E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ryshfet në emër të Gjykatës së Lartë



Trazhgim Sokolaj

Policia e Tiranës ndaloi dje me urdhër të prokurorisë një person, i cili dyshohet se ka marrë 10 mijë euro nga një i dënuar për vrasje, për të përshpejtuar shqyrtimin e dosjes së tij në Gjykatën e Lartë.Sipas burimeve nga Drejtoria e Policisë, shtetasi Berti Zh, akuzohet se ka kryer veprën penale të “mashtrimit” ndaj një shtetasi të dënuar për vrasje, pasi ka marrë paratë, por nuk ka bërë asgjë për dosjen në Gjykatën e Lartë. Ky i dënuar, identiteti i të cilit është Iljaz Bega, vuan dënimin në burgun e Fushë Krujës, pretendon se ka paguar dhjetë mijë euro te personi i ndaluar, i cili i kishte premtuar përshpejtimin e gjyqit në Gjykatën e Lartë. Në këtë skemë mashtrimi, i ndaluari Berti Zh, mësohet se kishte përmendur edhe dy emra gjyqtarësh të Gjykatës së Lartë, duke premtuar se kishte njohje personale me ta. Pas më shumë se një muaji hetimesh në lidhje me këtë çështje, i akuzuari për mashtrim është arrestuar dje në orët e mesditës në afërsi të Gjykatës së Tiranës. Menjëherë pas arrestimit, shtetasi i akuzuar për mashtrim është përcjellë në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku është marrë në pyetje lidhur me ngjarjen. Nga burime të policisë, bëhet e ditur se i arrestuari e ka pranuar akuzën pjesërisht, duke thënë se i ka marrë të dënuarit shumën 10 mijë euro “për ta ndihmuar”. Sipas hetimeve të zhvilluara nga policia, në bashkëpunim me prokurorinë, në momentin e dorëzimit të parave nuk është mbajtur dokumentacion, megjithatë ky fakt pohohet nga i dënuari që thotë se i ka dorëzuar paratë, si dhe nga vetë i akuzuari për mashtrim i cili pranon marrjen e shumës në fjalë. “I kam marrë paratë dhe i kam harxhuar duke takuar njerëz për ta ndihmuar të burgosurin, doja të merrja informacion ku ndodhej çështja e tij dhe kush po e shqyrtonte”, ka thënë në polici i arrestuari.
Denoncimi nga burgu
Rreth një muaj më parë, në polici dhe Prokurori ka mbërritur një denoncim nga burgi i Fushë-Krujës. I dënuari me 21 vjet burg për vrasje. Iljaz Bega, nga Berati, ka denoncuar në polici faktin se i kishte dhënë një personi 10 mijë euro, pasi mashtruesi i kishte premtuar ta ndihmonte me gjyqin në Gjykatën e Lartë. Menjëherë pas denoncimit të mbërritur nga burgu i Fushë Krujës, policia dhe prokuroria kanë nisur verifikimet nëse vepra penale ishte kryer apo jo. Nga këto verifikime ka rezultuar se shtetasi i arrestuar me iniciale B.Zh, kishte hyrë në kontakt me familjarë të të dënuarit Iljaz Bega, të cilëve u kishte premtuar t’i ndihmonte në gjyqin për vrasje në Gjykatën e Lartë. Në bisedat me familjarët e të dënuarit, i arrestuari për mashtrim ka pretenduar se kishte njohje personale me dy gjyqtarë të Gjykatës së Lartë. Megjithatë nga verifikimi i kontakteve të personit të akuzuar për veprën e mashtrimit, ka rezultuar se ai nuk ka pasur asnjë kontakt me gjyqtarët e Gjykatës së Lartë. Po kështu pas arrestimit, i dyshuari ka thënë se nuk i njihte gjyqtarët që kishte përmendur në bisedat me familjarët e të dënuarit për vrasje.

Ryshfeti për dosjen në Dhomën e Këshillimit
I dënuari që dha paratë, kreu vrasje të dyfishtë në Laprakë

TIRANE – I dënuari, i cili i ka dhënë 10 mijë euro të arrestuarit për mashtrim, është akuzuar dhe dënuar me 21 vjet burg për një vrasje të dyfishtë, me motive pronësie, ndodhur në Laprakë në datë 25 korrik 2006. Sipas dosjes penale të Iljaz Begës, në atë kohë 67 vjeç, ai është akuzuar se ka vrarë me armë zjarri shtetasit Namik Islamaj, 70 vjeç dhe Astrit Islamaj, 44 vjeç, të dy banues në rrugën “Brigada 9” në Tiranë. Sipas dosjes penale, i dënuari Iljaz Bega, në kohën kur ka kryer krimin banonte në rrugën “Vangjel Note” në Laprakë. Menjëherë pas krimit, autori i vrasjes së dyfishtë u arrestua ndërsa u kap edhe arma e vrasjes, një kallashnikov model 56. Shkak për krimin ka qenë një konflikt pronësie, pasi dy viktimat e vrasjes kishin disa objekte në pronësi në kufi me banesën e autorit të krimit. Sipas hetimeve të fundit të policisë dhe prokurorisë, në datën 4 korrik 2007, dosja penale e Iljaz Begës ka mbërritur në Gjykatën e Lartë dhe prej asaj kohe nuk ishte marrë në shqyrtim. Në këtë mënyrë, menjëherë pasi kanë hyrë në kontakt me të akuzuarin për mashtrim, familjarët e tij i kanë dorëzuar 10 mijë euro “sekserit”, i cili kishte premtuar se do t’u përshpejtonte shqyrtimin e dosjes në institucionin e shkallës së tretë të gjyqësorit shqiptar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›