Raporti: Kriza politike do ngadalësojë rritjen ekonomike
Kriza politike është vlerësuar si një nga faktorët kyç që do të japë efekt në ngadalësimin e rritjes së ekonomisë. Të tjera arsye që rrisin këtë risk janë deficiti i lartë fiskal dhe pasiguria në ekonomitë e partnerëve më të mëdhenj tregtarë që janë Italia dhe Greqia. Raporti më i fundit vjen nga “Companies and Markets”, kompani që merret me analizimin dhe vëzhgimin e ekonomive të vendeve të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe studimet e tregut në llogari të investitorëve me të cilët bashkëpunojnë. Publikimi i raportit të fundit për Shqipërinë jep parashikimin për ekonominë në tremujorin e tretë të vitit 2010. “Të qenit një prej shteteve të Evropës që evitoi recensionin gjatë krizës financiare, tashmë është mjaft e dukshme se rritja e ekonomisë shqiptare ka filluar të ngadalësohet. Gjithsesi për specialistët, gjatë 2010-ës parashikohet një rritje reale e GDP-së në vlerën 3.5 për qind, duke e menduar Shqipërinë si vendin me performancën më të mirë ekonomike në rajon. “Sidoqoftë ne asnjëherë nuk përjashtojmë se parashikimi afatmesëm është shumë optimist. Në veçanti theksojmë se ndërthurja e çështjeve të tilla si paqartësia e gjendjes së llogarisë korrente, deficiti fiskal, rritja e riskut politik dhe rritja e pasigurisë që rrethon ekonomitë e partnerëve më të mëdhenj të ekonomisë (më së shumti Italinë dhe Greqinë), duhet pasur parasysh”, thekson raporti.
Kriza politike
“Pavarësisht rritjes së presionit nga Brukseli për arritjen e një kompromisi urgjent mes elitës politike të vendit, për krizën aktuale që vjen si efekt i mospajtueshmërisë me zgjedhjet e qershorit 2009 vëmë re se nuk duket ndonjë zgjidhje e qëndrueshme që do zgjasë. Paralizat parlamentare do të vazhdojnë të pengojnë Tiranën në miratimin e legjislacionit të nevojshëm për integrimin e mëtejshëm në BE. Vërejmë se aplikimi i vendit për anëtarësim në BE do të mbetet në vend gjatë 2010-ës, pavarësisht dorëzimit të pyetësorit nga Kryeministri Sali Berisha në mes të prillit. Ne projektojmë se deficiti aktual do të ulet në 13.8 për qind e GDP-së në 2010-ën (nga 15.1 për qind në 2009-ën), para se të ulet në 13.2 për qind në 2011-ën. Kërkesa e fuqishme e brendshme dhe çmimet e mbështetura më së miri nga jashtë do të jenë faktorët kyç që do të mbajnë rënien në nivele tolerante, edhe pse ne mendojmë që një rënie e madhe e të ardhurave nga remitancat si rrjedhojë e krizës makroekonomike greke mund të bëjë që deficiti të zgjerohet më shumë në terma afatshkurtër.”