaratën e saj se ky është një hap që do t’i japë mundësi popullit të Kosovës që më në fund të jetojë në shtetin e vet demokratik dhe do t’i lejojë Kosovës dhe Serbisë që më në fund të lënë pas një kapitull të vështirë të historisë së tyre dhe të ecin përpara. Ka ardhur koha, tha ajo që të përqendrohemi tek e ardhmja dhe tek sfidat e ndërtimit të një Kosove të pavarur dhe të mbështesim një Serbi demokratike në një Evropë të integruar”, tha Klinton.Kontakti me rusëtSekretarja amerikane e Shtetit i ka telefonuar ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov posaçërisht për Kosovën. Rajs ka sqaruar se Kosova është rast unik dhe nuk ka gjasa të kopjohet nga rajone të tjera, por Lavrov ritheksoi se vendimi për njohjen e pavarësisë është shkelje e ligjeve ndërkombëtare. Rajs do të takohet përsëri me Lavrov në Berlin për të diskutuar këtë çështje në Samitin Ndërkombëtar të Ekonomisë.Duma Ruse: Tani do njohim edhe ne pavarësinë e separatistëve“Pavarësia e Kosovës krijon të gjitha kushtet për t’i nxitur Rusisë të përshtatë një format të ri me marrëdhëniet e vendeve të vetëshpallura të pavarura”. Kjo ishte deklarata e dy dhomave të Parlamentit rus. “Njohja e statusit pavarësi për Kosovën do të krijojë të gjitha kushtet për ndërtimin e një formati të ri për marrëdhëniet e Rusisë me shtetet e vetëdeklaruara të pavarura në zonat e interesave natyrale të Rusisë, së pari në hapësirën post sovjetike”, thuhet në deklaratën e përbashkët, nënshkruar nga dy krerët e dhomës së ulët dhe të lartë ruse, Sergei Mironov dhe Boris Gryzlov. Situata në Kosovë është kthyer në një precedent ndërkombëtar, citohet më tej në deklaratën e Dumës shtetërore, dhoma e ulët e Parlamentit dhe Këshillit të Federatës, Dhoma e lartë. Kështu Rusia do të shikojë konfliktet aktuale territoriale duke u bazuar në skenarin e zgjidhjes së Kosovës dhe nga përgjigjet e shteteve që kanë korresponduar me statusin e Kosovës”, shtohet në deklaratë. Rusia ka kërcënuar disa herë me njohjen e krahinave separatiste në rast se SHBA do të jepte “OK” për Kosovën. Parlamenti serb e shpalli deklaratën e pavarësisë së Kosovës shkelje të ligjeve ndërkombëtare, si dhe kërkoi që liderët serbë të bëjnë ç’është e mundur për të parandaluar zhvillimet e tilla.Shqipëria njeh Kosovën: “Jemi shprehur që në 1991"Shqipëria njeh zyrtarisht shtetin e Kosovës. Qëndrimin e bëri të ditur dje, Kryeministri Sali Berisha, i cili në një konferencë të posaçme për shtyp, bëri të ditur se sot do të mbledhë qeverinë për ngritjen e marrëdhënieve diplomatike me Kosovën në nivel ambasadorësh. Adi ShkëmbiNdërkohë, procedurat për njohjen e Kosovës nuk do të kalojnë nga Parlamenti, pasi një vendim të tillë ky institucion e ka marrë më 21 tetor të vitit 1991. “Duke u bazuar në Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë, datë 21 tetor 1991, në mbështetje të vendimit të Kuvendit të Kosovës të datës 17 shkurt 2008 për shpalljen e Pavarësisë, bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje, nisur nga parimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, nesër do të thërras mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh”, u shpreh dje Kryeministri Sali Berisha, duke lexuar deklaratën e Tiranës për njohjen e shtetit më të ri në Evropë. Deklarata e kreut të qeverisë shqiptare erdhi pak çaste pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës kishin bërë të ditur se njihnin pavarësinë e Kosovës. Një qëndrim të tillë, Kryeministri Berisha e kishte bërë edhe në mbledhjen e grupit të PD-së, gjatë paradites ku deklaroi se moralisht Shqipërisë i duhej të bashkërendonte qëndrimet me aleatët për njohjen e pavarësisë së Kosovës. I pyetur nëse deklarata e Tiranës kishte të bënte pikërisht me njohjen e pavarësisë së Kosovës, Kryeministri Berisha u shpreh se “Eshtë një pyetje shumë e drejtë. Shqipëria e ka njohur atë. Askush nuk mund të hedhë poshtë votën unanime të Parlamentit shqiptar në vitin 1991. Por e vërteta është që këto dy vende vëllezër, për 17 vjet respektojnë njëri–tjetrin si të barabartë. Kështu që, njohjen e ka bërë Parlamenti shqiptar. Qeveria bën disa detyra të tjera në këtë rast, përmes të cilave, ngre në nivel ambasadorësh marrëdhëniet diplomatike me këtë shtet”. Në të njëjtën kohë, Kryeministri Berisha u shpreh se pavarësisht qëndrimit të vendeve të veçanta për njohjen ose jo të pavarësisë së Kosovës, marrëdhëniet e Tiranës me këto vende nuk do të ndryshojnë. “Ne jemi të hapur për marrëdhënie shumë të mira me të gjitha vendet, përfshi edhe Serbinë. Ne do të përpiqemi të përmirësojmë marrëdhëniet”, u shpreh kreu i qeverisë. Gjithashtu Kryeministri Berisha u shpreh se “ne do të përpiqemi të arsyetojmë me Kremlinin, sepse kam bindjen më të thellë se në rast se Kremlini, le mënjanë historiografinë falsifikuese serbe mbi të vërtetën e shqiptarëve, ai do të ndryshojë qëndrimin e tij ndaj tyre. Ne, me shumë durim do të punojmë në këtë drejtim. Shqiptarët nuk janë ashtu siç i paraqet kjo historiografi dhe siç besohet në këto kancelari. Shqiptarët janë këtu që nga fillimi dhe kjo është e vërteta. Ritheksoj se ne, me shumë durim, do të punojmë me të gjithë ata të cilët për momentin hezitojnë”.Deklarata e ShqipërisëDuke u bazuar në Deklaratën e Kuvendit të Shqipërisë, datë 21 tetor 1991, në mbështetje të vendimit të Kuvendit të Kosovës të datës 17 shkurt 2008 për shpalljen e Pavarësisë, bazuar në të drejtën e popujve për vetëvendosje, nisur nga parimi i marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, nesër do të thërras mbledhjen e Këshillit të Ministrave për të vendosur ngritjen e marrëdhënieve diplomatike midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës në rang ambasadorësh.Qeveria e Republikës së Shqipërisë e konsideron krijimin e Shtetit të Kosovës një ngjarje historike, që sanksionon të drejtën e qytetarëve të Kosovës për të vetëvendosur dhe që e bën Ballkanin më të lirë, më të drejtë se kurrë në tërë historinë e tij shekullore. Pavarësia e Kosovës i jep fund procesit të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, krijon kushtet e nevojshme për zhvillimin e qëndrueshëm e të gjithanshëm të të gjithë shoqërisë kosovare, përfshirë perspektivën konkrete për integrimin sa më të shpejtë të saj në institucionet evropiane dhe euro-atlantike. Me shpalljen e pavarësisë, Republika e Kosovës bëhet një aktor i denjë në arenën ndërkombëtare, faktor madhor paqeje dhe stabiliteti në rajon, me orientim të qartë euro-atlantik, faktor i rëndësishëm për paqen, stabilitetin, sigurinë, zhvillimin dhe integrimin e harmonizuar të rajonit të Evropës Juglindore.Qeveria e Republikës së Shqipërisë përshëndet angazhimin e Kuvendit të Kosovës në Deklaratën për Pavarësinë për zbatimin e paketës Ahtisari si dhe ftesën për të mirëpritur praninë ndërkombëtare civile dhe ushtarake të Bashkimit Evropian dhe të NATO-s në Kosovë.Qeveria shqiptare përshëndet angazhimin e qartë të autoriteteve zyrtare në Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, për ndërtimin në Kosovë të një shoqërie demokratike, laike dhe shumetnike, ku pavarësisht nga përkatësia etnike, çdo banues i saj ta ndjejë veten qytetar të lirë në shtëpinë dhe pronën e tij të barabartë përpara ligjit, duke garantuar kështu mbrojtjen dhe nxitjen e të drejtave dhe lirive te individit dhe të pakicave kombëtare.Duke konfirmuar angazhimin e plotë për respektimin e kufijve ndërkombëtarë, Qeveria e Republikës së Shqipërisë është e vendosur që marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, të mirëkuptimit dhe bashkëpunimit me Republikën e Kosovës, të ndërtuara historikisht dhe të forcuara në vijimësi, t’i zgjerojë dhe t’i thellojë më tej, duke e shtrirë dhe institucionalizuar bashkëpunimin dypalësh në të gjitha nivelet, në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë, nëpërmjet vendosjes së një partneriteti të ngushtë. Në këtë kuadër, Këshilli i Ministrave vendos nesër për ngritjen e përfaqësisë diplomatike të Republikës së Shqipërisë në Prishtinë, në nivel ambasadorësh.Qeveria e Republikës së Shqipërisë shpreh bindjen se shtetet anëtare të OKB-së do ta njohin Republikën e Kosovës si një kontribut real shtesë tjetër i tyre në paqen dhe sigurinë në Ballkan, duke respektuar kështu edhe vullnetin e ligjshëm të popullit të saj. Në të njëjtën kohë, Qeveria e Republikës së Shqipërisë konfirmon vullnetin e saj të plotë për marrëdhënie të mira e miqësore me të gjitha vendet e tjera të rajonit, përfshirë dhe Republikën e Serbisë në perspektivën evropiane të vendeve tona. Meta: Ka ikur koha e shteteve-kombKreu i LSI-së, Ilir Meta, në një intervistë në radio BBC, hodhi poshtë idenë e bashkimit në një shtet të Shqipërisë me Kosovën. “Koha e shteteve-kombe është një kohë do të thosha, e kapërcyer edhe në Ballkan. Mendoj se nuk është ndonjë prioritet i yni për të krijuar ndonjë shtet-komb, pasi përpjekje të tilla mendoj se do të ishin në kundërshtim me frymën e integrimit evropian. Por qëllimi është për të arritur që të integrojmë si Shqipërinë dhe Kosovën, por edhe përmes kësaj fryme bashkëpunimi dhe integruese në rajonin tonë të bëhet e mundur edhe integrimi i Serbisë”, tha Meta. Sipas kreut të LSI-së, “procesi i njohjes së pavarësisë së Kosovës, i ka të gjitha mundësitë që të jetë i thjeshtë, nëse lidershipi i Beogradit e kupton që bashkëpunimi me këtë proces të njohjes, me këtë realitet të ri dhe me këtë shtet të ri është në vetë interesin e Serbisë përsa i takon të ardhmes evropiane”.FIERFesta për pavarësinë e Kosovës ka pasur jehonë dhe ditën e djeshme në qytetin e Fierit. Administrata e Prefekturës së Fierit ka festuar dje për këtë eveniment, aktivitetet për të cilën kanë vazhduar prej 3 ditësh. Prefekti i qarkut, Shahin Bejdaj, i cili ka qenë i pranishëm dhe në Prishtinë në momentet finale të shpalljes së pavarësisë, në fjalën e tij theksoi se pas disa dhjetëvjeçarëve luftë e përpjekje, u realizua ëndrra e madhe e shqiptarëve. Sipas Bejdajt, liria dhe sovraniteti i Kosovës është një ngjarje e shënuar historike, që do të fiksohet në memorien e brezave.SHKODERAktivitetet e organizuara në Shkodër për festën e Pavarësisë në Kosovë vazhduan dje me hapjen e një ekspozite të piktorëve të qytetit me punimet më të mira të tyre. "Kosova e Pavarur", titullohet ekspozita, e cila u çel në mjediset e galerisë "Iris" në qytetin verior. Në ceremoninë e çeljes së kësaj ekspozite ishin të pranishëm dhe shkrimtarët e njohur Fadil Kraja dhe Skënder Drini, të cilët përshëndetën aktin fatlum të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa aktorët e teatrit "Migjeni" të Shkodrës, Gjon Kola dhe Simon Shkreli, interpretuan me mjeshtëri vargje të cilat i përkisnin tërësisht Kosovës.BE, konsensus për njohjen të ndarë të pavarësisëBE shpëtoi në minutat e fundit, një krizë diplomatike mes saj. Ka qenë pikërisht deklarata për Kosovën, ajo që për pak u shndërrua në një hap të fortë prapa mes vendeve të BE. Jo gjithçka shkoi fjollë për Kosovën në mbledhjen e mesditës së djeshme në Bruksel të ministrave të Jashtëm. Spanja, një ndër atemueset më të mëdha në BE të pavarësisë, paraqiti projektin e saj, i cili ndalonte marrjen e një vendimi të plotë për njohjen. Kjo e fundit, i trembet, shpalljes së njëanshme të pavarësisë nga rajonet e saj të quajtura separatiste. Kundërshtimet mes ven-deve pro e kundër, vazhduan gjatë gjithë mbledhjes, deri sa në fund u ra dakord për gjetjen e një formule tjetër, atë të njohjes së veçantë, sipas secilit shtet, të pavarësisë. Formulë, kjo që kënaqi shumicën dërrmuese të vendeve pro Kosovës. Sipas këtij dokumenti çdo shtet që është anëtar i BE-së, do të vendosë vetë marrëdhëniet e tij të veçanta me shtetin më të ri të Evropës, Kosovën. "Ballkani Perëndimor ka një perspektivë evropiane", theksuan ministrat e BE-së. Ata thanë se Kosova nuk paraqet një precedent për raste të tjera. Komisioneri për zgjerimin, Olli Rehn u shpreh dje se "Vendimi i Këshillit merr në konsideratë se vendet anëtare do të veprojnë në përputhje me praktikat e tyre kombëtare në lidhje me njohjen e Kosovës. Dhe pastaj një hap tjetër do të jetë bërja e propozimeve për të shfrytëzuar instrumentet e komunitetit për shembull për nxitjen e marrëdhënieve tregtare dhe kontakteve midis njerëzve dhe bërjen e propozimeve të tjera konkrete, për të nxitur integrimin e Kosovës dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në BE". Ndërsa sipas kryediplomatit të BE-së, Havier Solana rasti i Kosovës është qartë se është "sui generis", sepse "sui generis" është situata. "Ne kemi një situatë kur duhet të vendosin shtetet anëtare. Nëse ato do të vendosin sot, nëse do të vendosin për një muaj apo për gjashtë muaj, këtë ata mund ta bëjnë kur të duan. Kjo është pjesë e kompetencave nacionale të vendeve përkatëse", theksoi kryediplomati i BE-së, Havier Solana pas takimit. Takimi i djeshëm i ministrave të BE-së ka vijuar me debate goxha të ashpra mes ministrave të vendeve anëtare të BE-së. Kjo është vënë në dukje edhe nga vetë ministri i Jashtëm gjerman, Frank Valter Shtajnmajer. Megjithatë në fund ai e karakterizoi mbledhjen si "sukses për Evropën". "Një dështim do ta kishte hedhur me vite pas Politikën e Jashtme të BE-së", tha Shtajnmajeri. Ai theksoi se "Shumica e shteteve anëtare do të njohë një Kosovë të shtetit juridik, demokratik dhe multietnik. Edhe Gjermania do ta bëjë këtë hap". Pasi kishte folur me kancelaren gjermane, Angela Merkel, Shtajnmajeri tha se do t'i drejtohet Presidentit të Gjermanisë Këler (Köhler), në mënyrë "që Kabineti Federal të mund të marrë të mërkurën vendimet përkatëse". Sllovenia është një ndër shtetet që është karakterizuar për qëndrimin e saj pro pavarësisë së Kosovës. Pas takimit të djeshëm ministri i Jashtëm i Sllovenisë, Dmitri Rupel tha se "ne treguam për një ngjarje historike një reagim të përshtatshëm". BE dëshiron të investojë deri në vitin 2010 një miliard Euro në rajon. Deri në verë do të zhvillohet një konferencë donatorësh. Hapat e tjerë që do të pasojnë janë dërgimi në Kosovë i 1900 policëve dhe juristëve, që do ta ndihmojnë Kosovën në ndërtimin e një shteti juridik dhe multietnik dhe do të garantojnë njëkohësisht "mbikëqyrjen ndërkombëtare", të propozuar nga i dërguari special i OKB-së, Marti Ahtisari. Njëkohësisht, që në ditët e ardhshme në Prishtinë do të mbërrijnë njohjet e para ndërkombëtare të Kosovës si shtet.Tre “aleatët” e Rusisë në BEKanë qenë vetëm tre vendet e BE-së, të cilat kanë deklaruar se pavarësia e Kosovës është shkelje e ligjeve ndërkombëtare dhe e integritetit territorial të Serbisë, duke u bërë të vetmet aleate të Rusisë brenda unionit mbi këtë çështje. Ato janë Spanja, Rumania e Qipro, të vetmet që kanë deklaruar mosnjohjen e Kosovës, ndërsa edhe vendet e tjera të Be-së të cilat kanë shprehur rezerva në këtë pikë, nuk dhanë një deklaratë definitive kundër saj, por u shprehën se vendimet e tyre do të merren më vonë pas zhvillimit të ngjarjeve dhe një këndvështrimi të largët se si do të sillet Kosova gjatë kësaj periudhe pavarësie. Nëse vlerësimi i Bullgarisë e të tjerave si ajo do të jetë pozitiv në këtë periudhë, këto vende do të nënshkruajnë pro pavarësisë. Vendet "aleate" të Rusisë i tremben rajoneve të tyre separatiste, prandaj mbajnë një qëndrim të tillë. Ndërsa në Këshillin e Sigurimit, e vetmja që ka shprehur rezerva kundër pavarësisë, përveç Rusisë, ishte Kina.Tadiç: Akti, padrejtësi historikeKëshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara zhvilloi dje një tjetër seancë për të dëgjuar fjalën e Presidentit serb Boris Tadiç, i cili kërkoi anulimin e pavarësisë së Kosovës nga vendet e OKB-së. Kjo ishte seanca e dytë që Këshilli i Sigurimit zhvillon brenda 24 orëve. Mbrëmjen e djeshme, e kërkoi Serbia e mbështetur nga Rusia, përkatësisht Presidenti serb, i cili u nis në Nju Jork që të dielën, për të kërkuar mbështetje nga OKB kundër këtij akti, tashmë të njohur nga disa vende të fuqishme perëndimore. Tadiç u bazua te pasiguria e serbëve të Kosovës duke i përdorur ata si pikën e dobët të Serbisë në Kosovë, si një grup që persekutohen dhe keqtrajtohen, me gjithë premtimin e Kryeministrit Thaçi se ata do të jenë pjesë e plotë e shoqërisë shumetnike kosovare me të drejta më të mëdha se cilido minoritet tjetër në botë. "Popullsia serbe tashmë ka frikë të dalë nga banesat e saj. Serbët e Kosovës ndër vite janë persekutuar nga ekstremistët kosovarë, janë dëbuar nga shtëpitë e tyre dhe një situatë e tillë mund të rikthehet pas shpalljes së këtij akti. Rreth 5 000 serbë janë shpërngulur ndërsa 800 shtëpi janë djegur", tha Presidenti Tadiç. Ndërkohë ai i është rikthyer variantit se pavarësia e Kosovës është shkelje e të drejtave ndërkombëtare. Roli i Serbisë në mbledhjet e Këshillit të Sigurimit tashmë është shndërruar nga një sulmuese në një viktimë të padrejtësive të separatistëve. "Njohja e pavarësisë së Kosovës është padrejtësi historike. Tashmë Serbia po copëtohet, edhe pse kjo shënon një shkelje të ligjeve ndërkombëtare. Këtë nuk mund ta pranojmë. Ne do të vazhdojmë luftën tonë diplomatike për Kosovën. Serbia nuk do të pranojë shkeljen e sovranitetit dhe as dhunën. Deklarata e njëanshme e pavarësisë është shkelje e nenit 1 të Kartës së Kombeve të Bashkuara", tha Presidenti serb, Boris Tadiç në takimin e Këshillit të Sigurimit. Presidenti Tadiç paralajmëroi në Këshillin e Sigurimit se dhjetëra separatistë të tjerë do të ndjekin shembullin e Kosovës pas ndarjes së saj, madje në disa raste, sipas tij, do të ketë edhe shpërthime dhune. Në takim Tadiç u mbështet nga Rusia dhe Kina, ndërsa vende të vogla të Këshillit nuk u prononcuan as pro, as kundër njohjes së Kosovës. "Kushdo që do të njohë Kosovën, le ta ketë të qartë se ky akt legalizon kërcënimin për dhunë si mjet për të krijuar shtete të tjera duke promovuar axhendën dhe interesat e tyre", shtoi Tadiç. "Përsëris se ka dhjetëra "Kosovë" në botë dhe të gjitha presin që ndarja të bëhet realitet. Unë paralajmëroj për eskalim serioz të dhunës të shumë konflikteve ekzistuese dhe shpërthimin e konflikteve deri tani të ngrira", tha Tadiç duke theksuar se "Serbia nuk do ta njohë kurrë Kosovën e pavarur".Franca e Britania hapin siparinVendet e mëdha të Bashkimit Evropian e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Ashtu siç pritej, brenda unionit të 27 vendeve e para që e njohu pavarësinë ishte Franca. Ajo u pasua nga Britania e Madhe, ndërsa deklarata ende të pashkruara të cilat mbështetën pavarësinë u pasuan nga të gjithë liderët e vendeve të tjera të mëdha të BE-së. I menjëhershëm ishte deklarimi i konferencës islamike. Vendimi unanim i të cilës, bëri që 57 shtete, anëtare edhe të OKB të njohin menjëherë pavarësinë e Kosovës. "I urojmë Kosovës pavarësinë dhe suksese të mëtejshme", thuhet në deklaratë. Shefi i diplomacisë franceze Bernard Kushner, pas takimit të ministrave të Jashtëm të BE-së në Bruksel, tha se Presidenti i Francës, Nikola Sarkozi i ka dërguar Presidentit të Kosovës, pranimin zyrtar të njohjes. Njohjen e pavarësisë së Kosovës në afatin e ardhshëm 48-orësh e kanë paralajmëruar Gjermania, Austria dhe Italia. Ndërsa në mesditë, vendi i parë që njohu pavarësinë e Kosovës ishte Afganistani. Ndërkohë në takimin e ministrave të BE-së, ministri i Jashtëm i Britanisë, u shpreh se "Në emër të mbretërisë së Bashkuar mund të njoftoj se qeveria britanike ka vendosur të njohë Kosovën. Ne do ta bëjmë këtë së bashku me vende të tjera evropiane, të paktën gjysma, do të vlerësoja pas diskutimeve të sotme, do ta njohin Kosovën këtë javë", tha ai duke shtuar se i kanë shkruar Kryeministrit Thaçi për ta informuar lidhur me këtë. Ndërsa diplomati gjerman, tha se "Rreth 17 vende kanë vendosur të reagojnë shpejt për të shmangur krijimin e një vakumi me sjellje të pavendosura", tha Frank Valter Shtajnmajer, vendi i të cilit është zotuar ta njohë menjëherë pavarësinë e Kosovës. Ndërsa ministri i Jashtëm italian Massimo D'Alema tha se Italia e njeh Kosovën "si një shtet të pavarur nën vëzhgim ndërkombëtar". Ministrja e jashtme e Greqisë, Dora Bakojanis, ka deklaruar se vendi i saj do të vendosë në një stad tjetër lidhur me njohjen e pavarësisë së Kosovës. Menjëherë pas përfundimit të takimit të ministrave të Jashtëm, zonja Bakojanis u është drejtuar me një gjuhë të kujdesshme gazetarëve, duke theksuar se vendimi për njohjen apo jo, do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha zhvillimet dhe rrjedhoja e tyre në sigurinë rajonale dhe interesat e Greqisë. Pritet që në ditët në vijim të gjitha vendet të prononcohen zyrtarisht mbi Kosovën.DeklaratatTurqia: Ministria e Jashtme e Turqisë ka mirëpritur shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Sipas informatave të siguruara, Turqia po punon në drejtim të njohjes së kësaj pavarësie.Maqedonia: "Si Maqedoni kemi qëndrim të pastër ndaj pavarësisë së Kosovës. Kjo për ne është një gjë e pranueshme, e cila do të duhej të implementohet me Planin e Ahtisarit", tha Llazar ElenovskiJaponia: "Dëshirojmë të shohim se a i plotëson Kosova kushtet që ta pranojmë si shtet, por, gjithsesi se do të lëvizim nga njohja", tha zëdhënësi i qeverisë, Nobutaka Makimuara.Gjermania: Shefi i diplomacisë gjermane, Frank Valter Shtajnmajer ka deklaruar se "pavarësia e Kosovës për ne nuk është befasi. Ne do ta njohim në takimin e së mërkurës, në mbledhjen e radhës".Kina: "Hapi i njëanshëm i ndërmarrë nga Kosova do të ketë një numër pasojash. Kina është thellësisht e shqetësuar për ndikimin negativ në paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit", tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Kinës. SHBA: "Ne e përshëndesim popullin e Kosovës për këtë ngjarje historike", thuhet në një deklaratë të publikuar në Uashington nga ministrja e Jashtme, Kondolisa Rajs. Britania: Kosova është shtet sovran. Ministri i Jashtëm britanik, David Miliband deklaroi në Bruksel se "Qeveria britanike ka vendosur ta njohë Kosovën"Franca: Ministri i Jashtëm francez, Bernard Kushner njoftoi njohjen e Kosovës nga Franca me anë të një letre të Presidentit të Francës, Nikolas Sarkozi, drejtuar Presidentit të Kosovës. Italia: Ministri i Jashtëm italian, Massimo D'Alema theksoi se "E njohim pavarësinë në formën e mbikëqyrjes ndërkombëtare" Austria: Ministrja e Jashtme Ursula Plasnik deklaroi se do t'i propozojë qeverisë austriake, në mbledhjen e së mërkurës, që t'i kërkojë presidentit austriak ngarkimin e Plashnikut me formulimin e letrës së njohjes së Kosovës. Hungaria: Ministrja e Jashtme, Kinga Göncz do t'i rekomandojë qeverisë së saj njohjen e Kosovës.Shqipëria: Kryeministri Sali Berisha njoftoi njohjen e shtetit të Kosovës dhe ngritjen e nivelit të përfaqësimit mes dy vendeve në rang ambasadorësh. Bullgaria: Ministri i Jashtëm bullgar, Ivajlo Kalfin tha se Bullgaria merr parasysh realitetin në rajon, me një përgjigje "të përshtatshme dhe strategjike", njohje brenda pak javësh. Spanja: Ministri i Jashtëm i Spanjës, Miguel Angel Moratinos, e quajti disa herë hap ilegal pavarësinë e Kosovës. "Spanja nuk do ta njohë këtë deklaratë të njëanshme, sepse ajo nuk respekton të drejtën ndërkombëtare". Rumania: Presidenti i Rumanisë, Trajan Basesku deklaroi se pavarësia e Kosovës ka shkelur kufijtë, sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë. Greqia: Ministrja e Jashtme greke, Dora Bakojani tha se pavarësia nuk duhet të bëhet në asnjë mënyrë rast precedent. Holanda: Ministri i Jashtëm holandez, Maxime Verhagen tha se vendi i tij do të studiojë më parë me sy kritik Kushtetutën, e cila pret ende miratimin, si dhe do të vëzhgojë me vëmendje gjendjen në vend në ditët dhe javët e ardhshme.Rusia: Parlamenti rus dhe Këshilli i Federatës e quajtën në një deklaratë të përbashkët njohjen e Kosovës nga Perëndimi një gabim të madh.AustraliaAustralia të hënën u bashkua me vendet që ka mirëpritur deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke u bashkuar me SHBA-në dhe disa vende evropiane, me gjithë kundërshtimin nga Serbia dhe Rusia. Kryeministri australian, Kevin Rudd tha se njohja diplomatike do t'i ofrohet shumë shpejt këtij vendi të ri. "Ne tashmë u kemi dhënë sinjale përfaqësuesve tanë diplomatikë rreth botës se kjo pavarësi do të ishte kursi i duhur i veprimit", tha Rudd për "Australian Broadcasting Corporation".AfganistaniSipas konfirmimeve mediatike, Afganistani e ka njohur shtetin e Kosovës. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Sultan Ahmand Bahin, ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë, shërbimi i Afganistanit, se në përputhje me Kartën e Kombeve të Bashkuara, të drejtën për vetëvendosje dhe zgjedhjet demokratike të 3 Nëntorit 2007, Afganistani i uron suksese shtetit të Kosovës dhe i ofron bashkëpunim.FrancaFranca u bë vendi i parë evropian që njohu pavarësinë e Kosovës si një shtet i lirë dhe i pavarur. Deklaratën e zyrtarizoi Presidenti francez, Nikolas Sarkozy, në një letër drejtuar Presidentit Sejdiu. Presidenti francez specifikoi në letër se iniciativa e Parisit ishte në përputhje të plotë me linjën e Bashkimit Evropian.BritaniaKryeministri i Britanisë, Gordon Braun, e ka mirëpritur deklaratën për pavarësi të Kosovës. "Britania zyrtarisht e njeh shtetin e ri në një përpjekje për të mbyllur kapitullin pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë. "Kosova ishte çështja e fundit e pazgjidhur. Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur dhe sovran", tha Braun.ItaliaMinistri i Jashtëm italian, Massimo D'Alema dhe Prodi, theksuan se Italia do ta njohë pavarësinë e Kosovës në një takim mes liderëve të këtij vendi që do të zhvillohet të mërkurën. Ne jemi në një qëndrim unik me vendet e BE-së dhe mbrojmë variantin se Kosova është rast unik dhe i paprecedent", tha D'Alema. "E njohim pavarësinë në formën e mbikëqyrjes ndërkombëtare".SHBA, ikën ambasadori serbSerbia tërhoqi zyrtarisht ambasadorin e saj nga Uashingtoni, menjëherë pas njohjes zyrtare të pavarësisë së Kosovës nga SHBA. Ashtu siç ishte paralajmëruar, menjëherë pas deklaratës zyrtare të Shtëpisë së Bardhë, Kryeministri serb, Vojislav Koshtunica ka urdhëruar tërheqjen e ambasadorit serb në SHBA dhe kthimin e tij në atdhe, si kundërpërgjigje ndaj njohjes së pavarësisë së Kosovës. Pavarësisht se në telefonatën me presidentin serbë Boris Tadiç, Sekretarja e Shtetit amerikan, Kondoliza Rajs, kishte nënvizuar vullnetin e mirë të shtetit amerikanë për të ruajtur marrëdhëniet e mira me Beogradin, deklarata e Shtëpisë së Bardhë nuk është pritur aspak mirë nga Serbia. “Vendimi i SHBA-ve nuk do ta shndërrojë “shtetin e rrejshëm” të Kosovës në një të vërtetë. Njohja e pavarësisë së Kosovës, veçse i ka treguar botës mbarë fytyrën e vërtetë të politikës amerikane”, ka thënë, Koshtunica përpara Parlamentit serb të thirrur me urgjencë, në një mbledhje të jashtëzakonshme. Tërheqja e ambasadorit në SHBA nuk do të jetë masa e vetme që do të merret nga qeveria serbe. Në fjalën e tij përpara parlamentarëve serbë, Koshtunica ka deklaruar se kthimi i ambasadorit në Uashington, është masa më urgjent që po merret. Serbia është gati të kthej në atdhe të gjithë ambasadorët e atyre vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Gjatë deklaratës nuk janë cituar shtete të veçanta ndaj të cilave do merren masa, por ka nënvizuar se të veprimi që u bë me ambasadorin në SHBA do të merren dhe për të gjitha ato vendet evropiane që kanë njohur në Bruksel shtetin e ri kosovar. Dhe kështu pritet të ndodhë me Britaninë dhe Francën, e më pas me një radhë të gjatë të vendeve të BE-së, të cilat kanë deklaruar mbështetje të plotë për pavarësinë e Kosovës. Ndërkohë në Serbi vazhdojnë trazirat dhe sulmet në përfaqësitë ndërkombëtare. Situata në këtë vend pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës është kthyer pothuajse në kaos. Çdo gjë u tensionua pasi kryeministri serb, Vojisllav Koshtunica, doli në një deklaratë televizive ku kërcënoi se një veprim i tillë nga Kosova do të provokonte protesta të shumta në Serbi. Dje kreu i qeverisë serbe, bashkë me Presidentin Tadiç, u kanë bërë thirrje të gjithë serbëve të ndërpresin protestat dhe të qetësojnë situatën në Serbi, pasi destabiliteti i vendit nuk i shërbente zgjidhjes së kësaj çështjeje. Serbët bojkot institucioneve Disa deputetë serbë të Kuvendit të Kosovës kanë bojkotuar punën e institucioneve në Prishtinë, në shenjë proteste me shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Përfaqësuesit e Partisë Demokratike Serbe dhe të asaj Popullore e kanë konsideruar të pavlefshëm miratimin e deklaratës së pavarësisë në Kuvendin e Kosovës. Kreu i Partisë Demokratike Serbe, Sllavisha Petkoviç ka deklaruar se asgjë spektakolare nuk ka ndodhur në Parlament. “Dje nuk është shpallur pavarësia, as nuk është fituar shteti i Kosovës, t’i qartësojmë këto dy gjëra. Dje është miratuar një deklaratë që është shumë e paqartë, sepse shtet i pavarur është ai që është anëtar i OKB-së, Këshillit të Evropës, OSBE-së, ndërsa me deklaratën e djeshme, Kosova nuk do të jetë kurrë pjesë e këtyre institucioneve” tha Petkoviç. Deputetët serbë nuk kanë marrë pjesë në seancën e djeshme të Kuvendit në të cilën është miratuar deklarata e pavarësisë dhe simbolet shtetërore. Edhe dy ministrat serbë nuk kanë qenë të pranishëm në mbledhjen e qeverisë së Kosovës. Parlamenti serb miraton vendimin kundër Kosovës shtet Parlamenti serb ka miratuar orët e vona të së hënës vendimin e qeverisë serbe për të anuluar aktet ilegale të institucioneve të përkohshme në Kosovë. Ata iu referuan deklaratës së pavarësisë nga Kosova. 225 deputetë nga 234 të pranishëm në sallë votuan pro këtij vendimi. Partia Liberal-Demokratike, Unioni i hungarezëve të Vojvodinës dhe Ligës së Social-Demokratëve të Vojvodinës nuk morën pjesë në votim. “Sot nis beteja jonë e gjatë për të kthyer brenda territorit serb të gjithë pjesët e provincës që i përkasin me ligj Serbisë. Ky është qëllimi ynë dhe Serbia do ta arrijë atë. Nëse ne nuk mund të arrijmë të gjithë këtë sot, ne do të bëjmë të njëjtën përpjekje nesër, sepse Serbia duhet të jetë e lirë”, tha Kryeministri Vojislav Koshtunica. Ai shtoi se ky do të jetë qëllimi dhe synimi më i rëndësishëm i Serbisë gjatë gjithë kohës. Kreu i qeverisë serbe u bëri thirrje serbëve të zgjohen, të tregohen të zgjuar dhe qetë për të treguar forcë dhe dinjitet, kjo do t’i çojë në arritjen e qëllimit të tyre. “Deklarata e njëanshme e shtetit fals të Kosovës është një kërcënim direkt për sovranitetin dhe integritetin territorial të Serbisë, Kushtetutën dhe rendin e saj, dhe të gjitha këto vendime janë miratuar nga institucionet më të larta të vendit”, tha Koshtunica para deputetëve. “SHBA dhe NATO kanë mundësuar të arrijnë këtë deklaratë me forcë brutale dhe ne do ta ndalojmë në OKB”, përfundoi ai. Protesta dhe manifestime në gjithë SerbinëMinistria e Punëve të Brendshme në Beograd ka lajmëruar se ka nisur procedurat për të inkriminuar Kryeministrin kosovar, Hashim Thaci, Presidentin Fatmir Sejdiu, dhe kryeparlamentarin, Jakup Krasniqi, për “deklarim të një shteti fals në territorin e Serbisë”. Lajmi bëhet i ditur nga agjenci të shtypit italian. Ndërkohë në Beograd vazhdojnë protestat kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës. Mijëra serbë duke thirrur “Kjo është Serbi”, “Kosova është e jona” kanë protestuar në veri të Mitrovicës kundër pavarësisë së Kosovës. Protestuesit mbanin parulla ku shkruhej “Rusi na ndihmo”, dhe flamuj amerikanë mbi të cilët ishin shtuar simbolet naziste. “Amerika nuk është më fuqia e vetme në botë”, tha Marko Jakshiq, një nga udhëheqësit e linjës së ashpër të serbëve të Kosovës. “Nëse shqiptarët do përpiqen të kalojnë urën ne do kërkojmë nga ushtria serbe të përdorë të gjitha mjetet që ka në përdorim që t’i ndalojë ata”, ka thënë Jakshiq. Ndërkohë protesta janë zhvilluar dhe në Graçanicë dhe në Mitrovicë. “Kosova nuk është në shitje. Për sa kohë do të ekzistojnë Serbia dhe Rusia, nuk do të ketë kurrë një Kosovë të pavarur”, ka deklaruar Marko Jaksich, lider i lëvizjeve nacionaliste serbe, gjatë manifestimeve në Mitrovicë.SHBA, rikthejnë festën në Kosovë Menjëherë pas deklaratës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës se njohin zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, e pasuar kjo edhe nga deklarata e Tiranës zyrtare, për aktin e miratuar dy ditë më parë në Kuvendin e Kosovës, kanë nisur sërish festimet në rrugët e qyteteve të shtetit më të ri në Evropë, Kosovës. Agjencia e lajmeve “Reuters” bën të ditur se mijëra kosovarë kanë dalë nëpër rrugët e Prishtinës për të festuar deklaratat e njëpasnjëshme të fuqive të mëdha për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Megjithëse festimet e një nate më parë kanë zgjatur deri në orët e para të mëngjesit, duke thyer disi ceremonialin e vendosur nga qeveria kosovare, sipas të cilit festimet do të lejoheshin deri në orën 24.00, pasditja e djeshme i ka gjetur sërish në rrugë qytetarët kosovarë. Por në këto festime, ndryshe nga dy ditë më parë, qytetarët kosovarë nuk mbajnë në duar vetëm flamurin shqiptar dhe atë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe flamujt e Italisë, Francës, Gjermanisë dhe Britanisë, vende këto që kanë njohur ose janë në procedurat e fundit për njohjen e Kosovës shtet. Ndërkohë festimet në Prishtinë kanë vazhduar edhe pas konferencës së parë për shtyp të Kryeministrit Hashim Thaçi, i cili ka bërë publike vendet që kanë nisur të njohin pavarësinë e Kosovës. Dje në mëngjes, pas një nate të gjatë festive, Kosova është zgjuar e rregullt dhe e pastër si një qytet i mirëfilltë evropian. Rrugët në orët e mëngjesit ishin pothuajse të boshatisura, për t’u rimbushur sërish e sërish pas çdo deklarate zyrtare apo jozyrtare që mbështet Republikën e re. IncidentetZyrtarë të policisë në Kosovë njoftojnë se gjatë festimeve të natës së 17 shkurtit ka humbur jetën një person dhe janë plagosur disa të tjerë. Në pjesën veriore të Kosovës janë regjistruar shpërthime. Viktimat ishin të gjithë shqiptarë të Kosovës. Zyrtarë të policisë thanë se rastet kanë ndodhur si pasojë e shkrepjes së armëve të zjarrit gjatë festimeve dhe zënkave të ndryshme ndërmjet të rinjve. Policia e Kosovës ka njoftuar se në pjesën veriore të Kosovës, të banuar nga shumica serbe, gjatë natës ka pasur disa shpërthime ku cak sulmi kanë qenë objektet dhe veturat e administratës ndërkombëtare. Dëme në njerëz nuk ka pasur. Sipas zëdhënësit të policisë, Veton Elshani, në përgjithësi policia konsideron se gjendja e sigurisë në Kosovë paraqitet e qetë dhe rastet e sipërpërmendura i cilëson si raste të izoluara. Organet e rendit edhe gjatë ditës së sotme janë të angazhuara në të gjithë Kosovën, por më të përqendruara përreth vendbanimeve serbe. Kjo për faktin që pothuajse në të gjitha enklavat serbe gjatë ditës zhvillohen protesta kundër pavarësisë së Kosovës. Liderët kosovarë u kanë bërë thirrje qytetarëve që të përmbahen nga veprimet që mund të nxisin tensione. Ndërsa serbët e Kosovës i kanë porositur që mos të frikësohen nga pavarësia, sepse të drejtat e tyre në Kosovë do të mbrohen me ligj.Lind Pavarësia,foshnja e parëRreth 10 minuta pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në Klinikën e Gjinekologjisë dhe atë të Pediatrisë në Prishtinë lindi foshnja e parë. Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, zhvilloi një vizitë për të uruar fëmijën e parë të pavarësisë, e cila është pagëzuar me emrin Pavarësi. Presidenti Sejdiu, shoqërohej nga ministri i Shëndetësisë, Alush Gashi, sekretari permanent i MSH-së, Ilir Tolaj, drejtori ekzekutiv i QKUK-së, dr. Jusuf Ulaj, dhe drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, dr. Shefqet Lulaj. Sejdiu ka përgëzuar nënën për foshnjën e parë të pavarësisë, duke shprehur gëzimin që kishte pasur rastin të vizitonte foshnjën e gjinisë femërore, të pagëzuar me emrin Pavarësi. Më pas, Presidenti Sejdiu, shoqëruar edhe nga punonjësit shëndetësorë, ka vizituar edhe Klinikën e Pediatrisë, ku ka biseduar me fëmijët që po trajtohen në këtë klinikë.“Në krah të Kosovës”Ndër të parët që përshëndetën pavarësinë në Shtetet e Bashkuara, ishte anëtari i Kongresit Elliot Engel. “Që kur hyra në Kongres para 20 vjetësh, të drejtat e popullit të Kosovës kanë qenë të një rëndësie të jashtëzakonshme për mua. Që nga ditët e errëta të Millosheviçit, deri në festimet e sotme, unë kam qenë dhe do të jem gjithmonë në krah të Kosovës në betejën e saj për liri. Unë njoh personalisht aq shumë njerëz që e kanë ëndërruar këtë ditë për aq shumë vjet. Jam shumë i lumtur për ta dhe mezi pres që të festoj me ta kur të shkoj në Prishtinë pas disa javësh”, thuhet në një deklaratë të kongresmenit Engel.“Kosova nuk do të jetë precedent”Albert Rohan, zëvendës kryenegociatori i OKB-së për Kosovën, konsideron që Kosova nuk do të jetë precedent. “Mendoj se kjo varet nga vendimi i bashkësisë ndërkombëtare. Në vend që vazhdimisht të përsëritet sesi mund të jetë një shembull i rrezikshëm për të tjerët, do të ishte punë më e mençur të thuhet shkurt e qartë se Kosova nuk mund të jetë precedent. Lëvizjet individuale për pavarësi mund t’i referohen Kosovës, por nëse shikohet historia e ngjarjeve - do të shihet se Kosova është rast i veçantë dhe ne nuk do të njohim kurrfarë referimi në këtë shembull”, tha Rohan.Para Parlamentit EvropianIpeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, me ftesë të Grupit Parlamentar të Partive Popullore dhe Demokristiane të Evropës, sot do të dëshmojë para Parlamentit Evropian në Strasburg për gjendjen aktuale në Kosovë. Kjo kumtesë e imzot Gjergjit do të jetë një dëshmi e Kishës Katolike të Kosovës, se Republika e Kosovës është pjesë e pandashme e Evropës dhe si e tillë ajo të integrohet në familjen e madhe Evropiane, thuhet në një njoftim të Ipeshkvisë së Kosovës. Ipeshkvi do të kërkojë nga parlamentarët evropianë që Pavarësinë e Kosovës, të shpallur më 17 shkurt 2008 nga Institucionet e Kosovës, ta njohin sa më shpejt.Komuniteti shqiptar në AustraliNë Melburn të Australisë u mbajt një manifestim i shqiptarëve nga Kosova, në të cilin morën pjesë mbi 1500 veta. Atmosferën e bëri edhe më të ngrohtë telefonata e Presidentit Sejdiu, i cili i duke i uruar pjesëmarrësit për këtë akt madhor, që sublimon sakrificat dhe punën e gjeneratave të tëra, tha se komuniteti shqiptar në Australi ka dhënë ndihmesë të veçantë për pavarësinë e Kosovës. “Jeni pjesë e qenies sonë dhe gëzimi juaj e shton edhe me shumë atmosferën e festimit, që në Kosovë u organizua me dinjitet”, tha Presidenti Sejdiu. Ai i ftoi pjesëmarrësit dhe gjithë komunitetin shqiptar në Australi për të punuar bashkërisht për zhvillimin e shtetit demokratik të Kosovës.Festa e pavarësisë, KESH, prej tre ditëve energji në Kosovë Prej tri ditësh KESH ka nisur të transmetojë energji në Kosovë. Korporata ka transmetuar energji pas kërkesës së bërë nga Korporata Elektroenergjetike Kosovare. KEK ka qenë e detyruar që t’i kërkojë ndihmë Korporatës shqiptare, pasi gjatë ditëve të festave ata kanë pasur një defekt në bllokun Kosova B. Dhe në një situatë të tillë ndihma e KESH-it ka qenë e menjëhershme. Gjatë këtyre ditëve, Korporata i ka transmetuar 130 mega energji KEK-ut, ose e thënë ndryshe, gati 3 milionë kilovat/orë. Kjo sasi nuk ka prekur furnizimin me energji të Shqipërisë, por është dhënë si sasi, e cila pritet të shkëmbehet brenda këtyre ditëve. Në një prononcim për mediat, kreu i KESH-it, Gjergj Bojaxhi, ka siguruar se kjo sasi energjie do t’i rikthehet sërish Korporatës. Me këtë sasi energjie, KESH iu përgjigj kërkesës së KEK-ut për të pasur sa më shumë energji elektrike, gjatë ditëve të festimeve të pavarësisë së Kosovës. Në të vërtetë mes dy kompanive elektroenergjetike, prej vitesh shkëmbehet energji sipas kërkesave dhe nevojave të dy vendeve. Sipas burimeve të KESH-it, siguria e shkëmbimit të energjisë favorizohet nga fakti se duke qenë të dy sistemet kanë burime diversifikuese të prodhimit të energjisë elektrike, ato janë përherë të sigurta. Edhe në Kosovë pjesa më e madhe e kërkesës për energji plotësohet nga importi, pasi KEK mund të prodhojë gati 9 milionë kilovat/orë në ditë, por kërkesat janë më të mëdha. E njëjta gjë ndodh edhe në Shqipëri, ku prodhimi vendas nuk mund të plotësojë nevojat e vendit.