E Diel, 1 Nëntor 2026

Kameron: Britania do të qëndrojë larg euros për 5 vitet e ardhshme



Koalicioni i ri qeveritar në Britani mbajti dje takimin e tij të parë formal, ku u përpoqën të tregonin se anëtarët e dy forcave mund të punonin mirë së bashku, megjithëse kanë ideologji të ndryshme. Kabineti i ri qeveritar ka 18 ministra konservatorë dhe 5 nga liberal-demokratët. Kryeministri konservator, David Kameron drejtoi takimin me zëvendësin e tij, Nik Kleg, lideri liberal-demokrat. Zyrtarët diskutuan deficitin e madh buxhetor në Britani, reformën bankare dhe Afganistanin. Takimi përfundoi me një marrëveshje për të shkurtuar me 5 për qind vetë pagat e tyre, si pjesë e përpjekjeve për të shkurtuar deficitin rekord prej 235 miliardë dollarësh, sipas agjencisë britanike “Press Association”. Pas takimit, ministrat thanë për gazetarët në Londër se ata kishin punuar mbi qëllimet e përbashkëta dhe lidershipi i Qeverisë së re ishte “tërësisht i fokusuar dhe i unifikuar”, dhe se takimi kishte kaluar për mrekulli. Megjithatë politikat e konservatorëve dhe liberal-demokratëve janë shumë të ndryshme. Konservatorët mbrojtën sistemin e raketave nukleare, “Trident”, të cilin liberal-demokratët donin ta eliminonin. Qeveria e re nuk do të japë amnisti për emigrantët e paligjshëm dhe nuk do të lejojë Britaninë të integrohet më shumë në BE, dy pika që liberal-demokratët i kishin propozuar në programin e tyre. Por ata fituan ndryshimet në sistemin e taksave, që do të rëndojnë më shumë mbi të pasurit dhe ndryshimet në formulat e financave për arsimin. Ata fituan gjithashtu një premtim për një referendum për të ndryshuar sistemin e votimit, për ta bërë më të lehtë që partitë e vogla të fitonin vende në Parlament. Në mbledhjen qeveritare, Kameron premtoi të hartojë një buxhet emergjence brenda 50 ditësh dhe të parashtrojë planet për të kursyer gati 9 miliardë dollarë gjatë vitit të tanishëm fiskal. Udhëheqësi i Partisë Konservatore premtoi një numër reformash bankare dhe ta mbajë Britaninë larg euros për pesë vjetët e ardhshëm. Emërimet në kabinet përfshijnë konservatorin Uilliam Hague në postin e sekretarit të jashtëm dhe George Osborne në postin e Ministrit të Financave. “Ne po paraqesim politika të reja, ku interesi kombëtar është më i rëndësishëm se interesi partiak, ku bashkëpunimi fiton mbi konfrontimin, ku kompromisi, shkëmbimi, arsyeja, sjellja dhe pjekuria qytetare, nuk janë shenja dobësie por force”, tha Kameron.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›