Akuza klasike

Çdo duel mes Barcelonës dhe Real Madridit zgjon vëmendjen globale ashtu si edhe reagimet pas saj.
Por, ky i së mërkurës duket se tejkaloi ata të kaluarit sidomos me ngjarjet që nuk kishin të bëjnë drejtpërdrejt me lojën.
Barcelona fitoi Superkupën e saj të 10-të, pasi mposhti Realin 3-2 në përballjen e tensionuar që u përfundua me kacafytje dhe tre karton të kuq në minutat e fundit të lojës shtesë.
Trajneri i Realit, Jose Mourinho ka vazhduar sulmin e tij verbal ndaj Barcelonës duke e quajtur kampionin e Evropës, “ekip i vogël”.
Një tjetër spektakël aktualisht i dy ekipeve më të mira në Evropë sërish u errësua nga veprimet e Mourinhos, i cili ia futi gishtin në sy asistentit të Barcelonës, Tito Vilanova, gjatë kacafytjes në përfundim të takimit.
Mourinho, i cili tashmë është i suspenduar për disa ndeshje të Ligës së Kampionëve për komentet që kishte bërë ndaj Barcelonës, sezonin e kaluar, tani mund të përballet me masa të tjera.
“Real Madridi bëri një paraqitje spektakolare. Atë që dua të them nuk është kritikë, vetëm po e përmend një fakt: nuk kishte djelmosha të topit në pjesën e dytë, diçka tipike për ekipet e vogla, kur hasin në vështirësi. Nuk dua të them se jemi të lumtur që nuk fituam Superkupën e Spanjës, por ne synuam të luajmë si burra dhe jo të rrëzohemi përtokë pas kontaktit më të vogël”, tha Mourinho.
Portugezi ironizoi incidentin e tij me Vilanovën. “Nuk e njoh atë zotëri, nuk e di kush është e as si quhet. Është gjyqtari ai që vërshëllen për atë që mendon se është e drejtë të vërshëllehet, ai vendos, unë hyj në fushë për të luajtur si burrë”, theksoi Mourinho.
Barcelona: Mourinho shkatërron futbollin spanjoll
Derisa Real Madridi i beson Jose Mourinhos të sjellë tituj në klub, futbollistë nga rivali, Barcelona, besojnë se trajneri portugez është duke e shkatërruar futbollin spanjoll me qëndrimin dhe sjelljet e tij.
Mesfushori Xavi Hernandez përshkroi taktikat e Realit si “patetike” dhe “turpëruese për futbollin në përgjithësi”.
“Reali duhet të brengoset për imazhin që është duke dhënë, është shumë dëmtues”, theksoi Xavi, ndërsa mbrojtësi Pique shkoi edhe më larg.
“Mourinho është duke e shkatërruar futbollin spanjoll”, tha Pique. “Nuk është hera e parë, janë gjithmonë një numër i futbollistëve të njëjtë andaj duhet të ekzistojë një mënyrë që ata të ndalen. Shpresoj të marrin masa të nevojshme, sepse çdo ndeshje nuk mund të përfundojë në këtë mënyrë”, shtoi ai.
Para përfundimit të ndytë, Reali dy herë barazoi rezultatin para se Lionel Messi të shënojë golin e fitores në minutën e 87-të.
Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola komentoi paraqitjen e Realit duke thënë se ata janë “gjithmonë sfidues” dhe konfirmoi se Vilanova nuk ka probleme me syrin.
Por, ai nuk ishte i impresionuar nga mënyra si përfundoi ndeshja. “Xhirimet flasin për vetvete”, tha Guardiola, i cili barazoi Johan Cruyffin si trajneri më i suksesshëm në histori të Barcelonës me 11 tituj. “Nëse kjo nuk ndalet, do të përfundojë keq”, u shpreh ai.