Misteri i zhdukjes së 22 vjeçarit
7 vite më parë, Avni Biçaku del nga shtëpia dhe nuk kthehet më
Që prej 7 vitesh, pazari i vjetër i Krujës mban me vete një mister. Zhdukja në rrethana të pashpjegueshme e një 22 – vjeçari do të trondiste banorët e qytetit të vogël. Por më shumë nga të gjithë, dhimbjen e ndien familja e Avni Biçakut, djalit i cili u shndërrua në objekt bisedash të shumta nga qytetarët e atij vendi të cilët mundohen të zbulojnë se çfarë i ka ndodhur vite më parë...
Historia
Në një ditë krejtësisht të zakonshme, Avni Biçaku do të dilte nga shtëpia për të blerë disa gjëra për vetën e tij. Pjesëtarëve të familjes u kishte kërkuar 7 mijë lekë të vjetra për të blerë një palë këpucë. Pasi kishte marrë të hollat ai ishte drejtuar për në pazar. Aty mendohet të ketë blerë disa gjëra të konsumit të përditshëm me qëllimin për t’u nisur më mbrapa në drejtim të shtëpisë. Por dita e 20 nëntorit të vitit 2001 zor se mund të harrohet nga të afërmit e Avniut. Orët kalonin, nata kishte zbritur mbi qytet dhe ai nuk ishte dukur asgjëkund... Familja ishte alarmuar së tepërmi për djalin e tyre pasi në atë kohë ishte vetëm një 16-vjeçar, akoma i parrahur me jetën. Prindërit e Avniut drejtohen në policinë e zonës dhe denoncojnë humbjen e tij. Gjithçka çfarë ata dinin ishte se në momentet para largimit ai mbante të veshur xhinse e këpucë të zeza si dhe një pulovër ngjyrë gri. Shqetësimi ishte i madh pasi askush nuk deklaronte se e kishte parë të merrte një drejtim të caktuar dhe menjëherë mendja e të afërmve shkonte tek më e keqja...Trokitjet e familjes në derë të institucioneve shtetërore nuk sollën asnjë rezultat konkret. Avniu ishte zhdukur sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. Përveç varfërisë, të afërmit e Avniut duhej të bashkëjetonin për vite të tëra edhe me dhimbjen për humbjen e djalit. Për 7 vite rresht ata nuk kanë ditur as të gëzojnë e as të qajnë pasi nuk e dijnë nëse djali i tyre jeton apo jo.
Kërkimet në “Njerëz të humbur”
Me atë pak fije shprese që u ka mbetur akoma, njëlloj si i mbyturi që kapet fort mbas fijes së fundit, familjarët e Avni Biçakut vendosën të drejtohen në zyrat e “Njerëz të humbur”. Detaje të reja, pista të ndryshme kërkimi kanë dalë gjatë transmetimit të emisionit ditën e shtunë mbrëma. Aida Shtino me gazetarët kanë mundur të mësojnë pak nga rrethanat e humbjes së djalit 22 vjeçar. Sipas disa dëshmitarëve, tregtarë në pazarin e Krujës, thuhet se në datën 20 nëntor, Avniu kishte porositur në treg një palë këpucë. Shitësit i kishte premtuar se do të kthehej më vonë për ti blerë. Pak momente më vonë ai ishte parë të shoqërohej me dy persona të panjohur me të cilët ishte drejtuar për në qendër të Krujës. Nga ana e stafit të emisionit u pyetën edhe njëherë nga e para rrethi shoqëror i Avniut si dhe tregtarët e pazarit të Krujës por askush nuk dinte të thoshte diçka më konkrete. Të njohurve u është kujtuar edhe një tjetër detaj sipas të cilit djali krutan kishte patur shumë dëshirë të largohej në drejtim të Italisë gjë të cilën kishte tentuar ta vendoste shpesh herë në zbatim. Përveç humbjes familja ka qëndruar gjithmonë me ankth dhe frikë për shkak të shumë telefonatave anonime që i’u bënë për tre vite rresht, deri në 2003-in. Një prej tyre, ka pohuar se Avniu ishte nisur në drejtim të Greqisë por kishte mësuar se ai kishte ngelur në dëborë pa mundur dot të mbërrinte në destinacion. Por ky informacion është vërtetuar shpejt nga ana e familjes. Autoritetet shqiptare kanë pohuar se vërtetë ishin gjetur disa kufoma në mal por mes tyre nuk bënte pjesë asnjë person i ngjashëm me Avni Biçakun. Publikimi në “Njerëz të humbur” nxori në pah një pistë të re kërkimi që zakonisht nuk para ndodh: gjurmët e djalit po dilnin brenda territorit shqiptar megjithëse ne një vend në kufi me shtetin helen. Telefonues të ndryshëm kanë dhënë informacion për një fshat në afërsi të Greqisë sipas të cilit Avni Biçaku ka disa vite që jeton aty. Shpresa dhe ankthi i familjes, prezentë në studion e emisionit në Vizon Plus, është rritur akoma më shumë. Askujt nuk do ia merrte mendja që gjurmët e tij do të dilnin brenda Shqipërisë, vetëm nëse ai do të gjendej pa jetë. Por informacionet thonë pikërisht se djali mund të jetë gjallë dhe jeton në një fshat jugor. Ajo çfarë të bën më shumë përshtypje është se pse do të zgjidhte djali të jetonte kaq afër prindërve dhe aq larg zemrave të tyre, pasi ata që prej 7 vitesh nuk kanë asnjë shenjë jetë të tij? Cilat janë rrethanat që mund ta kenë detyruar të marrë një vendim të tillë?! Këto dhe të tjera të reja priten të dalin në javët në vazhdim, përgjatë investigimeve të gazetarëve të “Njerëz të humbur”.
Pas 15 vitesh “Njerëz të Humbur” bashkon Kozmain me djalin e tij
Një ironi fati që ndau në mes dashurinë mes një babai dhe djalit të vetëm të tij. Një divorc që shkatërroi ëndrrën e një të riu për mos patur asnjëherë pranë, fëmijën që i dha për herë të parë statusin e të qenit baba. Ishte viti 1965! Kozma Tabaku nga Korça njihet me një vajzë nga Vlora me të cilën kurorëzon martesën me të. Po atë vit, ajo të sillte në jetë një fëmijë të quajtur Renato. Tre vitet e para çifti përjetoi momente të mrekullueshme. Lindja e djalit solli mes tyre një harmoni e cila shumë shpejt do të shuhej. Vendin e saj do ta zinin zënkat e shpeshta të cilat arritën deri në një divorc të çiftit. Në bazë të vendimit të gjyqit fëmija i kalon për kujdestari nënës dhe babai kishte të drejtë ta shikonte një herë në dy javë. Për Kozmain situata u ndërlikua edhe më shumë pasi Renato së bashku me të ëmën u transferuan në Tiranë. Lëvizjet e tij nga Korça në Tiranë ishin shumë të rralla aq sa Renato filloi të humbiste dashurinë për figurën kryesore të jetës së tij, babain! Me ardhjen e demokracisë, Renato së bashku me nënën nisen drejt Italisë dhe vendosen në Bolonja. Kjo do të ishte goditja fatale për Kozmain. Tashmë ai nuk do ta shikonte më kurrë Renaton pasi tre vitet e para për të nuk kishte asnjë shenjë jete. Një gazetare e një televizioni teksa kishte realizuar një reportazh për emigrimin masiv të emigrantëve në Itali kishte intervistuar edhe Renaton. Menjëherë Kozmai vihet në kontakt me gazetaren e cila i jep atij një numër telefoni të djalit. Kontakti me të zgjat deri në muajin prill të vitit 1993 dhe më pas sikur çdo gjë u zhduk me magji. Numri i telefonit nuk funksiononte më, familja e ish-bashkëshortes nuk jepte asnjë informacion ndërsa Kozmai tashmë më një jetë të re bashkëshortore, nuk reshtte së kërkuari Renaton. I lodhur nga përgjigjet negative të shumë dyerve ku kishte trokitur, ai zgjedh programin “Njerëz të Humbur” në Vizion Plus për të zgjidhur hallin e tij. Kërkimet e para të stafit të gazetarëve filluan në Bolonja. Ata zbuluan se djali kishte qenë student në Universitetin e Bolonjës, madje me rezultate shumë të mira. Ky ishte një ogur shumë i mirë dhe i dha Kozmait një tis shprese. Kërkimet filluan të intensifikoheshin derisa natën e një të shtunë dhjetori gazetarët e Aida Shtinos arritën të kontaktonin me Renaton. Por në jetë ndodh që pritshmëria të mos jetë gjithmonë pozitive. I ulur në kolltuk, Kozmai priste nga Aida që ajo t`i jepte lajmin e mirë të gjetjes së djalit. Në thirrjen e bërë ndaj tij, Kozmai i kërkoi falje publike djalit për të gjitha gabimet e bëra. “Njerëz të Humbur” kishte arritue të komunikonte me Renaton, por ai nuk kishte pranuar të fliste me babain e tij. Arsyeja: I kishte munguar dashuria gjatë procesit të rritjes. Teksa dëgjonte leximin e e-mailit, Kozmai kapërdihej nga sikleti i refuzimit të dashurisë të të birit. Në fund të programit ai u largua me përgjigjen të ftohtë dhe të acartë të djalit, i bindur se tashmë e kishte humbur përgjithmonë atë. Orët kalonin, ditët po ashtu, por nuk kalon shumë kohë kur në celularin e babait bie një numër i panjohur. Kozmai nuk kishte për ta besuar kurrë që nga ana tjetër e telefonit do të ishte djali i tij. Biseda kishte vijuar me minuta të tëra si mënyra e e vetme për të plotësuar boshllëkun e krijuar prej vitesh mes tyre. Ata kishin shkëmbyer foto dhe ishin të përmalluar teksa shikonin njëri-tjetrin tashmë të ndryshuar. Të gjitha emocionet e këtyre bisedave u transmetuan të shtunën në mbrëmje në një lidhje direkte telefonike të realizuar mes Aida Shtinos dhe Kozma Tabakut. – “U desh publikimi i rastit qe Renato të fliste me mua”- citoi më tej Kozmai. Në fund të muajit prill të këtij viti, Renato do të vijë në Shqipëri dhe vizitën e parë do ta kryejë tek babai i tij. “Njerëz të Humbur” premton se do të përcjellë me imazhe takimin pas 15- vitesh mes Renatos dhe babait të tij, i cili u bë i mundur nga programi i Aida Shtinos në Vizion Plus në vazhdën e bashkimit të shumë familjeve, shpeshherë të ndara edhe për ironi fati.
Një dashuri e harruar dhe një fund i lumtur pas 33 vjetësh...
E shtuna mbrëma në Vizion plus, përcolli emocione pa fund në emisionin “Njerëz të humbur”, drejtuar nga Aida Shtino. Një larmi rastesh të humburish dhe histori prekëse u prezantuan përgjatë 5 orevë të emisionit , i cili zgjati deri në orët e para të mëngjesit. Zëri kryesor në këtë mbrëmje surprizash ishte rubrika “Ironi fati”, e cila përcolli dhe prezantoi për të disatën herë histori fëmijësh të braktisur dikur në hapat e jetës së tyre , e që sot edhe pse të rritur në moshë nuk mund të mbajnë pengun e një nëne të munguar ndër vite. Vajzat e reja, tashmë të bëra nëna vet, vetëm tani mund ta kuptojnë se çdo të thotë prind e fëmijë. Të gjitha shprehen njëzëri se i kanë falur nënat e tyre, gjithçka duan është të mësojnë origjinën dhe identitetin e prindërve që i kanë sjellë në jëtë. Mes këtyre vajzave qëndronte e ulur në publik edhe një vajzë tjetër , e quajtur Majlinda Hasaj. 33-vjeçarja Hasaj lindi më 8 prill të vitit 1975 në Maternitetin e Tiranës. Deri në moshën dy vjëçare ajo u rrit nga prindërit e saj, më pas nuk dihet se për cfare motivesh ajo u dërgua nga nëna biologjike në Befotrofin e Tiranës. Por vajza nuk do të qëndrojë gjatë në këtë shtëpi fëmije sepse në 9 Prill të vitit 1977 ajo dërgohet në shtëpinë e fëmijës në Shkodër ku qëndron deri në datën 30 Korrik të vitit 1979 dhe nga kjo datë kalon tek fëmijët parashkollore.
Majlinda ka mbaruar shkollën 8 vjeçare në Shkodër dhe menjëherë ndonëse në moshë ende të mitur ajo filloi punë në një firmë. Aktualisht punon në një kompani italiane. Majlinda nuk pati asnjëherë fatin të birësohej nga prindër e të kishte kështu një familje, me dashurinë ë dy prindërve. Mjaft fëmijë më të cilët ajo bashkëjetonte u zgjodhën të merreshin nga çifte pa fëmijë, ndërsa Majlinda nuk u ledhatua asnjëherë. Gjithë vitet e jetës së saj, sidomos me fillimin e adoleshencës ajo i jetoi në një banesë më disa mike të cilat patën të njëjtin fat jetë si ajo. Majlinda erdhi në “Njerëz të humbur” për të kërkuar nënën e saj biologjike. Pas dy javëve kërkimesh, stafi i “Njerëz të humbur” arrin të gjejë nënën e Majlindës larg kufijve shqiptar në shtetin e Italisë. Përmes një lidhjeje telefonike Majlinda arriti të flasë më të ëmën, ndonëse emocionet e bllokuan së tepërmi. 33-vjeçarja nuk mundi të përmbante dot veten pasi dëgjoi emocionet e së ëmës. Nënë e bijë i premtuan njëra-tjetrës së do të bashkoheshin një ditë të afërme. Majlinda Hasaj nuk sot të jetë me e vetme. Madje që të shtunën mbrëma, pas përfundimit të emisionin, daja i saj u paraqit në Vizion plus për të takuar mbesën e tij. Fundi i kësaj historie do të vazhdojë edhe për mjaft fëmijë të tjerë të cilët kërkojnë rrënjët biologjike.
Skeda
Avni Bajram Biçaku
Datëlindja: 27 Shkurt 1985
Vendlindja: Kruje
Humbur kontaktet: 20 Nëntor 2001
Drejtimi: i paditur
SHËNIM
“Për çdo informacion rreth këtyre personave vizitoni faqen www.njereztehumbur.com shkruani në adresen aidashtino@vizionplus.tv ose na kontaktoni në Tel. +355 4 258 488 Fax. +355 4 258 490 pranë redaksisë së emisionit në Vizion Plus. Rr. Don Bosko Nr. 5 Tiranë - Albania”
12 Shkurt 2008