E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda, burg të përjetshëm për pengmarrjen

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda dha dje vendimin përfundimtar për tre persona nga Vlora, që akuzohen për rrëmbim dhe vrasje në bashkëpunim, duke dënuar njërin prej tyre me burgim të përjetshëm. Gjykata dënoi në mungesë me burg për jetë të pandehurin Leonard Elezaj, i cili akuzohet si ideatori i rrëmbimit dhe me pas ekzekutimit të shtetasit Pasho Zotaj, më 15 gusht të 2004 në Kotë të Vlorës. Ndërkohë që, dy të pandehurit e tjerë, konkretisht Alban Elezaj, vëllai i Leonardit dhe shoku i tyre, Erion Borakaj, u shpallën fajtorë dhe dënuan me nga 21 vjet burg për bashkëpunim në vrasjen e pengut. Sipas hetimeve të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, tre të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, por në role të ndryshme, kanë kryer veprën penale të “rrëmbimit të personit” dhe “vrasjes me paramendim”, më 15 gusht të 2004 në Kotë të Vlorës, kur kanë rrëmbyer dhe vrarë shtetasin Pasho Zotaj. Gjithashtu, Prokuroria ka hedhur dritë edhe mbi motivet e kësaj ngjarjeje, ku shkak pretendohet të jetë bërë një borxh prej 100 mijë eurosh që vëllai i viktimës ua kishte vëllezërve Elezaj. Sipas prokurorisë, e cila rindërtoi skemën e krimit, natën e 15 gushtit të vitit 2004, Pasho Zotaj ishte nisur nga Vlora për në fshatin e tij të lindjes, në Kotë të Vlorës. Rrugës për në fshat ai ndiqet me makinë nga vëllezërit Elezaj dhe shoku i tyre Erioni. Këta të fundit e morën peng Pasho Zotajn, në këmbim të 100 mijë eurove dhe e kanë ekzekutuar, pas tentativës së tij për t'u larguar.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›