“Taksisti”, fierakun e heroinës e dekonspiroi agjenti i infiltruar
Kakavijë – Mbi 4 kilogramë heroinë janë kapur në pikën e kalimit doganor të Kakavijës, ndërsa një i ri, që dyshohet se është pronari i lëndës narkotike, ka përfunduar në pranga. Operacioni i koduar “Taksisti” në doganën e Kakavijës u krye nga Drejtoria e Antikrimit të Organizuar Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit. Forcat e kësaj strukture mundën të vënë në pranga shtetasin 26-vjeçar, Blenar Grembi, nga fshati Zharrës i qytetit të Fierit.
Ndalimi
Grëmbi, me profesion taksist, u kap në tentativë për të kaluar kufirin shqiptar dhe për të kaluar në tokën greke duke transportuar lëndë narkotike. Gjatë kontrollit të automjetit të drejtuar prej tij, u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar heroinë, me një peshë prej rreth 4 kg e 145 gr. Policia dyshon se lënda narkotike kishte si destinacion tregun grek. Sasia e heroinës, plot 4 kilogramë e 145 gramë, automjeti tip “Mercedes Benz” me targë FR 6541 C, shuma prej 500 eurosh dhe 8000 lekësh të rinj, si dhe tre aparate celularë u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Shtetasi Blenard Grembi u dorëzua në Drejtorinë e Policisë së Gjirokastrës. Ai akuzohet për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”.
Informacioni
I riu fierak, i cili u arrestua në Kakavijë pasi u gjet me drogë të fortë, është “tradhtuar” nga agjentët e infiltruar të policisë, të cilët ishin vënë në ndjekje të tij. Burime nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit bënë të ditur për gazetën “Albania” se nga kontrolli u gjetën të fshehura në pjesën e brendshme të këtij mjeti sa si të konsiderueshme heroine. Policia pohoi se operacioni, që u finalizua prej strukturave të saj, erdhi pas informacioneve të marra në rrugë operative me dyshimet se automjeti i drejtuar nga taksisti Grembi, po kalonte aksin në drejtim të Greqisë, me sasinë e heroinës, që në tregun e zi kapte vlerën e rreth 200 mijë eurove. Pas kapjes në flagrancë, 26-vjeçari që shihni në foto, Blenard Grembi, akuzohet për veprën penale “trafikim i lëndëve narkotike”. Materialet procedurale në ngarkim të tij i kanë kaluar për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë për Krime të Rënda.
Lul Berisha dhe Indrit Dokle do të mbrohen nga avokatë që paguhen nga shteti
Kolegji penal ndëshkoi avokatët e tre të pandehurve për mosparaqitje
Debate mes të pandehurve dhe kolegjit penal për vendimin e radhës
Laureta Rryçi
Tiranë - Lul Berisha dhe Indrit Dokle do të mbrohen në sallën e gjyqit nga avokatë të paguar nga shteti. Kjo jo se atyre u janë “shpuar xhepat”, por se marifeteve të avokatëve të paguar prej tyre u ka ardhur fundit. Kolegji penal, i kryesuar nga gjyqtari Gurali Brahimllari, ka vendosur të ndëshkojë avokatët e tre prej të pandehurve. Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje që tre nga të akuzuarit e Bandës së Durrësit, Indrit Dokle, Lulëzim Berisha dhe Indrit Taullai, të përfaqësohen nga avokatët e caktuar kryesisht nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Vendimi u mor pasi disa ditë më parë po kjo gjykatë shkarkoi për braktisje të sallës gjyqësore avokatët mbrojtjes së të pandehurve.
Seanca
Seanca e djeshme gjyqësore, edhe pse e shkurtër, është shoqëruar nga debate të shumta nga ana e të akuzuarve. Gjykata mori këtë vendim pas mungesa e herëpashershme e avokatëve mbrojtës po shkaktonte shtyrje njëri pas tjetrit të proceseve gjyqësore. Pas vendimit për caktimin e gjykatësve të rinj, Gjykata vendosi të enjten e ardhshme ditën për zhvillimin e seancës së radhës. Në seancën e djeshme, përveç këtij vendimi, pritej të vazhdonte edhe dëshmia e të penduarit Adriatik Coli. Mirëpo me zhvillimet që pasuan në seancë ishte e pamundur të vazhdonte më tej seanca gjyqësore.
Procesi
Të pandehur në këtë proces janë 17 persona, të cilët akuzohen për një sërë veprash të rënda penale mes tyre disa vrasje të ndodhura pas vitit '97 kryesisht në qytetin e Durrësit Shumë prej të akuzuarve si anëtarë të "Bandës së Durrësit" janë arrestuar këto tre vitet e fundit në operacione të organizuara nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda, e cila ka realizuar hetimet për çështjen.
18 fëmijë me hepatit A dhe një me B janë shtruar në spital
Elbasan - Në Spitalin Pediatrik të Elbasanit janë shtruar prej disa ditësh 18 fëmijë me hepatit viral A dhe një me hepatit B, të cilët ndodhen në gjendje shëndetësore relativisht të mirë. “Numri i fëmijëve të shtruar, të cilët janë të moshës 6-14 vjeç, është i lartë krahasuar me vitet e tjera”, - tha për gazetën mjeku pediatër, Edmond Laho. Sipas tij, fëmijët kanë pasur simptoma si këputje trupi, dhimbje mëlçie, apo stomaku. “Rasti më i vështirë paraqitet ai i djalit 14-vjeçar nga Cërriku me hepatit B, të cilin e ka marrë si pasojë e një injeksioni”, - theksoi Laho duke shtuar se aktualisht ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
31 Tetor 2008