E Shtunë, 31 Tetor 2026

Akuza i komunikon arrestin Sefgjinit

Tre ish-SHIK-asit e akuzuar për zhdukjen e Remzi Hoxhës janë njohur dje me masën e sigurisë “arrest shtëpie” të vendosur nga Krimet e Rënda.

   Prokurori i çështjes, Xhevat Hana ua komunikoi dje vendimin e firmosur nga gjyqtari Fran Prendi, të pandehurve Arben Sefgjinit, Avni Koldashit dhe Budjon Meçes, ndërsa për të akuzuarin e katërt Ilir Kumbaro, është vendosur emri i tij në listën e personave në kërkim ndërkombëtar. Komunikimi i akuzave mësohet të jetë bërë nëpërmjet avokatëve të tyre që i kanë mbrojtur dhe përfaqësuar gjatë hetimeve, pasi vetë të pandehurit nuk morën pjesë në tre seancat e zhvilluara për caktimin e masave të sigurisë, duke pretenduar se ngarkonin avokatët e tyre t’i përfaqësonin në mungesë. Ndërsa avokatët nuk morën pjesë në gjyq, me pretendimin se gjykata nuk i kishte njoftuar zyrtarisht. Pas kësaj, në tre seanca gjyqësore që u zhvilluan te Krimet e Rënda ditën e shtunë dhe të diel një gjyqtar i gatshëm, në këtë institucion sipas kërkesës së Prokurorisë firmosi urdhërarrestet për të pandehurit. Një prej mbrojtësve të të pandehurve i kontaktuar dje pohoi se, kishte dijeni se organi i akuzës i kishte lënë dy ditë afat Sefgjinit për të dorëzuar zyrën e drejtorit të Tatim-Taksave dhe pastaj atij do i duhej të qëndronte në banesë sipas vendimit të gjykatës. Duke vazhduar, avokati tha më tej se, sipas ligjeve në fuqi, të pandehurve duhet t’iu komunikohet masa e sigurisë nga gjykata që e ka vendosur atë. Konkretisht, sipas avokatit mbrojtës, pritet që në ditët në vazhdim të pandehurit të paraqiten para gjykatësit që lëshoi urdhërarrestet, për t’jua komunikuar masën e sigurisë. Burime të tjera shtuan se, gjatë ditës së djeshme Arben Sefgjini, kreu i aktual i Tatimeve ndodhej në zyrë dhe u largua prej saj në përfundim të orarit zyrtar. Organi i akuzës i Krimeve të Rënda, institucion që e ka marrë dosjen për zhdukjen e Remzi Hoxhës nga Prokuroria e Tiranës, e kërkoi masën shtrënguese për të pandehurit me pretendimin se ekziston rreziku që ata t’i shmangen drejtësisë. Prokurori Xhevat Hana, i cili ka firmosur mbylljen e hetimeve kërkoi katër ditë më parë në gjykatë vendosjen e masës shtrënguese “arrest në shtëpi” për tre të akuzuarit që ndodhen në Tiranë Arben Sefgjini, Budjon Meçe dhe Avni Koldashi, si dhe shpalljen në arrest ndërkombëtar të të pandehurit të katërt të këtij procesi, Ilir Kumbaro. Refuzimi nga tre të akuzuarit Sefgjini, Meçe dhe Koldashi për të marrë pjesë në proces dhe mosnjoftimi i avokatëve u bë shkak që përpara gjykatës të ndodhej vetëm prokurori Hana. Organi i akuzës arriti ta bindte gjykatën për vendosjen e masës shtrënguese pasi dorëzoi në gjykatë të gjitha provat që janë depozituar për gjyqin e themelit që pritet të nisë, më datë 16 maj. Ndërkohë më parë, kur në gjykatë u dorëzua dosja gjyqësore për të pandehurit, organi i akuzës pohoi se, kishte marrë si masë shtrënguese ndaj të pandehurve bllokimin e pasaportave të tyre. Por një fakt i tillë është kundërshtuar nga mbrojtja, të cilët shprehen se, klientëve të tyre nuk u janë bllokuar pasaportat. Duke argumentuar këto pretendime mbrojtësit e të pandehurve sqaruan pak ditë më parë se Prokuroria, që ka qenë dakord me heqjen e masës së sigurisë ndaj klientëve të tyre, në vitin 2004, e kërkoi sërish për Sefgjinin, ish-drejtori i SHIK për degën e Tiranës, aktualisht drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve; Kumbaron ish-kreu i SHIK në drejtorinë qendrore; Koldashin ish-shef i bazës së vëzhgimit dhe Budjon Meçe, ish-inspektor, të akuzuar për rrëmbimin me pasoja të rënda të Remzi Hoxhës në tetor të vitit 1995, dhe nëse gjenden fajtorë nga gjykata rrezikojnë të marrin dënime që mund të shkojnë deri në burg të përjetshëm.                  fa.ma.

Dosja, 7 fashikuj në ngarkim të katër ish agjentëve të SHIK-ut
TIRANE – Në shtatë fashikujt e dosjes që ka depozituar në Gjykatën e Krimeve të Rënda, me të cilët pritet të argumentojë fajësinë ndaj katër të të pandehurve Prokuroria ka përfshirë emrat e 7 dëshmitarëve që akuzojnë Sifgjinin, ish-drejtor i Shërbimit Informativ Kombëtar Tiranë, aktualisht kreu i Tatimeve në Ministrinë e Financave; Kumbaron ish-kryetar Dege në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë; Avni Koldashi ish-shef i bazës së vëzhgimit të Drejtorisë së SHIK-ut, Vain, Lezhë dhe Budjon Meçe, ish-inspektor në Drejtorinë e SHIK-ut, Tiranë, të kenë konsumuar në vitin 1995 veprat penale të “rrëmbimit të personit” dhe “torturës me pasoja të rënda”. Sipas aktakuzës së Prokurorisë katër të pandehurit dyshohen se në bashkëpunim me njeri-tjetrin  në muajin shtator-tetor 1995, kanë rrëmbyer shtetasit Remzi Hoxha, Avdyl Loshaj dhe Ziso Kristopuli dhe në mënyrë të dhunshme i kanë çuar në një ndërtesë në administrim të SHIK-ut, në vendin e quajtur Vain të rrethit Lezhë. Aty janë torturuar për disa ditë, nga ku ka gjetur vdekjen shtetasi Remzi Hoxha. Ndërsa dy të tjerët Kristopulli dhe Loshaj pritet të thirren në gjykatë për të dëshmuar ndaj të pandehurve.                                       f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›