Punësimi, sportelet e migracionit ofrojnë informacion të plotë
Sportelet e migracionit në vend janë ende në fazën e informimit të qytetarëve për punësimin jashtë vendit. Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), i ka krijuar shumë lehtësi personave që duan të emigrojnë jashtë vendit, sidomos për qëllime punësimi. Mjafton që ju të paraqiteni pranë zyrave përkatëse të rrethit tuaj dhe aty do të gjeni të gjithë informacionin e nevojshëm për punën dhe jetesën jashtë vendit. IOM tashmë ka hapur 14 zyrat e reja të Qendrës së Asistencës për Emigrantët në vendin tonë. Hapja e këtyre zyrave ka si qëllim futjen e emigracionit në kanalet ligjore dhe shmangien e rrugëve të rrezikshme dhe të paligjshme të emigracionit. Informimi mbi migracionin e rregullt dhe nevojat e tregut të punës në vendet pritëse do t’i vijë në ndihmë shtetasve shqiptarë që të mos bien pre e abuzimeve të ndryshme. Kjo për shkak të mosinformimit të duhur për procedurat dhe institucionet përkatëse. Të 14 sportelet e migracionit ofrojnë informacion për migracionin në 36 vendet e Bashkimit Evropian. Kështu, në këto sportele të gjithë të interesuarit do të gjejnë informacion mbi: Vizat, kushtet e punës dhe të jetesës, studimet jashtë vendit, programet e imigracionit, të drejtat dhe mbështetjen e emigrantëve, bashkimin familjar, programet e riintegrimit në Shqipëri për emigrantët e kthyer etj. Rrjeti Kombëtar i Sporteleve të Migracionit shtrihet pranë Drejtorive Rajonale të punësimit në Shkodër, Lezhë, Kukës, Dibër, Tiranë, Durrës, Elbasan, Berat, Fier, Korçë, Gjirokastër, Vlorë, Pogradec dhe Sarandë.
31 Tetor 2008