E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lushnje, ndalohet polici i rremë

LUSHNJE – Ndodh që të përballesh me persona që vishen dhe sillen sikur të jenë policë dhe abuzojnë me profesionin që merret me ruajtjen e rendit dhe të sigurisë. Viktimë e një situate të tillë kanë rënë shtetasit Fatjon, Liridon dhe Bledar Krasniqi, por më pas kanë bërë denoncimin duke sjellë arrestimin e policit të rremë dhe identifikimin e dy bashkëpunëtorëve të tij, M. Dhano dhe R. Çuko. Burimet në Komisariatin e Lushnjes bëjnë të ditur se 23-vjeçari Klevis Çuko u prezantohej qytetarëve të ndryshëm si polic dhe më pas përvetësonte prej tyre shuma lekësh dhe sende të ndryshme me pretendimin se ato sekuestroheshin për efekt hetimi. Sipas tyre, Çuko dyshohet se vepronte prej kohësh. Të njëjtat burime thanë se aktualisht është dokumentuar se 23-vjeçari ka grabitur nën petkun e policit tre shtetas, Fatjon, Liridjon dhe Bledar Krasniqin, të cilët pas verifikimeve të para kanë kuptuar se kishin rënë pre e mashtrimit të personave që nuk punonin në strukturat e policisë së shtetit. Kaq ka mjaftuar që të nisin hetimet për Klevis Çukon dhe që u finalizuan në orët e vona të mbrëmjes së të dielës me kapjen e tij. Ai ka patur edhe dy bashkëpunëtorë të tjerë, të cilët e ndihmonin në realizimin e skemës së abuzimit por që tashmë janë identifikuar nga policia si shtetasit M. Dhano dhe R. Çuko. Burime zyrtare të policisë së Lushnjes thanë se hetimi për kapjen e policit të rremë ka nisur menjëherë pas disa denoncimeve. Mësohet se 23-vjeçari do të përgjigjet përpara Drejtësisë për veprat penale “vjedhje në bashkëpunim” dhe “përvetësim i titullit ose detyrës shtetërore”. Vitin e kaluar janë shënuar dy raste të ngjashme në qarkun e Fierit, ku shtetas të ndryshëm, të cilët paraqiteshin me uniforma policie, abuzonin me qytetarët.

12 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›