E Shtunë, 31 Tetor 2026

Marrin peng 17-vjeçarin për borxhin, prangosen

Nikolin Gjoni dhe Arian Lleshi marrin peng V. Dodën për borxhin. Denoncimi i nënës së tij sjell arrestimin e pengmarrësve
PUKË – Nuk i kanë kthyer borxhin dhe janë marrë peng dy të rinj, njëri prej të cilëve ka arritur të shpëtojë duke njoftuar policinë e Pukës, e cila ka mundur ta çlirojë adoleshentin tjetër pas disa orësh, ndërsa dy autorët e krimit janë vënë në pranga.
Burime zyrtare thanë dje se "aksioni i policisë lokale që përfundoi me lirimin e pengut, V. Doda, 17 vjeç, banues në Fushë-Arrës, si dhe me arrestimin e shtetasve Nikolin Gjoni 21 vjeç dhe Arian Lleshi 22 vjeç, të dy të lindur dhe banues në fshatin Shkozë të Komunës Gjeçan, u krye në orët e vona të ditës së diel". Sipas të dhënave në Komisariatin e Pukës, pengmarrja është bërë për shkak të një borxhi të pashlyer nga dy të rinjtë. Të njëjtat burime thanë se policia u hodh në aksion pas denoncimit të nënës së 17-vjeçarit Doda, e cila kallëzoi në komisariatin e policisë marrjen me forcë të djalit të saj nga dy personat e identifikuar menjëherë, të cilët më pas u arrestuan.
Pengmarrja
Nga hetimet e deritanishme rezulton se 21-vjeçari Nikolin Gjoni, pronar i një lokali lloto sporti në qytetin e Fushë-Arrësit, ka pasur një konflikt me 17-vjeçarin V.Doda dhe shokun e tij L. K, 18 vjeç, me pretendimin se ata i kishin marrë një sasi lekësh borxh. 21-vjeçari Gjoni i ka thirrur dy të rinjtë në lokalin e tij dhe më pas i ka telefonuar bashkëpunëtorit, Arian Lleshit. Ky i fundit ka ardhur në pikën e llotos me një automjet tip “Benz”, me targë TR 2681 M. Së bashku me Gjonin, ai ka marrë forcërisht në automjet dy të rinjtë. “Njëri prej tyre, 18-vjeçari L. K., ka arritur t’u shpëtojë pengmarrësve, ndërsa adoleshenti V. Doda për disa orë ka qenë nën presionin e tyre”, - thanë burimet e policisë. Mësohet se dy pengmarrësit i kanë telefonuar djalit të tezes së 17-vjeçarit, shtetasit P. Mëhilli, duke i kërkuar atij shlyerjen e borxhit.
Arrestimi
Falë operacionit të mirorganizuar, uniformat blu kanë mundur të gjejnë vendndodhjen e dy autorëve të krimit së bashku me pengun e tyre. Policia tha se ndaj tyre u mor masa e arrestit në flagrancë, ndërsa policia sekuestroi dhe automjetin tip “Benz”, me të cilin ata transportuan pengun e tyre në vendin që nuk bëhet i ditur nga policia. Në lidhje me këtë ngjarje janë marrë në pyetje dy të rinjtë e mbajtur peng për disa orë, si dhe autorët e kësaj ngjarjeje. Ndaj dy të arrestuarve është ngritur akuza “heqje e paligjshme e lirisë e kryer në bashkëpunim”, ndërsa materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit të Pukës.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›