E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministria e Drejtësisë kontroll dosjeve të pushuara në Prokurori



TIRANE – Ministria e Drejtësisë ka ushtruar një kontroll në Prokurorinë e Elbasanit, lidhur me dosjet penale të pushuara gjatë viteve 2007-2009. Kontrolli ka përfunduar pak javë më parë dhe më pas konkluzionet e këtij inspektimi mësohet se i janë bërë të ditura edhe Prokurorisë së Përgjithshme. Sipas ligjit, Ministria e Drejtësisë ka të drejtën të ushtrojë kontroll në Prokurori, përmes Drejtorisë së Inspektimit. Ligji parashikon se kontrolli nuk mund të përfshijë dosje që janë në hetim, por vetëm procedimet penale për të cilat është marrë një vendim nga organi i akuzës. Ministria e Drejtësisë në kontrollin e ushtruar në Prokurorinë e Elbasanit për procedimet penale të viteve 2007-2009 ka shqyrtuar më shumë se 800 dosje penale, nga të cilat mësohet se 536 prej tyre kanë qenë dosje penale për të cilat prokuroria ka vendosur të mos fillojë procedim, duke mbyllur hetimet. Pikërisht kjo kategori dosjesh penale kanë qenë në vëmendjen e kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë, e cila ka verifikuar ligjshmërinë e vendimit të pushimit të këtyre dosjeve penale. Objekt i kontrollit mësohet se kanë qenë edhe masat e dënimit të kërkuara nga prokuroria në gjykatë për dosjet e kësaj periudhe 2-vjeçare, si dhe masat e sigurimit. Inspektorët e Ministrisë së Drejtësisë kanë verifikuar nëse prokuroria ka kërkuar masa dënimi në përputhje me parashikimet e Kodit Penal ndërsa janë kontrolluar edhe kërkesat për masat e sigurimit. Pas raportit të inspektimit të Ministrisë së Drejtësisë, pritet që vetë Prokuroria e cila ka marrë në duar këtë raport, të kryejë një kontroll të dytë mbi dosjet në fjalë, për të marrë më pas masa ndaj prokurorëve në rast se ata gjenden me shkelje në ushtrimin e detyrës së tyre. Në përfundim të kontrollit të Prokurorisë së Përgjithshme, organi i akuzës do t’u kërkojë sqarimet e tyre secilit nga prokurorët që kanë hetuar “dosjet me shkelje” dhe më pas do të merret vendimi i mëtejshëm. Në raportin e dërguar në Kuvend nga Prokurorja e Përgjithshme për vitin 2009, thuhej se Ministria e Drejtësisë ka ushtruar kontroll në Prokurorinë e Tiranës, duke kontestuar vendimet e marra për 280 dosje penale. Sipas prokurorisë, në 50 raste vendimet që ishin marrë nga prokurorët janë shfuqizuar pas kontrollit të Ministrisë së Drejtësisë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›