E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tentoi të trafikonte me dokumentin e gruas, belgut i bllokohet pasaporta

• TIRANE - Gjykata e Tiranës vendosi dje bllokimin e pasaportës së 36-vjeçarit nga Belgjika, Marsel Bisiauc, si masë sigurie për garantimin hetimit të tij nga policia shqiptare.Kjo masë u vendos me kërkesë të Prokurorisë së kryeqytetit, e cila ka ngritur ndaj tij akuzën e falsifikimit të pasaportave dhe ndihmës së paligjshme për të kaluar kufirin. Bisiuac, sipas policisë, u arrestua tri ditë më parë në Rinas teksa po tentonte të kalonte një vajzë shqiptare për në Belgjikë. Mësohet se 26-vjeçarja do të kalohej nëpërmjet aeroportit, ku ajo ndodhej me të vëllain. Hetimet paraprake sipas policisë kanë zbuluar se kundrejt një shume të majme të hollash, 36-vjeçari belg, ka falsifikuar pasaportën e bashkëshortes së tij, duke i vendosur gjenealitetet dhe foton e shqiptares. Pasi është zbuluar në Rinas nga policia ai është dërguar në qeli, ndërsa vajza nga Shkodra është lënë e lirë pas marrjes në pyetje. Vetë i akuzuari dje para gjyqtares së gatshme e mohoi këtë akuzë, ndërsa ai dhe avokati i tij mbrojtës kërkuan heqjen e të gjitha masave shtrënguese ndaj tij. Ndërsa prokurori gjatë fjalës së vet kërkoi bllokimin e pasaportës së 36-vjeçarit në mënyrë që ai të mos largohet nga Shqipëria për t'iu shmangur hetimeve. Në fund të seancës, kjo ishte edhe masa që vendosi gjykata.                                      f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›