E Shtunë, 31 Tetor 2026

Eurobondi, përmirësohet situata pas kaosit grek



Tregjet ndërkombëtare financiare duket se janë stabilizuar, pas efekteve kaotike që shkaktoi përkeqësimi i krizës greke. Dje është shënuar edhe rritja më e madhe stokut në 10 muaj me një rritje 1 për qind. Kjo është vlerësuar nga specialistët si pozitive, në një kohë kur shumë shtete janë të interesuara për të emetuar një Eurbond. Sipas agjencisë së lajmeve “Reuters”, garancinë për rikthimin normal të tregjeve e ka dhënë paketa siguruese e miratuar nga BE në vlerën e 750 milionë eurove. Ajo që vlerësohet më pozitive për momentin është çështja e përqindjes së interesit, e cila ka tendencë rënëse. Sipas “Reuters”, kjo mund të inkurajojë që vende të tilla si Shqipëria, që shkëputën procesin për shkak të destabilizimit të tregut të rinisin edhe njëherë. Para renditjes së Greqisë nga S&P në nivelin më të keq të borxhit, Shqipëria kishte mundësinë të emetonte Eurobondin 400 milionë euro me një interes të leverdishëm prej 6.7 për qind. Gjithsesi situata tani duket më pozitive, çka mund të krijojë mundësinë që vendi ynë të gjejë sërish një interes të ulët për Eurbondin. Ministri i Financave, Bode, disa ditë më parë u shpreh për “Reuters” se, Shqipëria me shumë mundësi do të përfundonte procesin në fund të javës tjetër. Shqipërisë i intereson Rurobondi për të zëvendësuar borxhin e vitit të kaluar me interes 11 për qind, me një me interes më të ulët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›