E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miratohen tri diplomat e sistemit të Bolonjës



Jonida Tashi

Miratohen tri diplomat që do të marrin në fund të studimeve studentët e diplomuar sipas sistemit të Bolonjës. Pas shumë diskutimesh midis universiteteve dhe Ministrisë së Arsimit, kjo e fundit i ka dhënë “ok” formatit të fundit të diplomës së paraqitur nga universitetet. Ministria e Arsimit ka miratuar jo vetëm Diplomën e Nivelit të Parë për studimet 3-vjeçare për studentët, por edhe atë të Nivelit të Dytë dhe të Studimeve të Integruara. Lajmi për miratimin e diplomave të Bolonjës bëhet i ditur ekskluzivisht për gazetën “Albania” nga drejtori i Drejtorisë së Kurrikulave dhe Standardeve në Universitetin e Tiranës, Xheladin Çeka. Ky i fundit sqaron se aktualisht, Universiteti i Tiranës u ka kërkuar fakulteteve në varësi të tij që të raportojnë se sa diploma të tilla u nevojiten në mënyrë që të nisë procesi i printimit të tyre. Pak kohë më parë, rektori i Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, shpjegoi se printimi i diplomave do të bëhet me tender, në të cilin do të përzgjidhet kompania që do të plotësojë kriteret e përcaktuara nga Ministria dhe universitetet për këtë proces.
Shpërndarja
Përsa i përket shpërndarjes, në udhëzimin e MASH-it përcaktohet që diploma do t’u lëshohet nga universitetet publike të vendit studentëve deri në gjashtë muaj pas përfundimit të studimeve. Paraprakisht nevojitet shifra se sa studentë janë në pritje të diplomave. Për këtë Çeka shprehet: “U është dërguar një shkresë të gjithë fakulteteve se sa diploma u nevojiten për këtë vit. Jemi në pritje të kërkesave të fakulteteve për numrin e diplomave që ju nevojiten. Pas kësaj do të nisë procesi i printimit të tyre, që është një proces që kërkon kohë fizike”. Gjatë këtij viti akademik vetëm për studimet master nevojiten 12300 diploma për Universitetin e Tiranës. Tashmë pritet vetëm të nisë procesi i printimit dhe shumë shpejt kjo diplomë do të jetë në duart e mijëra studentëve, që megjithëse kanë mbaruar 3-vjeçarin nuk kanë ende një diplomë në xhep. Por, përveç përcaktimit përfundimtar të diplomës 3-vjeçare të Bolonjës, është miratuar edhe modeli i Diplomës së Nivelit të Dytë si dhe Diploma e Studimeve të Integruara. Të trija diplomat do të kenë të njëjtin format, por do të ndryshojnë nga njëra-tjetra vetëm nga ngjyra dhe emërtimi. Pas miratimit, kjo diplomë do të regjistrohet edhe në regjistrin e diplomave. Në pritje të diplomës 3-vjeçare të Bolonjës janë me mijëra të rinj, që kanë mbaruar këto studime gjatë këtij viti akademik. Xheladin Çeka bën të ditur se rreth 10 mijë kopje i nevojiten vetëm Universitetit të Tiranës. Ndërkohë që këtij numri kopjesh pritet t’i shtohen edhe disa mijë kopje të tjera nga universitetet e tjera të vendit. Pritet që të parët që do të marrin në dorë këtë diplomë do të jenë studentët që u nevojitet kjo diplomë për të vazhduar studimet specializuese jashtë vendit.
Formati
Formati i Diplomës së Nivelit të Parë, Diplomës së Nivelit të Dytë, si dhe i Diplomës së Studimeve të Integruara do të jetë A4. Këto diploma do të ndryshojnë vetëm nga ngjyra, pasi për secilën prej tyre është përcaktuar një ngjyrë e ndryshme nga tjera si dhe emërtimi që do të kenë. Kështu, diploma e ciklit të parë 3-vjeçar do të jetë me ngjyrë të kaltër të lehtë. Ndërsa diploma e ciklit të dytë dhe diploma e integruar e ciklit të dytë do të jetë me ngjyrë okër. Përveç përcaktimit të ngjyrës, diploma e nivelit të parë dhe ajo e nivelit të dytë do të përmbajë edhe suplementin. Sipas udhëzimit të Ministrisë së Arsimit për përmbajtjen dhe formën e diplomës së shkollës së lartë, diplomat do të shtypen në format jo më të vogël se A4 me letër jo më të vogël se 200 gr/m2. Gjithashtu, në shtypjen e diplomave do të parashikohen edhe elementë të sigurisë në letër dhe në formulimin grafik të tyre. Deri në pajisjen me diplomë të të diplomuarve, universitetet janë të detyruara t’u lëshojnë studentëve një vërtetim për diplomën e fituar, i cili duhet të jetë i shoqëruar me listën e notave.

Emërtimi
Emërtimi i diplomës së fituar, sipas programeve të studimit dhe cikleve të studimit do të jetë:
Diplomë e Nivelit të Parë .......(fusha e arsimit të kryer)
Diplomë e Nivelit të dytë .......(fusha e arsimit të kryer) Diplomë e Integruar e Nivelit të Dytë...(fusha e arsimit të kryer)

Të dhënat që do të përmbajnë diplomat e reja

Stemën e Republikës së Shqipërisë, Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, si dhe emblemën e institucionit përkatës të arsimit të lartë
Emërtimin “Republika e Shqipërisë”
Emërtimin e institucionit përkatës
Emrin, atësinë dhe mbiemrin e studentit
Vendin, datën, muajin dhe vitin e lindjes
Emërtimin e diplomës në fushën e arsimit të kryer
Vitin e fillimit dhe përfundimit të studimeve
Numrin e amzës së studentit (matrikullimit) dhe numrin e regjistrit të diplomës
Datën, muajin dhe vitin e akordimit të diplomës
Emrin e rektorit të institucionit të arsimit të lartë dhe dekanit të fakultetit përkatës të shkruar me dorë

31 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›